Nga Sokol Balla
Fushata që filloi zyrtarisht të premten, fut të dy kampet kryesore politike në muajin e fundit, të bilancit të tyre gati dy vjeçar në detyrat e reja: PS për qeverisjen dhe PD për opozitën. As Rama, e as Basha nuk i kanë patur këto role më parë, kështu që këto zgjedhje sigurisht kanë një balancë testesh e sigurisht dy bilance politike.
Pra zgjedhjet lokale, sigurisht janë politike, siç kanë qenë gjithmonë, ketu tek ne e kudo tjetër. Ato kane efektin e zgjedhjeve parciale politike (middterm elections) dhe përtej përdorimit politik të tyre nga opozita, efekti i qeverisjes qëndrore është i paevitueshëm. Aksionet antipopuliste të qeverisë, sigurisht kanë ndihmuar në vendosjen e territorit nën kontroll, të rritjes së fuqisë ligjzbatuese në vend, por në kushtet kur ekonomia nuk është aty ku duhet të ishte dhe rritja e saj, për vende si Shqipëria që kanë nevojë për një 7 përqindësh të mirë, është ende e pandjeshme për shumicën, sigurisht që kanë prodhuar efekte kundërshtuese. Masa e tyre do të testohet në 21 qershor, pwr të parë nëse në vend ka, siç thotë Erion Veliaj, “një turmë 1000 vetash që ankohet apo një shumicë të heshtur që shikon punën e vet” dhe përkrah vendosjen e ligjshmërisë në vend.
Opozita, ose më mirë lidershipi i saj, gjithashtu do të testohet për bilancin përkatës. Basha ka vendosur kontroll mbi strukturat e partisë, dhe nesër, me ose pa Berishën, ai do të jetë kryetar i padiskutueshëm i saj. Por sondazhet (të cilave Berisha thotë se nuk u beson, por Basha po), tregojnë deri tani, se një qeverisje qëndrore e PD, duket me e mundshme në 2021 sesa në 2017. Kështu që në këto zgjedhje, Bashës do t’i duhet të luftojë fort të marrë sa më shumë njësi, për të luftuar objektivin 45, që kanë të majtët dhe aleatët e tyre. Për momentin duket se PD do të rikonsolidojë disi pozitat në Veri e Verilindje, si dhe do të tentojë të shtojë “blue spots”, në disa zona të saj në pjesë të tjera të vendit, ku ka patur gjthmonë vota, si Mallakastër, Lushnje, Durrës apo edhe Sarandë.
Për më shumë Bashës i duhet të luftojë sindromën që krijoi partia e tij kur ishte herën e fundit në pushtet: kur qeverisja qëndrore i qëndronte me kamzhik në dorë bashkiakëve të opozitës, çka krijoi tek qytetarët idenë, se ndoshta më mirë në Lokale, të votojnë përfaqësuesit e maxhorancës. Me dinakëri, Rlindja Urbane, një projekt prej më shumë se 100 milion eurosh, investuar kryesisht në bashkitë e majta, ushqen pikërisht këtë ide. Gjithsesi Bashës mund t’i krijohet më shpejt sesa Ramës, efekti pozitiv i mospasjes së asnjë lloj pushteti pas 21 qershorit. Atëherë qeveria nuk do të ketë më mundësi të akuzojë PD, të cilën do ta ketë zbritur nga çdo lloj piedestali përgjegjësie ligjzbatuese në vend.
Këto zgjedhje, do jenë një bilanc dhe për LSI. Sondazhet e nxjerrin në 8 përqind, por Meta dhe të tijët dihet, performojnë më mirë pas perdeve, sesa para tyre. Çuditërisht kjo ndodh me partinë që është më e fiksuar me sondazhet. Por që në këto zgjedhje futet me një avantazh të paparashikuar: si objekt kryesor i sulmeve të ish aleateve të tyre të PD.
Gjithsesi këto zgjedhje, duket se kanë një risi: Ka më pak politikë dhe më shumë fokus tek projektet e qyteteve. Sigurisht që Majko mendon ndryshe kur deklaroi se tek Sajmiri dhe Erioni, sheh “veten dhe Ilirin dikur”. Por ato ishin kohë të tjera. Koha tregoi se në politikë triumfon modeli i Metës. Për më shumë, Iliri është qetësuar. I vetmi që nuk ka ndryshuar është Pandi.
Por në fund të fundit, duhet një përjashtim, që të vërtetojë rregullin.









