Në festë, por të përmbajtur. Deklarata të moderuara, mbi të gjitha kur bëhet fjalë për ta servirur hakmarrjen të ftohtë. Ndaj atyre që dyshuan dhe ngritën aludime. Fitorja e madhe 3-0 përballë Sportingut ishte përgjigjja më e mirë sipas presidentit të Skënderbeut, Ardian Takaj.
“Ajo që i ndodhi Skënderbeut në Lisbonë, i ndodhi edhe ekipit të Sportingut në Shqipëri. E patë sa e vështirë është të luash në inferioritet numerik për 70 minuta. Portugezët thonë se Sportingu u turpërua në Elbasan, por e njëjta gjë ndodhi me ne në Lisbonë, futbolli është futboll”.
Kreu i klubit foli edhe për transferimet, ku të gjithë yjet e rinj të skuadrës janë në merkato.
“Kemi lojtarë të rinj dhe me perspektivë, që janë në merkato. për disa prej tyre kemi edhe oferta konkrete. Do të shqyrtojmë ofertat deri në dhjetor dhe do të vendosim. Nuk do të bëhemi pengesë për lojtarët, përkundrazi ky është synimi ynë, të shesim elementët e rinj”.
Edhe pse te Skënderbeu kërkonin të përgjigjeshin në fushë, trajneri Josa pak kush e mendonte një sukses të këtyre përmasave ndaj gjigandëve luzitanë.
“Ishte një rezultat i pastër. Të themi të drejtën nuk e kishim menduar më parë se mund të arrinim një rezultat të tillë. Thjesht lojtarët ishin shumë të motivuar dhe të përqendruar, për të mos toleruar në asnjë moment, pasi kështu rrezikon të ndëshkohesh.
Kualifikimi? Të mos fluturojmë. Nuk mund të themi që do shkojmë të kualifikohemi. Për ne ka rëndësi të bëjmë paraqitje të mira për klubin dhe në aspektin individual”.
Njeriu i mbrëmjes ishte Sabien Lilaj, autor i dy golave për korçarët. Mesfushori nuk e fsheh kënaqësinë, ndërsa paralajmëron rivalët për titull të Partizanit.
“Zakonisht nuk shënoj dy gola, as në kampionat nuk i shënoj ndonjëherë dy gola. Nuk e prisja që kjo të ndodhte kundër Sportingut. Kam shënuar në një ndeshje të madhe dhe realisht jam shumë i gëzuar. Kampionati? Partizani na gjeti në moment jotë përshtatshëm, të lodhur psikologjikisht dhe fizikisht. Skënderbeu ka potencial dhe forcë. E treguam ndaj Sportingut dhe do e tregojmë ndaj Partizanit në fazën e dytë”.
Bernard Berisha ishte një prej lojtarëve më të spikatur në fushë, edhe pse nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës.
“Kisha shumë dëshirë të shënoja, por më rëndësi ka që fituam. Treguam vlerat reale që kemi si grup dhe një fitore me shumë vlera dhe që do të na motivojë. Skuadra e re? Këtë e di presidenti dhe menaxheri, unë dua të përqendrohem te kampionati dhe ndeshjet e Europa League”.
Besim te rezultati, që shërben si motivim për të vazhduar në rrugën e nisur. Ky ishte mesazhi i Bakary Nimaga, autorit të golit të tretë të korçarëve.
“Jam shumë i lumtur, fillimisht për skuadrën, pasi përpara startit të ndeshjes kishim besim se do t’ia dilnim. Kualifikimi? Është pak i vështirë, por ne do të vazhdojmë punën dhe më pas të shohim se çfarë ndodh”.
Supersport
https://www.youtube.com/watch?v=LNzdrcO8Tbw