Nga Mero Baze
E gjithë çfarë ka ndodhur në kryesinë e Partisë Socialiste është qartësimi i qëndrimit të Kryeministrit Rama që Partia Socialiste nuk do të dorëzojë çdo kokë deputeti në sini për paraburgim, pas tepërimit ekstrem me masat e sigurisë që SPAK dhe GJKKO kanë aplikuar ndaj zyrtarëve të lartë, me paraburgosje, ende pa ngritur akuzën. Aplikimi i këtij qëndrimi të ri politik fillon me çështjen Balluku, madje merr shkas dhe nga profili i lartë i saj, por do të jetë një qëndrim i përhershëm. Nga ky qëndrim përfitojnë vetëm ata që janë deputetë dhe kanë imunitet për paraburgosje. Për burgosje pas dënimit nuk ka askush imunitet, kështu që nuk cenohet as drejtësia dhe as pengohet hetimi, pasi si dhe në rastin e Ballukut, zyrtarët nën akuzë vazhdojnë të shkarkohen nga detyrat ose të japin dorëheqje.
Kështu që në këtë pikë Kryeministri ka të drejtë t’i imponohet grupit parlamentar me qëndrimin e tij politik në një fazë kritike të zbatimit të reformës në drejtësi, ku politikat represive dhe akuzat populiste po dominojnë të drejtën e të akuzuarve për t’u mbrojtur dhe për t’u ballafaquar me faktet, që dalin më parë në media se sa shkojnë në duart e të akuzuarve.
Debatet në kryesinë e Partisë Socialiste kanë qenë nga dy anëtarë të kryesisë, të cilët më shumë se sa debat kanë kërkuar të jenë më të informuar për problemet politike dhe qëndrimet që do mbajë partia në raste të tilla si ky i Ballukut, përderisa në disa raste të tjera siç është rasti Bllako apo Ahmetaj ka pasur qëndrim tjetër. Dhe kjo detyroi Edi Ramën të shpjegojë që kjo është votë për një qëndrim të ri të Partisë Socialiste dhe të tij dhe jo votë për Belinda Ballukun.
Ajo që Edi Rama ka gabim në këtë pikë është që vazhdon e shpjegon çdo ditë se masa ndaj Ballukut ishte ekstreme pasi akuzat ndaj saj janë të buta, pasi nuk është akuzuar për korrupsion por për pabarazi në tendera apo ndikim të paligjshëm.
Ky arsyetim juridik i Ramës është i gabuar dhe e dëmton Ballukun, pasi mund të nxisë SPAK për akuza më të rënda, qoftë dhe arbitrare, derisa ta detyrojë Ramën me fjalët e veta t’i heqë imunitetin asaj dhe pastaj nuk ka shumë rëndësi nëse akuzat rrëzohen në gjykatë.
Kryeministri duhet t’i qëndrojë arsyetimit të tij politik që socialistët nuk kanë ndërmend të dorëzojnë zyrtarë të lartë deputetë për burgosje paraprake pa përfunduar hetimi i plotë dhe gjykimi. Ata nuk duhet të bëhen gjykatës të fajësisë apo pafajësisë së ministrave dhe deputetëve, por vetëm mbrojtës të një standardi politik që vendosin. Pasi kështu siç po shkon beteja mes SPAK dhe qeverisë, të dy palët kanë ndërruar pozicion. Qeveria bën arsyetime juridike për të mos lejuar heqjen e imunitetit, ndërsa SPAK bën llogari politike për statistika, duke mos bërë asnjëri punën e vet. Pra qeveria jep arsyetime juridike kurse SPAK jep arsyetime politike.
Kjo duhet të marrë fund. Secili nga llogoret e veta është legjitim në luftën e vet me kompetencat që ka: SPAK me arsyetime ligjore, qeveria me arsyetime politike. Ashtu si SPAK ka të drejtë të shfrytëzojë çdo nen dhe germë të kodit penal, ashtu edhe qeveria ka të drejtë të shfrytëzojë çdo nen dhe germë të ligjit për imunitetin e deputetit.
Por nuk kanë pse ndërrojnë rolet që SPAK të merret me politikë dhe qeveria me drejtësi.
Sa i përket debatit brenda Partisë Socialiste për viktimat e SPAK, ai është një debat i humbur prej kohësh. Socialistët nuk kanë asnjë arsye të jenë krenarë për veten e tyre në këtë pikë. Ata kanë votuar një reformë në drejtësi që u ka hequr shqiptarëve të drejtën për të marrë drejtësi dhe dhjetë vite më pas qytetarët janë shumë herë më të persekutuar nga kjo drejtësi se sa ajo e korruptuara që kishin.
Edhe në përplasjet e brendshme me njëri-tjetrin, socialistët, dhe këtu e kam fjalën për ata që duan të duken se kanë bindjet e tyre, ose kanë hyrë në një çetë ose kanë ulur kokën dhe s’kanë folur. Mjafton t’u kujtoj se një vit më parë një pjesë heshtnin për Erion Veliajn, të tjerë si Ulëziu me shokë bëheshin edhe të zellshëm si persekutorë për t’u dukur nxënës të zellshëm të SPAK dhe për të rregulluar ndonjë pazar të tyre me ta.
E vërteta është se SPAK e ka përdorur në mënyrë gjeniale gjendjen e grupacioneve brenda PS dhe i ka vjelur të gjitha palët “raportuese” për t’u bërë varrin të gjithëve, dhe mirë ka bërë pasi ka gjetur atë stan me lepuj. Dhe pas kësaj askush brenda PS nuk ka më gojë të thotë që është në burg se e kanë spiunuar shokët apo është shkarkuar se ka spiunuar shokët, pasi fakti që të gjithë i ka përdorur SPAK kundër njëri-tjetrit nuk është aq shumë meritë e SPAK sa dobësia dhe idiotësia e tyre. Tani nuk mund të thuash se dikush brenda PS është i aftë të përdorë SPAK kundër dikujt tjetër, por nuk është i aftë të shmangë SPAK kur i bie atij në kokë. Pra SPAK është treguar i drejtë me paburrërinë e tyre, pasi i ka masakruar të gjithë. Dhe tani është koha të ulin kokën dhe të shikojnë me dhimbje gropat që i kanë hapur njëri-tjetrit.
Raste për t’u treguar debatues kanë pasur plot. Ky i fundit nuk ishte rasti, pasi nuk ishte tamam për Belindën, por për të gjithë ata që mund të ballafaqohen me situata të ngjashme me të. Dhe është qëndrim i iniciuar nga kryeministri i vendit, i cili në këtë rast merr edhe përgjegjësinë për një betejë më të gjerë me diplomatët apo kancelaritë perëndimore që duan të kuptojnë këtë qëndrim të ri.
Prandaj nuk ka ndonjë lajm të ri nga fronti i socialistëve sa i përket debateve brenda tyre. Thjesht e kanë kuptuar se betejat pas shpine ndaj njëri-tjetrit i kanë futur të gjithë në gropë, duke i dhënë SPAK merita që nuk ka. Ata në të vërtetë janë “heronjtë e heshtur” të SPAK. Dhe natyrisht viktima të merituara të tij.











