Për herë të parë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka folur për kërcënimet e marra në telefon, dhe që dyshohet se janë bërë nga shtetasi në kërkim Vladimir Gjuta. Në dalje nga salla e gjyqit mes tij dhe kreut të grupit parlamentar të PD Edi Paloka, Ministri Tahiri theksoi se nuk ndihet i kërcënuar.
“Nuk ndjehem i kërcënuar, policia do të bëjë punën” , u shpreh ministri i Brendshëm në lidhje me mesazhin kërcënues të Gjutës, personi i shpallur në kërkim që akuzohet se ka organizuar shpërthimet me tritol ndaj babait të ministrit në janar të këtij viti.
Deklarata e ministrit Tahiri u bë ndërsa la ambientet e Gjykatës së Lartë pas seancës së pajtimit me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka, i paditur për shpifje.
Paloka mungoi në seancë dhe u përfaqësua nga avokati i tij, ndërsa Tahiri tha se vetëm nësë deputeti demokrat Paloka do t’i kërkojë falje publike për akuzat se ka lidhje me krimin, e konkretisht me Emiljano Shullazin, i arrestuar disa herë për vepra të ndryshme penale, atëherë do tërhiqet nga padia. Por përfaqësuesi ligjor i Palokës tha në emër të tij se i qëndron akuzave dhe nuk tërhiqen.
Seanca e radhës në Gjykatën e Lartë do të mbahet më 15 Qershor









