Rreth 13.500 punonjës të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Republikës kanë afat 30 ditë për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit nëse kanë përdorur më herët aplikacionet që po tronditin botën e krimit, “SkyECC” dhe “EncroChat”.
I pyetur në konferencën e sotme për shtyp, drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku deklaroi se deri më tani nuk ka asnjë dorëheqje nga radhët e efektivëve.
“Nuk ka dorëheqje, qoftë edhe një e vetme po të jetë, do të merret vendimi për përjashtimin. Hetimet vazhdojnë.”
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit doli paraditen e së enjtes në një konferencë për shtyp me fokus në rezultatet mbi rezultatet e operacionit kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
/a.r