Nëse dikush në vitet 2003 2007 do kishte thënë se do vinte dita që Edi Rama do bëhej armik me Kishën Ortodokse, të gjithë do ishin gajasur së qeshuri. Ishin vitet kur përtej polemikave të stërmëdha edhe brenda partisë së tij ku po hynte, Edi Rama i jepte lejen e ndërtimit Katedrales, vetëm me mbështetjen e Pandi Majkos. Ishin vitet kur Dora Bakojanit i tregonte me krenari, tek dera e Bashkisë, sesa afër qendrës ishte kulla e këmbanës ortodokse. Dhe sigurisht sesa afër Bashkisë.
Nëse në vitin 2011, dikush do kishte guxuar të parathoshte të njëjtën gjë, sigurisht do të merrej me shqelma nga mbështetësit e Edi Ramës. Kisha Ortodokse ishte e vetmja që bëri një deklaratë të qartë pro protestës së 21 janarit dhe vrasjes së katër protestuesve. Kisha Katolike bëri një deklaratë të qartë “pro shtetit dhe institucioneve shtetërore” dhe dënoi dhunën e të gjitha palëve. Komuniteti mysliman bëri nga ato deklaratat “as më kap, as më lësho”, në modelin e Bamir Topit, nga ato që si gjithmone u keqintepretuan nga të gjitha palët.
Po ndërkohë gjërat kanë ndryshuar. Sot armiqësia e Edi Ramës është e dukshme me Kishën Ortodokse dhe me atë që dikur ka qënë një nga mentorët e tij më të hershëm, kryepeshkopin Anastas, sic parapëlqejnë ta thërrasin ortodoksët e devotshëm Anastas Janullatosin.
Unë kam shumë respekt dhe përulje për Zotin. Kjo ndjenjë më është rritur e pjekur me kalimin e viteve, duke ndjerë gjithnjë e më shumë dorën e tij në momentet e lumtura dhe sfidat me të cilat më ka përballur. Dhe me shtimin e venerimit për Të, më ka ardhur duke u ulur respekti për klerin e të gjitha feve.
Për shembull në vitin 1999 në një shkrim që në fakt paralajmëroi gjithë cka ndodhi më pas, të titulluar “Këmbanat bien përgjatë Klonit”, kisha mbledhur fakte rreth personalitetit të Anastasit, i cili po të kishte lindur në Stamboll, ndoshta sot do të ishte kreu i kishes ortodokse botërore.
Por kur e pashë pak vite më parë të zhgarravitej si një plak gërnjar kundër një vendimi të qeverisë, shkruajta me keqardhje për të dhe i bëra thirrje presidentit të Republikës “t’i jepte një pasaportë shqiptare”, se dukej qartë që ishte bërë po aq grindavec dhe mistrec sa të gjithë ne shqiptarët.
Por shembja e kishës ortodokse në Dhërmi nuk ka lidhje me Janullatosin. Nuk ka lidhje as me Kishën Katolike shqiptare ku Edi Rama thotë se bën pjesë, megjithëse ajo e ka trajtuar gjithmonë si një renegat. Shembja e kishës ortodokse dhe për më shumë, në emër të ndërtimit të një tjetër kishe, asaj katolike, në rastin më të mirë, është një gabim nga mosdija. Ashtu si fjalimet e Kryeministrit për Iftar, që nga zelli i tepërt rreshtojnë roma për toma, faktet dhe filozofinë islame.
Por kam frikë se nuk është thjesht një gabim. Nuk vjen as nga zelli i tepërt pas vizitës së Papës dhe bekimit të familjes. Bile nuk është (megjithëse e përfshin) thjesht një përpjekje për të hequr mendjen nga sukseset e padukshme të ekonomisë. Eshtë një lojë e rrezikshme, që Edi Rama po bën me fetë, e që ka nisur pikërisht me flirtimin me Anastasin në fillim të karrierës së tij politike. Që vazhdoi me myslimanët, për të cilët shfaqi një interes të paparë para zgjedhjeve të vitit 2011, kur për herë të parë organizoi iftare e që befas ra disi, sapo u zbeh dashuria e papritur por që nuk zgjati dhe aq shume me Erdogan.
