Brenda 7 muajve, përkatësisht prej nëntorit dhe deri në maj të 2017-s, ish-ushtarakët e prekur nga Akti Normativ do të kenë mundësi të marrin me këste paratë që u janë mbajtur gjatë 6 viteve. Përveç faljes së detyrimeve të pambledhura, Qeveria mori përsipër që të kthejë çdo qindarkë të arkëtuar deri më tani sërish në xhepat e pensionistëve. Drejtoresha e Përfitimeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Solida Dibra, thotë për gazetën se evidentimi i çdo detyrimi të paguar do të kryhet nga ISSH dhe se ushtarakët nuk do të kenë asnjë detyrim për t’u paraqitur.
Në fund të nëntorit, ata bashkë me pensionin do të përfitojnë edhe shtesën. Janë rreth 1.5 milionë dollarë që do të ndahen brenda këtij viti. Në intervistën dhënë për gazetën, Dibra sqaron edhe kategoritë e ushtarakëve që do t’i nënshtrohen rillogaritjes. Bëhet fjalë për ata të cilët i shpë- tuan Aktit Normativ të 2010-s. “Këta persona, të cilëve nuk iu është rillogaritur pensioni dhe janë përfitues nga sistemi i sigurimeve suplementare, e gjithashtu edhe strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri në datën 31.10.2016, duhet të paraqesin në ISSH ‘Vërtetim për vjetërsinë në shërbim dhe pagën mesatare neto referuese’ me qëllim realizimin e rillogaritjes”, shprehet Dibra.
Për dorëzimin e këtyre dy dokumenteve, pensionistët do të kenë afat deri në fund të muajit. Vendimi i Qeverisë parashikon penalitete për ata që nuk paraqiten në kohë, pasi deri në plotësimin e dosjes pensioni që do të përfitojnë do të jetë minimal.
Qeveria miratoi në mbledhjen e fundit vendimin për faljen e debive të ish-ushtarakëve. Cilat janë kategoritë që preken nga ky vendim?
Në qershor të këtij viti hyri në fuqi ligji nr. 46/2016, datë 28.04.2016, “Për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare, nga rillogaritja e pensioneve, në zbatim të ligjit nr. 10 142, datë 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në RSH”.
Në zbatim të këtij ligji, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, të cilët kanë qenë njëkohësisht edhe iniciatorët dhe promotorët e ligjit, Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën edhe vendimin për zbatimin e këtij ligji. Subjekte përfituese, sipas këtij vendimi, do të jenë të gjithë ushtarakët në pension të parakohshëm, të cilëve iu është rillogaritur pensioni sipas dispozitave të ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar me ligjin nr. 10367, datë 23.12.2010, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit nr. 5, datë 10.11.2010” deri në datë 31.05.2016 dhe nga kjo rillogaritje kanë rezultuar debitorë për pensionin e tërhequr nga data 01.07.2009 e deri në momentin e rillogaritjes.
Në zbatim të nenit 1, të ligjit nr. 46/2016, datë 28.04.2016, këtyre ushtarakëve iu falen të gjitha detyrimet e llogaritura dhe të papaguara, si dhe shumat e detyrimeve të krijuara nga rillogaritja e pensioneve, e të paguara nga personat përfitues, në harkun kohor dhjetor 2010 deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, iu kthehen brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Në vendim thuhet se kthimi i parave do të bëhet duke nisur nga muaji nëntor. Si do të jetë procedura e rillogaritjes së pensioneve dhe sa kohë do të duhet për shlyerjen e plotë të detyrimeve të arkëtuara?
Që nga muaji qershor i këtij viti, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka filluar zbatimin e ligjit 46/2016, datë 28.04.2016, duke i hequr çdo ushtaraku, të cilit i mbahej detyrim i rezultuar nga rillogaritja, ndalesën debitore. Kështu, nga data 1 qershor, të gjithë ushtarakët që kanë qenë debitorë për shkak të rillogaritjes, përfitojnë pensionin e parakohshëm apo atë suplementar si ushtarak, në masën e plotë, pa ndalesë. Me miratimin e këtij Vendimi të Këshillit të Ministrave, do të fillojë menjëherë vënia në zbatim e procedurave për kthimin e shumave të detyrimeve të mbajtura, të cilat ishin krijuar nga rillogaritja e përfitimeve.
Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, brenda pesë muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të evidentojë të gjitha shumat e detyrimeve që janë paguar nga personat përfitues, në harkun kohor dhjetor 2010 deri më 30.4.2016, do të shpallë kreditorët dhe të njoftojë personat e interesuar. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka marrë të gjitha masat për kryerjen e menjëhershme të këtyre procedurave, me qëllim që, duke filluar nga muaji nëntor, të fillojë të aplikohet kthimi i shumave.
Meqenëse sistemi i pagesës së përfitimeve të detyrueshme dhe suplementare tashmë është i informatizuar, dhe pagesat kryhen online, janë marrë të gjitha masat që veprimet të kryhen njëkohësisht, për të gjithë ushtarakët e evidentuar si kreditorë. Shumat e detyrimeve të krijuara nga rillogaritja e përfitimeve suplementare, që janë paguar, do t’i kthehen çdo kreditori të shpallur, në këste të barabarta, në periudhën nëntor 2016-maj 2017. Pra, çdo ushtarak, i cili do të deklarohet kreditor, bashkë me pensionin mujor, do të marrë edhe këstin shtesë të kredisë së rezultuar, për periudhën nëntor 2016– maj 2017.
Çfarë dokumentesh duhet të sjellin ish-ushtarakët për të përfituar nga falja?
Për realizimin e procedurave të faljes dhe të kthimit të shumave të paguara, ushtarakët në pension të parakohshëm e pension pleqërie, të cilëve iu është rillogaritur pensioni, nuk kanë detyrimin për të paraqitur ndonjë dokument. Të gjitha veprimet proceduriale do të kryhen nga vetë strukturat e sigurimeve shoqërore, të cilat disponojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për përcaktimin e shumave kreditore.
Brenda muajit tetor 2016, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të dërgojë pranë strukturave përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme listat emërore të përditësuara të personave, të cilëve duhet t’iu plotësohet dokumentacioni, si dhe, në bashkëpunim me Postën Shqiptare, do të njoftojë individualisht çdo ushtarak, të cilit akoma nuk i është rillogaritur pensioni, por ndërkohë, nga muaji qershor, kur ligji hyri në fuqi e në vijim, strukturat e sigurimeve shoqërore kanë bashkëpunuar ngushtë me strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme për plotësimin e dokumentacionit për rastet, të cilat nuk janë rillogaritur akoma dhe numri i kësaj kategorie është ulur ndjeshëm.
Këta persona, të cilëve nuk iu është rillogaritur pensioni dhe janë përfitues nga sistemi i sigurimeve suplementare, e gjithashtu edhe strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri në datën 31.10.2016 duhet të paraqesin në Institutin e Sigurimeve Shoqërore modelarin 03 “Vërtetim për vjetërsinë në shërbim dhe pagën mesatare neto referuese” me qëllim realizimin e rillogaritjes.
Është me rëndësi plotësimi në kohë i këtij dokumentacioni, pasi, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave, pas kësaj date, bazuar edhe në nenin 4, të ligjit nr.46/ 2016, detyrimet e llogaritura me efekt financiar nga data 1.7.2009 e në vazhdim nuk falen, ndërkohë që deri në plotësimin e dokumentacionit, përfitimi mujor përllogaritet në nivelin e pensionit minimal në shkallë vendi, sipas përcaktimeve të vendimit nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
Pas këtij vendimi, a ndryshon skema e pensioneve të ushtarakëve?
Ky vendim i Këshillit të Ministrave nuk prek skemën e pensioneve të ushtarakëve, por rregullon një situatë problematike të krijuar gjatë viteve 2011–2016, e cila ka ndikuar negativisht në buxhetin familjar të një ushtaraku në pension të parakohshëm, për shkak të efektit prapaveprues të ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar me ligjin nr. 10367, datë 23.12.2010, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit nr. 5, datë 10.11.2010”.
Si ndahen kategoritë, sipas shumave të përfitimit, dhe sa është kostoja totale e këtij vendimi?
Sipas të dhënave të sistemit informatik të përfitimeve dhe përpunimit të dosjeve nga strukturat rajonale të sigurimeve shoqërore, janë gjithsej rreth 5500 ushtarakë debitorë. Gjatë periudhës 2010-2015 janë shlyer 369 milionë lekë, të cilat do t’u kthehen ushtarakëve me këste të barabarta mujore. Për vitin 2016 (periudhën nëntor-dhjetor) është parashikuar lëvrimi i 180 milionë lekëve, që do të përballohen nga fondi i miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore, ndërsa për vitin 2017, në buxhetin e sigurimeve shoqërore për këtë qëllim do të parashikohen edhe 189 milionë lekë për të përfunduar shlyerjen e plotë deri në maj të vitit 2017.
ma.me