The New York Times analizon mënyrën se si Irani po përballet me presionin e Shteteve të Bashkuara dhe kërcënimin e një konflikti të mundshëm ushtarak.
Artikulli tregon ngritjen e Ali Larijani-t, zyrtari më i lartë i sigurisë kombëtare, që ka marrë një rol vendimtar në qeverisje dhe menaxhimin e krizave, duke përfshirë shtypjen e protestave, marrëdhëniet me aleatët si Rusia dhe Katari, si dhe negociatat bërthamore me Washingtonin.

Që atëherë, Larijani, 67 vjeç, ish-komandant i Gardës Revolucionare dhe aktualisht kreu i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, ka marrë drejtimin praktik të vendit. Rritja e tij ka lënë në hije presidentin Masoud Pezeshkian, një kirurg zemre që u kthye në politikan, i cili ka kaluar një vit të vështirë në detyrë dhe vazhdon të përsërisë publikisht deklaratën:
Jam mjek, jo politikan, askush të mos presë që unë të zgjidh problemet e shumta të Iranit.
Sipas intervistave të The New York Times me gjashtë zyrtarë të lartë iranianë, tre anëtarë të Gardës Revolucionare dhe dy ish-diplomatë iranianë, Larijani ka marrë përgjegjësi të shumta.
Ai ka udhëhequr shtypjen e protestave me forcë të dhunshme, ka mbajtur nën kontroll çdo pakënaqësi brenda vendit, ka koordinuar marrëdhëniet me aleatë të fuqishëm si Rusia dhe aktorë rajonalë si Katari dhe Oman, dhe ka mbikëqyrur negociatat bërthamore me Washingtonin. Një pjesë e madhe e punës së tij ka qenë edhe përgatitja e vendit për një luftë të mundshme me SHBA-të, ndërsa forcat amerikane grumbullohen në rajon.

“Jemi gati në vendin tonë”, tha Larijani gjatë një interviste për Al Jazeera në Doha, kryeqytetin e Katarit.
“Jemi më të fuqishëm se më parë. Gjatë 7-8 muajve të fundit kemi gjetur dobësitë tona dhe i kemi përmirësuar. Nuk kërkojmë luftë dhe nuk do ta fillojmë ne, por nëse ajo na detyrohet, do të përgjigjemi”, shtoi ai.
Khamenei i ka deleguar Larijani-t dhe një grupi të ngushtë besnikësh përgjegjësi të mëdha për të siguruar mbijetesën e Republikës Islamike, përveç sulmeve nga SHBA-të dhe Izraeli, duke përfshirë edhe çdo tentativë atentati ndaj vetë udhëheqësit suprem. Ky grup përfshin këshilltarë ushtarakë të lartë dhe zyrtarë të tjerë të afërt, të cilët do të marrin vendime në rast se komunikimi me Khamenein ndërpritet ose ai vritet.
Larijani vjen nga një familje elitare politike dhe fetare. Ai ka qenë 12 pjesë e Parlamentit dhe në 2021-in u ngarkua me negociatat për një marrëveshje strategjike 25-vjeçare me Kinën, me vlerë miliarda dollarë.
Sipas zyrtarëve dhe anëtarëve të Gardës, Khamenei ka emëruar katër shtresa pasuesish për çdo komandë ushtarake dhe pozita qeveritare që ai personalisht emëron. Ai gjithashtu ka kërkuar që çdo udhëheqës të emërojë deri në katër zëvendës dhe ka deleguar përgjegjësi te një grup i ngushtë besnikësh për të marrë vendime emergjente.
Gjatë luftës me Izraelin në qershor, Khamenei emëroi tre kandidatë të mundshëm për pasardhës, por ata nuk janë identifikuar publikisht. Larijani nuk është pjesë e këtyre kandidatëve, pasi nuk është një klerik i lartë shiit, një kriter bazik për pasuesin e mundshëm.
Megjithatë, ai është pjesë e rrethit të ngushtë besnik të Khamenei-t, së bashku me këshilltarin e tij kryesor ushtarak, ish-komandantin e Gardës, Maj. Gj. Yahya Rahim Safavi, dhe Brig. Gj. Mohammad Bagher Ghalibaf, ish-komandant i Gardës, i caktuar nga Khamenei si zëvendësi i tij de facto për komandimin e forcave të armatosura gjatë luftës.

Larijani ka marrë edhe detyrën e sekretarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Khamenei ka krijuar një Këshill të Ri të Mbrojtjes Kombëtare, i udhëhequr nga Ali Shamkhani, për të menaxhuar çështjet ushtarake gjatë kohës së luftës.
Irani funksionon mbi parimin se sulmet ushtarake amerikane janë të pashmangshme dhe të afërta.
Forcat e armatosura janë në gjendje gatishmërie të lartë. Vendosja e raketave balistike në kufirin perëndimor me Irakun, pranë Izraelit, dhe përgjatë bregdetit të Gjirit Persik, brenda shtrirjes së bazave amerikane, është pjesë e përgatitjeve. Shteti ka kryer teste raketash dhe ushtrime ushtarake, përfshirë mbylljen e përkohshme të Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për energjinë globale.

Në publik, Khamenei ka mbajtur një qëndrim sfidues, duke paralajmëruar se ushtria më e fuqishme në botë mund të marrë një “goditje” nga e cila nuk do të ngrihet lehtësisht, dhe ka kërcënuar të fundosë anijet luftarake amerikane në ujërat përreth.
Ekspertët thonë se Khamenei po shpërndan pushtet te besnikët e tij dhe po përgatit shtetin për ngjarjet e mëdha të ardhshme, duke përfshirë luftën dhe pasardhësinë e mundshme pas saj.