Dhe tani i ka ardhur radha fesë katolike. I vetëdeklaruar si katolik në një nga intervistat me mua në #TopStory, (bëri jo pak bujë edhe bekimi i të birit Zahos, një vit më parë nga papa Francesku), sot, kur Edi Rama katolik, ka marrë përsipër që të na shesë ai (a thua se nuk qenkemi të aftë) versionin tonë perëndimor të Islamit, atëherë përse goditet kështu Kisha Ortodokse? (incidenti i Dhërmiut nuk është rasti i parë. Të njëjtin fat, shembje, pati edhe muri rrethues i Katedrales që ai vetë i dha leje një dekadë më parë). Përse ky nxitim i madh për t’ju vërsulur Athinës së lodhur, sapo ajo reagoi për ngjarjen?
Ndoshta për të treguar se Engjëlli Gjerman në Ballkan, ka dhe një vend ku e adhurojnë, përvec vendit ku e urrejnë? Për të vënë në vend dinjtetin e një shteti dhe kombi si i yni, që ka vuajtur jo pak nga arroganca greke në këtë cerek shekulli? Ndoshta, dhe këtu jam dakort me Kryeministrin. Ne duhet të shfrytëzojmë cdo mundësi për të rikuperuar kohën e humbur. Por mënyra për ta bërë këtë, përmes përdorimit të fesë, është e gabuar dhe e rrezikshme.
Nuk i hyj këtu fare historisë që tregon Koço për atë martirin katolik. Kishat, xhamiat, sinagogat, tyrbet, janë të gjitha shtepi të Zotit. K’urani, Bibla dhe gjithë librat e shenjtë e thonë qartë se të gjithë besimtarët mund të luten në një kishë apo xhami, nëse nuk gjenden afër vendit të tyre të kultit. Sot kur kafshët po shkatërrojnë pasuri botërore me tritol në emër të Zotit, kur fetë po kalojnë të gjitha momente të sprovave të mëdha pas përdorimit që po u bëjnë atyre ekstremistët, Shqipëria nuk duhet të keqpërdorë atë aset botëror që më ne fund po i pranohet: tolerancën fetare. Nëse Kisha Ortodokse bën grindavecen greke, dhe do të mbajë me zorr ambiente në Përmet a Dhërmi, shteti nuk duhet t’ja marrë edhe nëse ajo shkel ligjin, jo që të mos nxehet Janullatos, por që 25 perqind e shqiptarëve që i përkasin kësaj feje, të mos shohin me shqetësim se përse kryeministri duket se nuk i sheh ata njëlloj si katolikët, myslimanët, bektashinjtë apo protestantët.
Nëse në Dhërmi katolikët kërkojnë një kishë që ata mendojnë se është e tyrja, ska pse ai vend të kthehet në një “mini Jerusalem”, ku më pas fqinjët tanë grindavecë të ngrenë një tjetër vend fals pelegrinazhi dhe tensioni. Shteti të ndërhyjë po. Por duke ndërtuar EDHE një kishë tjetër për katolikët, dhe jo bashkuar dy në një, sa për sherr.
Pas dy vjetësh në 2017, mbushen plot 50 vjet nga blasfemia kolektive komuniste e shembjes së kishave dhe xhamive dhe kthimit të tyre në therrtore dhe pallate sporti. Sa herë ky vend kalonte kriza të thella, gjithmonë kam menduar se janë ndëshkime nga Zoti. Sepse ne shkatërruam shtëpitë e tij. Kur po i afrohemi gjysëm shekulli nga ai moment i errët i ndërgjegjes sonë kolektive, duhet të mendojmë sesi ta kujtojmë atë shkurt 1967, kur rinia komuniste e Durrësit nisi bjerrjen finale shpirtërore të Shqiptare. Kryeministri yne, me origjinë nga ortodoksët e Durrësit, me mamanë nga ortodoksët e Bregut, me gjyshen katolike Shkodre dhe me të shoqen një myslimane të mirë, me shok Ilir Metën që vdes për baba Reshatin dhe Pandi Majkon që ka Anastasin nun të fëmijëve, bën mirë të vrasi mendjen për këtë, sesa si të përdori fetë për kapital politik sipas konjukturave të momentit. Dikur këmbanat binin përgjatë klonit.
Sot, i kemi, ashtu si minaret, poshtë dritareve tona.