Në mbledhjen e kësaj të marte, 3 mars, të Komisionit për Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Ushqimin, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, raportoi mbi ecurinë e skemave kombëtare të mbështetjes për fermerët, duke paralajmëruar ndryshime të rëndësishme në favor të blegtorisë, bletarisë, akuakulturës dhe sigurisë ushqimore.
Gjatë fjalës së tij, ministri bëri të ditur se në muajt janar-shkurt janë zhvilluar 23 takime dëgjimore në 12 qarqet e vendit, me pjesëmarrjen e fermerëve, blegtorëve, bletarëve, përpunuesve dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor.
Unë dua të them që gjatë vitit 2025 ne kemi pasur rreth 5.5 miliardë lekë dhe mbi 65.000 përfitues të aplikimeve në tërësi nga të gjithë fermerët, ku ka pasur një rezultat në rritje në disa nga sektorët e rëndësishëm.
Me kërkesat e fermerëve, kryesisht gjatë gjithë këtyre takimeve, ne së bashku me stafin kemi arritur të marrim të gjithë informacionin që na duhet për të bërë disa ndryshime në raport me buxhetin, i cili është akorduar tashmë nga qeveria shqiptare, dhe me atë çfarë ne duhet të ndryshojmë në raport me kërkesat e tyre, kryesisht në blegtori dhe bletari, që janë ndër sektorët për të cilët fermerët na kanë bërë kërkesa në terren për të pasur një vëmendje të shtuar.”, tha Salla, duke shtuar se sugjerimet e marra nga terreni do të reflektohen në skemën e re kombëtare që pritet të miratohet brenda javës së ardhshme.
Duke u ndalur tek bletaria, ministri Salla tha se nga rreth 300 mijë koshere në vitin 2020, Shqipëria ka arritur në mbi 600 mijë koshere në vitin 2025. Objektivi i qeverisë është që deri në vitin 2027 të arrihet në 1 milion koshere.
“Fermerët na kanë kërkuar që nga 1.000 lekë për koshere ta kalojmë në 2.000 lekë. Është një kërkesë e tyre, në mënyrë që përveç ndryshimit të raportit të matrikullimit për të pasur një informacion më të detajuar rreth këtij sektori të rëndësishëm, jetik dhe delikat, sepse nëse në sektorë të tjerë me tokën mund të vazhdojmë të ndryshojmë kategorinë e përpunimit apo të mbjelljes, në këtë aspekt kemi të bëjmë me një sektor që lidhet drejtpërdrejt me jetën e kolonive.
Nëse një nga fermerët apo bletarët e shet ose e humbet një koshere, nuk mund ta përsërisë apo ta rikthejë menjëherë. Prandaj ne kemi pasur një reflektim ndaj këtij sektori për ta ndihmuar dhe për ta çuar në një dyfishim të bletarisë, pra të koshereve, duke e mbështetur në masën e dyfishtë krahasuar me vitin 2025.
Ne këtu duhet të arrijmë që deri në 2027 të shkojmë në 1 milion koshere. Përveç këtij dyfishimi, duhet të themi që për çdo kilogram që ata do të jenë pranë tregut do të kalojnë në masën 10% të autofaturave që ata do të marrin për shitjen e çdo produkti të tyre. Pra është një nga mundësitë e mira që do të jetë në një proces përfundimtar për të mbyllur një hallkë të zinxhirit të skemave tona kombëtare.”, tha ai mes te tjerash.
Në blegtori, ministri premtoi një mbështetje ndaj blegorëve të rinj në një masë prej 7-10 mijë euro.
“Ne kemi menduar që në një masë prej 7 – 10.000 euro t’i ndihmojmë nëpërmjet sektorit të blegtorisë, në mënyrë që të kemi një rritje të numrit, por edhe t’u ofrojmë të rinjve një mundësi në këtë sektor që duhet ta rrisim dhe ku duhet të kemi një vëmendje të shtuar për rritjen e numrit të blegtorisë.”, tha Salla.
Ndërsa sa i takon sigurisë ushqimore, fermerët kanë kërkuar rritjen e mbështetjes për mbrojtjen biologjike në sera nga 50% në 70% të vlerës së faturave tatimore. Ministri theksoi se kjo masë do të ndihmojë në rritjen e cilësisë dhe sigurisë së produkteve, si për tregun vendas ashtu edhe për eksport.
Vetëm vitin e kaluar, ai tha se nga serat në Shqipëri janë eksportuar mbi 330 mijë ton produkte. Sipas ministrit, rritja e përdorimit të mbrojtjes biologjike synon ta çojë këtë sektor në 30-40% të sipërfaqes totale të mbjelljeve: “Pra ne sot kemi një masë prej 10% në total në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe me 70% të mbështetjes që na kanë kërkuar fermerët duam që ta rrisim në 30 deri në 40% të vlerës totale të mbjelljeve në mbrojtjen biologjike.”
Në skemën e re parashikohet mbështetje e zgjeruar edhe për akuakulturën, si në det ashtu edhe në ujërat e brendshme. Aktorët e sektorit kanë kërkuar masa të reja mbështetëse, përveç subvencionimit të naftës për peshkim, për të nxitur investimet dhe prodhimin vendas.
“Së katërti, akuakultura, ku aktorët kërkuan vazhdimin e mbështetjes për akuakulturën detare në skemën e investimeve, si një nevojë e domosdoshme për të hapur mundësi për investime në akuakulturë dhe në ujërat e brendshme aty ku ka potencial.
Çfarë do të thotë kjo? Që ne edhe në ato liqene të brendshme me ujëra të ëmbla që kemi, duhet të mbështesim akuakulturën në të gjithë sektorin e peshkimit. Ata kanë kërkuar që ne të kalojmë në një masë të re mbështetjeje në akuakulturë, përveç naftës që marrin për daljen në det për peshkim, por të kalojnë edhe nëpërmjet akuakulturës apo mbështetjes që ne u japim zonave që prodhojnë rasate, si dhe mbështetjes që duhet t’i japim këtij sektori, për të cilin jemi duke reflektuar për të hapur një masë të re mbështetjeje ndaj sektorit të akuakulturës.”, tha ministri.
Salla tha se mbi 800 projekte me grant 50% janë në proces shqyrtimi pranë Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), me një buxhet rreth 3 miliardë lekë: “Kemi edhe dy masa në paketën e parë të investimeve me grant 50%, ku mbi 800 projekte janë kaluar në aplikim pranë AZHBR-së, me një buxhet afërsisht 3 miliardë lekë. Disa projekte po vazhdojnë të rishikohen, në mënyrë që të kalojmë në mbështetjen e drejtpërdrejtë të të gjitha këtyre aplikimeve që janë bërë pranë AZHBR-së për investime dhe mbështetje në të gjithë sektorët që kanë aplikuar, rreth mbi 801 projekte. Pra kjo lidhet me një mbështetje që ne çdo vit e rrisim nëpërmjet kërkesave të fermerëve, në mënyrë që besueshmëria dhe mbështetja e tyre të jenë të vazhdueshme edhe përmes buxhetit që rritet nga qeveria shqiptare.”
Lista e re e përfituesve pritet të publikohet në ditët në vijim.











