Nga Ilir Mborja
Të themi atë që është: Zoti, kur na ngjizi ne shqiptarëve dhe na hodhi këtu në këtë cep të Ballkanit, u nxitua ca. Ai mbase u nis për mirë, por, pozicioni gjeografik që zgjodhi duke na vendosur mes Lindjes e Perëndimit, neve s’na doli për mbarë. Sanduiç na doli. (Tamam e ka gjetur titullin e librit të tij Mustafa Nano. Sanduiçi është ushqim ambulant dhe si i tillë ndjell oreksin e çdo kalimtari që i bie udha afër tij).
Nuk e di ç’ka bërë me të tjerët por me ne shqiptarët Zoti (Mos qofsha në gjynah!) nuk më duket se u tregua i drejtë qysh në fillim. Nuk them se u tregua cingun me njerëzit e mençur, por u tregua shumë dorëlëshuar me çerekët që jo vetëm na i fali me bollëk, por edhe na “i shiti” për gjysmakë. Ose ne jemi keqkuptuar pasi nuk e njihnim në shqip epitetin “çerek” për njerëzit me aftësi të kufizuara mendore. Në vend të saj, për të emërtuar atë kategori, ne përdorëm të pa përkthyer nga turqishtja fjalën “çyryk”. I ramë shkurt duke thënë se “çyryk” do të thotë “gjysmak”. Pra duke i barazuar me çerekët, padrejtësisht i kemi rënë në qafë edhe atyre. Të njëjtën gjë bënë edhe turqit vetë, që çerek-hënën e tyre ia shitën gjithë botës për gjysmë-hënë?! Nuk e di, këtë hile që vazhdon edhe sot e kësaj dite (dmth, të shitet çereku për gjysmë) ia mësuam ne me dyzetë sadrazemët tanë që u dhamë turqve, apo ata ne përgjatë sundimit pesë shekullor? Nejse! Kjo s’ka shumë rëndësi…
*
Çyrykllëkun (domethënë çerekllëkun) nuk e vuajnë personat që janë të tillë. Çerekët, janë mallkimi i ca njerëzve të ditur. Jo i të gjithëve në fakt, por vetëm i filologëve apo artistëve që në krijimtarinë e tyre kanë për lëndë të parë gjuhën (fjalën). Ata janë përgjithësisht të ekspozuar nga goditjet e pamëshirshme, sepse janë prehë e gjykimit të të gjithë çerekëve e gjysmakëve që kanë mundësinë t’i lexojnë. Pa përjashtim, historianë e shkrimtarë janë krejt të paimunizuar nga “gjykimet” e kujtdo prej atyre që arrijnë dhe e marrin sinjalin nga gjuha e shkruar e veprës së tyre. Kjo gjë nuk ndodh me shkencëtarët që konkludojnë me shifra dhe formula apo me artistët që, ndryshe nga shkrimtarët, nuk kanë për objekt fjalën, por tingujt apo ngjyrat… Pra, nuk kemi vënë re, që për studime (ta zemë në fushën e fizikës) apo krijime artistike (si psh, për një rapsodi muzikore) të përfshihen në diskutime e debate njerëz jashtë fushës. Kujtojmë se Noli, studimin e tij “Bethoveni dhe revolucioni francez”, por edhe “Historinë e heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeut” nuk guxoi t’i shkruajë pa synuar më parë diplomimin nga Harvardi. Edhe në të gjithë veprën e shkruar të Nolit që nuk ka lidhje me Skënderbeun, sa herë bie fjala për ata shqiptarë që ne sot (shkujdesshëm) i quajmë “myslimanë”, tek ai nuk e gjen në asnjë rast këtë. Asnjëherë nuk i quan “myslimanë”. Noli për shqiptarët përdor vetëm cilësorin “muhamedanë”, dmth, si njerëz që kanë përqafuar fenë e Muhamedit. Pra, sipas tij, tek ne shqiptarët ndryshimi midis një muhamedani dhe një myslimani, është substancial. Ç’them dhe unë?! Po duan t’ia dinë çerekët tanë për korifenjtë e kuturës?!
