Nga Sokol Balla/
Le ta themi troç: reforma në arsim, është e kontestueshme, për shkak të përfshirjes në të direkte, të grupeve të interesit, ose më saktë ,të grupeve të konflikteve të interesit. Nëse universitetet private do t’I kishin qëndruar larg kësaj reforme, ndoshta ajo do ishte më e përtypshme për publikun dhe më pak e kontestueshme për politikën dhe veçanërisht opozitën e djathtë. Por përfshirja e këtyre grupeve edhe në fushatën paralizuese ndaj një pjese jo të vogël universitetesh private, fushatë që i parapriu reformës, e ka ulur besueshmërinë e saj në sytë e publikut, jo aq për arsye politike, por sepse me mijëra familje kishin rënë në rehatin e kompromisit me fëmijët, të cilëve u paguanin një shkollë, merrnin një diplomë, e cila ishte e barazvlefshme me diplomat e universitetit publik, ketyre të Konsorciumit, bile edhe atyre të huaja, kur vinte puna për një vend pune.
Prej gati një dekade kjo kishte krijuar një situate dekadente, të padrejtë, dhe skandaloze për të ardhmen e brezave të rinj dhe formimin e tyre. Sot deri edhe vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë probleme të rënda me sistemin arsimor, përballë ekspansionit intelektual që vjen nga Azia e veçanërisht Kina, bile edhe Brenda sistemit të saj arsimor, rrjete jopublike shkollash si ato të menaxhuara nga Gylen, janë kueku më lart sesa vetë kolegjet amerikane.
Ndaj të mbyllje sytë prej kësaj katrahure, do të ishte një krim i dyfishtë. Ashtu si reforma e pensioneve dhe ajo në drejtësi, reforma në arsim ka një impakt direkt në të ardhmen e këtij vendi dhe të brezave të rinj. Sistemi ynë arsimor, ashtu si ai shëndetësor apo i pensioneve, është një shartim i shëmtuar mes një sistemi arsimor të fortë të modelit sovietik që trashëguam dhe një koherence moderne sipërfaqësore me arsimin perëndimor.
Për shembull mua personalisht dhe nuk është hera e parë që e shkruaj, më shastis fakti se përse shteti duhet të paguajë për arsimimin e lartë të të rinjve. Kur them paguajë, i referohem tarifave në qytetin Studenti, të cilat janë një kosto e pakuptimtë. Sa i përket tarifave studentore ose student fee siç njihet në gjuhën profesionale, sigurisht këtu ka disa shkolla. Francezët, gjermanët dhe disa vende të tjera aplikojnë tarifa të ulëta ose zero. Anglezët apo amerikanët, ofrojnë tarifa të shkallëzuara. Nga më të lirat për vendasit, tek pak më të shtrenjta për eurokomunitarët dhe super të shtrenjta për ekstrakomunitarët. Për shembull fee-ja e studimeve të mia Master në Universitetin e Kardifit ka qënë mbi 9000 paund sterlina. Për një britanik, në të njëjtën klasë me mua, ajo ishte vetëm 3000. Tani gjithkush mund të pyesë se përse një student nga një vend i varfër duhet të paguajë 3 herë më shumë se një britanik? Shumë e thjeshtë: sepse rregullat përcaktohen në mënyrë universale. Jashtë BE është Shqipëria, por edhe Japonia. Pra tregun e përcaktojnë cilësia e universitetit dhe kërkesa e lartë e studentëve nga këto vende si Japonia, ku tarifat studentore në çdo rast, për shkak të nivelit të lartë të jetesës, janë edhe më të larta se ato të universiteteve angleze, të cilat ofrojnë plus, edhe cilësinë e lartë të mësimdhënies. Por a mund të transplantohet ky model në Shqipëri? Sepse duhet thënë, akuza kryesore ndaj kësaj reforme, janë rritja e tarifave studentore.
Shumica e kritikëve mendojnë se jo. Pasi Shqipëria është një vend i varfër dhe nuk mund të përballojë një rritje të tarifave studentore. Dhe këtu më kujtohet argumenti mburrës i regjimit të Enver Hoxhës, që thoshte se ndryshe nga perëndimi i egër, në Shqipëri arsimi ishte falas. Problem është se në fakt ne kemi zgjedhur perëndimin e egër dhe arsimi duhet tashmë edhe ai, ta pranojë këtë realitet: një student apo një familje duhet të shpenzojë për fëmijën dhe arsimimin e tij të lartë. Kur nuk e ke këtë mundësi, në Angli ofrohet Student Loan, ose kredi studentore me interes zero. Pagimi i kesaj kredie nis kur student nis punë pas diplomimit në universitet. Kjo është një gjë shumë e mirë, pasi i jep një student potencialisht të interesuar të arsimohet dhe jo thjesht të diplomohet, që të ndjekë ëndrrën e tij dhe të paguajë faturen, kur kjo ëndërr t’i realizohet. Kjo, për studentët që vijnë nga zonat e varfëra. Se për çunat dhe gocat e babit me lekë, sigurisht që kjo reform është dramatike, se tashmë për t’I prishur këto lekë, atyre do t’u duhet të arsimohen e jo thjesht të diplomohen (marrin një diplomë). Plus mami dhe babi prapë do t’ua paguajnë universitetin, por kanë një mundësi më shumë, që fëmijët e tyre të mos rrijnë të Blloku kur kanë mësim e leksione.
Për mua, kjo është e vërteta e thjeshtë pas kësaj reforme, që siç thashë në fillim, po të kish qëndruar larg thonjve të disa universiteteve private ndoshta do të ishte më pak e paragjykuar. Por edhe në këtë pikë, nuk kuptoj shqetësimet e kritikëve: Pra Cili do të dorëzojë UET, por mund të vetëzgjidhet president I tij për ca kohë? Po mirë, le të zgjidhet. Fundja merita është e tij, nëse sot një universitet privat ka renome’ të mirë në tregun e arsimit të lartë privat. Skema e blind trust, sërish një skemë e huazuar nga Britania, është një skemë funksionale. Jo vetëm për universitetet private, por edhe deri për mediat private, të cilat në shumicë drejtohen nga truste të tilla, të cilat u sigurojnë fondet, menaxhimin por edhe pavarësinë editoriale.
Sigurisht reformat në Shqipëri, bëhen nga Shqiptarët dhe zbatohen prej tyre. Këtu skeptikët kanë të drejtë: potenciali i deformës në vend të reformës është i madh. Por kësaj s’kemi çfarë t’i bëjmë. Në fund të fundit, skeptikët, shqiptarë janë dhe ata…









