Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga operacioni i djeshëm në Greqi për goditjen e disa grupeve kriminale të përfshira në trafik droge në Shqipëri, Greqi e Spanjë, në atentate dhe pastrim parash.
Në dosje mësohet se përfshihen të paktën 21 persona. Siç zbulojnë mediat greke, mësohet se janë zbuluar informacione në lidhje me atentatin e 26 shkurtit 2021 në vendin e quajtur “Stacioni i Larisës” në Athinë, ku u tentua të vritet me armë zjarri shtetasi Ari Papa, 32 vjec nga fshati Dhivër i Sarandës.
Ishte ora 20.00 kur Papa ndodhej midis rrugëve “Mixail Boda” dhe “Agorakritou”, kur pasagjerët e një taksie qëlluan me armë në drejtim të tij. Papa mori dy plagë dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit ku i shpëtoi vdekjes.
Atentatorët u larguan duke kërcënuar shoferin e taksisë, por më pas e braktisën mjetin së bashku me dy pistoleta dhe sende të tjera.
Megjithatë Ari Papa u ekzekutua në 30 maj 2021, në “Sepolia” Athinë teksa pinte kafe në një lokal. Për vrasjen e tij, në mars 2023 policia arrestoi vetëm dy persona që dyshohet se kishin shërbyer si ndihmës të autorëve. Bëhet fjalë për taksistin shqiptar, 47-vjecarin Juljan Ymeri, i cili përdor edhe emrat Ervin e Beniamin dhe mbiemrat Rexhepi e Bethanov dhe një barist grek, ndërsa ekzekutori mendohet se ka ardhur nga Shqipëria.
Nuk dihet se çfarë detaje të reja kanë zbardhur komunikimet në “Sky Ecc” lidhur me atentatin e shkurtit 2021, pasi në mars 2021, policia greke tha se e kishte zbardhur atë atentat duke arrestuar 7 persona dhe shpallur 1 në kërkim për trafik droge dhe akuza të tjera, 3 prej të cilëve rezultuan se kishin rol aktiv edhe në atentatin ndaj Papës.
Media greke pa u thelluar zbuloi se 3 të dyshuarit për atentatin ndaj Papës ishin shqiptarët “Mili” 38-vjeç (nën arrest), “Dorian” 32-vjec (në kërkim) dhe “Landi” 30-vjeç (nën arrest). “Mili”, një shqiptar i rrezikshëm ishte i përfshirë dhe një ngjarjen e 20 dhjetorit 2020 ku policia greke gjeti një Kallashnikov në një makinë në Kipseli.
Përvec atentatit ndaj Papës, media greke zbulon se në komunikimet e “Sky Ecc” janë zbardhur rreth 70 raste të trafikut dhe shitjes së drogës duke përfshirë Shqipërinë, Greqinë e Spanjën. Mes personave të përfshirë në komunikime është edhe një i ri shqiptar i ekzekutuar në Shqipëri me shpërthim eksplozivi në automjetin e tij.
Në bisedat e zhvilluara gjithashtu ka dëshmi të disa anëtarëve që kanë qenë të burgosur në burgun e Koridhalos dhe që gëzonin privilegje të veçanta, madje duke arritur me ndihmën e zyrtarëve të futnin edhe gra në burgje.
Lidhur me trafikun dhe shitjen e drogës, mësohet se vlera totale e lëndës narkotike që kishte kaluar në duart e anëtarëve të këtyre grupeve kriminale arrin në 7.200.000 euro. Pastrimi kryej me kompani makinash me qira, me bileta fituese në baste dhe me sistemin Hawala.
Kush është Ari Papa?
Ari Kosta Papa, i datëlindjes 02.10.1989, nga fshati Dhiver i Sarandës, i njohur me pseudonimin “Ari vogël”, nuk rezulton të ketë fotografi as në rregjistrin e gjendjes civile të Sarandës e Finiqit, por as në sistemin TIMS. Në Shqipëri ai është një “fantazëm”, edhe pse një ish-oficer i policisë së Sarandës, i cili kërkon që identiteti i tij të mbetet i fshehtë, shprehet se: “Arin e vogël e njoh vetëm si emër, por të dhënat e mia e lidhin atë ndoshta me krime të ndodhura në Sarandë në vitet 2005-2006 ose me protagonistë banorë të Sarandës në Athinë në vitet e mëpasshme”.