*
Sot, në debatet për temat që kanë lidhje me historinë apo letërsinë, nuk ndodh kështu. Çerekët, të pozicionuar si “kritikë” të historiografisë pushtojnë ekranet e televizioneve. Organizatorët shpesh ftojnë të përballen me ta edhe historianë e autorë seriozë me vepra. Fatkeqësisht, në më të shumtën e rasteve, njerëz gjysmë apo çerekë të kulturuar, studio më studio, nuk i lënë radhë profesionistëve të fushës të thonë fjalën e tyre. Sa më injorantë, aq më me iniciativë, aq me më guxim lëshohet budallallëku. Sa më deficitar kulturalisht, aq më i vrullshëm e i papërmbajtur në debat i ftuari në studion televizive. Konkretisht, debatet e kohëve të fundit për Skënderbeun dhe myslimanizmin shqiptar, qenë shembulli më i shëmtuar i marrëzisë që çuditërisht mediet tona i dhanë hapësirë pa asnjë përzgjedhje. Pasi u bënë bashkë dy çerekë e një gjysmak kundër Skënderbeut, etnogjenezës shqiptare, etj, përsëri bashkë për mbrojtjen e Prek Calit. Hape po ta mbajti televizorin! Hape! Hape të dëgjosh imamin të shpjegojë pse vesh atlete kryeministri ynë! (Mos u huto! Nuk është politikan i opozitës, por “njeriu që merret me punët e Zotit”) Hape! Hape e të marrësh vesh se Skënderbeu ishte një kaçak inatçor e Prek Cali ka qenë filozof si Dyringu!.. Nëse profesionisti në studio habitet nga këto artikulime të debatuesit që ka përballë, atëherë, ai çerek hoxha, çerek shkenctari e gjysmë kanadezi është i detyruar t’i kujtojë se ka të bëjë me një: “akademik”?! “Po, po. Madje, një akademik që ka lexuar më shumë libra se ty.” Në fakt, atij i vjen rëndë ta thotë se nuk do që të mburret, por, më në fund, për të mbështetur tezën e tij, detyrohet të tregojë se “ka edhe pasaportë kanadeze” është edhe mysliman (me çerek hënë dmth) edhe kanadez me “gjethe rrapi”… Prandaj është e kotë që ta zgjasësh me Olsi Jazenxhiun, veç në qofsh “gdhë” si Moikom Zeqo apo naiv si Pëllumb Xhufi që u çudit nga pyetja asgjësuese e tij: “A na jep ndonjë lek Skënderbeu?”… Kurse një çerek tjetër në një studio tjetër, po guxove ta kundërshtosh për antikomunizmit “ideologjik” të Prekës, ai të tregon aty për aty se ke të bësh me një “profesor universiteti”. Ndërsa për çereken tjetër që rri në krah të tij dhe këput veç broçkulla sa herë hap gojën, të gjithë e dinë se paguhet për të qenë në ballë të një OJQ-je me famë. Është ajo që, megjithëse e di shumë mirë se ne shqiptarët “jemi egërsira të kriminalizuara gjer në palcë” nga ai kodosh “komunizmi”, përpiqet sinqerisht të mbrojë të drejtat tona shtazore. Kur dikush me naivitet ve në dyshim hajdutllëkun tonë apo shtron pyetjen idiote: “Shqiptarët kriminelë – mit apo realitet?”, ajo nervozohet shumë. Bishë bëhet dhe i bën kakën të drejtave tona njerëzore… Ajo është Elca Ballauri dhe krejt e pabërballueshme në debat po të mos jesh pak a shumë me çerek truri si ajo. Por një veti e çuditshme e këtyre çerekëve është se zgjedhin të përballen me më të fortët, të vdekur a të gjallë qofshin. Psh, kur vjen puna për ndërmarrjen e tyre në “çmitizimin” e Skënderbeut, historibërësit tanë çerekë, nga shqiptarët preferojnë të përballen më të fortët. Edhe me studiuesit e huaj, si çerekë që janë, preferojnë të përdorin çerekun e tyre dhe të interpretojnë çerekë – çerekë të gjithë dokumentat e shkruara nga ata… Për dokumentet e mbledhura dhe të sistemuara me korrektesë shkencore nga Virgjil Kule në librin e tij “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Kryqtari i fundit” as që duan t’ia dinë. I mjafton dhe i tepron çereku i çerekut me emrin Oliver Schmitt. Këtë të bëjnë çerekët: Të kesh frikë të hapësh televizorin. Datën të kallin…
*
Vetëm çerekët guxojnë të na bëjnë “shpjegimin” e historisë së largët, kur s’kishte as kombe e as shqiptarë por vetëm osmanllinj me një çerek hëne që vinin vërdallë kështjellës së Krujës. Vinin vetë aty, se aty ishte Skënderbeu dhe ata nuk donin ta mundonin atë që të vente ai gjer në Anadoll për t’u prerë kokat. (Hajde thuaj po deshe se nuk ishin të mirë osmanllinjtë dhe nuk kanë të drejtë çerekët!) Po Zoti na fali këta çerekë që ju përmenda që, pas faljes së namazit të Kurban Bajramit të fundit, të buçitnin ekranet e gazetat dhe ne të merrnin vesh nga Olsi se ç’ka thënë Aleksadër Dyma për Skënderbeun dhe ne “hajdutët shqiptarë”?
Ndërsa neve, kur bashkë me pozicionin “sanduiç” mes Lindjes e Perëndimit na fali edhe strategun e lirisë, vendeve të Europës Perëndimore në atë kohë Zoti i rezervoi një tjetër dhuratë: Kruasanin. U shtiu ndërmend që ta luftonin virtualisht Perandorinë Osmane duke ngrënë kruasan. Sa herë që i gatuanin ato, amvisat e Vjenës psh, bënin kujdes që t’i jepnin brumit formën e çerek-hënës. Prandaj “crois-sants” afërsisht mund të përkthehet me “pa kryq” dhe e ruan edhe sot e kësaj dite atë formë. E tregova këtë shembull për t’u thënë çerekëve tanë se, ata mund ta mundin Skëndërbeun, aq sa dëmtoheshin osmanët kur austriakët hanin kruasanë. Prandaj edhe Zoti nuk harron të na dhurojë çerekë në çdo kohë me bujari: Që ne shqiptarët të mos harrojmë kurrë se, kur Zoti na fali ne një Skënderbe, të tjerëve u dhuronte kruasanin si çerek hënë…