Megjithatë në Greqi, Ari Papa është një person me background të pasur kriminal. Ai ishte i skeduar për trafik droge dhe grabitje, por ajo që e ngarkonte më tepër historinë e tij ishte tentativa për ta eleminuar fizikisht, edhe jo njëherë, por tre herë, aq sa ai lëvizte rrugëve të Athinës me anti-plumb. Herën e katërt, ata që e deshën të vdekur, ia arritën qëllimit. Pak minuta para se ora të shënonte 18.00 në 30 maj 2021, 32-vjeçari nga Saranda u qëllua pas shpine 8 herë me pistoletë, teksa pinte kafe në bar “Kayak” në rrugën “Dyrrahu 30” në Sepolia.
Ari Papa ishte tentuar të vritet edhe në 26.05.2019. Ai u qëllua rreth orës 20.40 me pistoletë në kofshë në vendin e quajtur “Stacioni Larisit”. U transportua menjëherë në spitalin “Georgios Gennimatas”, ku mori ndihmën e parë dhe shpëtoi nga rreziku për jetën. Gjatë kontrollit policia i gjeti në trup një sasi të vogël marijuane.
Ari Papa fillon të mbrohet, duke parandjerë se vdekja i afrohej. Në 25.02.2021 arrestohet nga policia greke në qendër të Athinës duke udhëtuar mbi një patinë elektronike. Ai mbante veshur një anti-plumb, ndërsa në brez kishte një pistoletë turke të llojit Baikal.
Çuditërisht policia e lë të lirë. Një ditë më pas, bie sërish pre e atentatorëve të tij. Aty ku u godit në 2019, pikërisht në “Stacionin e Larisit”, aty goditet përsëri në 26.02.2021. Ishte ora 20.00 kur Papa ndodhej midis rrugëve “Mixail Boda” dhe “Agorakritou”, kur pasagjerët e një taksie qëlluan me armë në drejtim të tij. Papa mori dy plagë dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit ku sërish i shpëtoi vdekjes.
Atentatorët u larguan duke kërcënuar shoferin e taksisë, por më pas e braktisën mjetin së bashku me dy pistoleta dhe sende të tjera. Papa tha për policinë se ndodhej në vendin e ngjarjes së bashku me dy shokë të tij të quajtur Orlando dhe Ani, të cilët jo vetëm që u larguan me vrap pas ngjarjes, por as e kontaktuan më pas për ta pyetur për shëndetin.
Megjithatë policia përfundoi hetimet për ngjarjen në 13 mars duke arrestuar 7 persona dhe shpallur 1 në kërkim për trafik droge dhe akuza të tjera, 3 prej të cilëve rezultuan se kishin rol aktiv edhe në atentatin ndaj Papës.
Media greke pa u thelluar zbuloi se 3 të dyshuarit për atentatin ndaj Papës ishin shqiptarët “Mili” 38-vjeç (nën arrest), “Dorian” 32-vjeç (në kërkim) dhe “Landi” 30-vjeç (nën arrest). “Mili”, një shqiptar i rrezikshëm ishte i përfshirë dhe një ngjarjen e 20 dhjetorit 2020 ku policia greke gjeti një Kallashnikov në një makinë në Kipseli.
Megjithatë policia greke e lidh veprimtarinë e Ari Papës me atentatin e parë të ndodhur ndaj tij, pikërisht në 20.07.2007, kur ai ishte vetëm 18-vjeç.
Në 20.07.2007 u krye atentati i parë ndaj Ari Papës. Ai u qëllua me armë në kryqëzimin e rrugëve “Liosion” dhe “Sozopoleus” në Athinë. Papa mbeti i plagosur së bashku me shtetasin e huaj Georgio Tarnovalinski. Për policinë greke, sarandioti Papa është i skeduar në këtë ngjarje si Aristidi Pappa.
Për atentatin e parë ndaj Ari Papës si dhe për 10 atentate të tjera dhe 11 vrasje policia greke arrestoi atëherë një grup të rrezikshëm shqiptarësh të përfshirë në historinë e përgjakshme të përplasjes e bandave shqiptare në vitet 2007-2008 në Greqi.