Nga Armando META
SPECIALE JAVANEWS.AL/ A mund ta rrezikojë “Lëvizja Patozi” fronin e Bashës në krye të PD-së? Nëse shikon pak me lupë mënyrën se si funksionon PD, dilemat për një rezultat pozitiv të kësaj lëvizje janë të mëdha. Kjo, sepse PD më shumë funksionon si frymë dhe jo si një parti e ndërtuar strukturalisht. E tillë është vetëm në letër. Mbajtja me qëllim e strukturave të dobëta ka qenë një rregull politik i pashkruar nga Berisha, rrugull i cili ka mbajtur larg çdo aspirant për ta konkuruar atë politikisht brenda partisë, qoftë nga kandidatë që ai i vetë i emëronte në garën përballë tij për kryetar të PD duke filluar nga Pjetër Arbnori e Uran Butka, apo qoftë edhe nga sfida që kërkoi t’i bënte Genc Pollo në postin e kryetarit në vitin 2001, garë në të cilën ky i fundit u detyrua të tërhiqej duke parë se lista e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar që zgjidhnin kryetarin ishte një ‘mish- mash’, ku më shumë kishte delegatë me të drejtë vote se sa realisht ishin anëtarë të Kuvendit. Në gjurmët e kësaj skeme duket se ka ecur dhe Basha. Konfirmim i strukrave të dobëta e lehtësisht të cënueshme u pa edhe në zgjedhjet vendore dhe ato të përgjithshme të 4 viteve të fundit, ku PD çaloi dukshëm në organizim për shkak të këtyre strukturave, shkruan javanews.al.
Qëllimet e “Lëvizjes Patozit” vs. ‘status quo’-s së Bashës
Fillimisht Patozi tentoi të sfidonte Bashën për postin e kryetarit të PD-së me 22 korrik të 2017, një muaj pas humbjes së thellë që pësoi PD në zgjedhjet e përgjithshme. Por edhe Patozi, ashtu si dhe Pollo, u tërhoq nga ideja për t’u përballur me Bashën mbi bazën e 3 argumentave që Patozi bëri publike: 1- Gara ishte e pabarabartë, pasi Basha duhej të kishte dhënë dorëheqje të menjëhershme pas humbjes në zgjedhje; 2- Nuk kishte akses te listat e anëtarësisë me argumentin se kishte rrezik të binin në dorë të kundërshtarit; 3- Data ishte taksative, 22 korriku për të mos u dhënë mundësi kandidatëve për garë.
“Të treja këto ishin kushtet minimale. Unë e dija që ai do ishte i avantazhuar, sepse vinte nga pozicioni i kryetarit”, tha Patozi duke arsyetuar msëfutjen në garë.
Ndonëse Basha e kishte thuajse të sigurtë zgjedhjen si kryetar i PD përballë Eduard Selamit që vendosi ta sfidojë, sërish frika nga mungesa e një rezultati të sigurtë bëri që votimi për kryetar të PD, në shumë degë të ishte i manipuluar, gjë që cënoi rëndë integritetin e procesit. Videot e falsifikimit të votimit në zgjedhjet brenda PD kanë bërë xhiro në rrjetet sociale, shkruan javanews.al.
Pas zgjedhjes si kryetar Basha nxitoi të deklaronte se do të punonte fort për bashkimin e PD-së. Por e vetmja ‘punë e fortë’ në mund të quhet e tillë, ishte nxitimi për të bërë koalicion me LSI. Vetë Patozi në fillim të Marsit të 2018 u detyrua të pranonte se “nuk po bëhet as përpjekja minimale për ta bashkuar partinë, dhe ky është një fenomen, që fillon në Tiranë dhe mbaron në fshatin më të largët të Shqipërisë. “Nga ana tjetër Partia Demokratike gjendet në një krizë të fortë përfaqësimi dhe idesh, e cila shprehet në të gjithë performancën negative të saj, sidomos në vitin e fundit. Në këto rrethana, e vetmja rrugë është aktivizimi i të gjitha kapaciteteve të Partisë Demokratike, në funksion të një reformimi të thellë të saj”, deklaroi Patozi.
Por edhe Basha vendosi të reagojë në stilin e tij politik, pa u marrë fare me thelbin e problemit, duke i bërë thirrje Patozit “distancohu nga krimi dhe kriminelët, si dhe nga të korruptuarit”.
“Lëvizja Patozi” dhe difektet e saj që në pikënisje
Astrit Patozi ka një përvojë të gjatë si në nivel politik ashtu edhe në drejtimin e kësaj force politike në planin parlamentar dhe elektoral. Por edhe ai s’ka mundur t’i shpëtojë klisheve politike të ish kundërshtarëve të tjerë të kryetarëve të PD me platformat e “bashkimit të të gjithë demokratëve”, “ringjalljen e shpresës”, “ringritjen e PD” etj. etj. Nga ana tjetër lëvizjes së tij, përveç Bodes, Rulit deri diku, nuk i janë bashkuar publikisht ende edhe disa ish figura të PD si Imami dhe Topalli, të cilët ndonëse janë kritik ndaj Bashës nuk janë të prirur që krisjet brenda PD të jenë aq të forta sa ta ‘thyejnë atë’.
“E kam takuar Patozin. Kam komunikuar me të. Nuk e quaj zgjidhje partinë e re. Kam pikëpamjet e mia. Nuk e di çfarë ndodh në PD. Bashkimi mund të bëhet në dhe nëpërmjet PD-së. Kemi ide të afërta, shumë të afërta, por nuk do të thotë të krijohet patjetër një institucion. ” – deklaroi pak ditë më parë Imami, një qëndrim ky që shpreh dhe një distancë me idetë më radikale që ka Patozi.
Që PD këto vitet e fundit është në pikën e saj më të ulët kjo nuk do shumë mend për ta kuptuar. Por dhe përdorimi i klisheve për të larguar kryetarin e partisë si shkaktarin kryesor të kësaj situate nuk është se janë favorizuese.
Në platformën e Patozit nuk gjen ndonjë gjë thelbësore që ka të bëjë jo vetëm me funksionimin e PD, por edhe me boshtin e saj strategjik si forcë pro perëndimore. Praktikisht PD është në pikën më të ulët në raport me komunitetin ndërkombëtarë konkretisht me SHBA dhe BE. Lëvizja nga aksi strategjik i aleancës pro perëndimore të PD nuk gjen pasqyrim në platformën Patozi apo edhe të kundërshtarëve ndaj udhëheqësisë së PD.
“Konspiracioni i madh u zbulua. Edhe të korruptuarit me pasaportë të huaj së shpejti do të japin llogari”, deklaronte Basha nga çadra e PD duke sfiduar ndërkombëtarët e duke i cilësuar si broçkulla deklaratat e tyre. ”Bullshit, bullshit, bullshit, broçkullat mbaji për vete”,-ishte thirrja e Bashës pas takimit me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini. Nga ana tjetër edhe qëndrimi ndaj zyrtarëve të lartë amerikanë sa i përket reformës në drejtësi, ku nga njëra anë Basha u përbetohej se do votonte reformën dhe nga ana tjetër sa iknin ata nga Tirana mohonte t’u kishte dhënë fjalën për këtë, natyrshëm sollën edhe një ftohje të thellë mes PD dhe SHBA.
“Basha tha se opozita kishte vendosur mbi tavolinë një propozim të vlefshëm. I thashë Z. Basha se propozimi i tij ishte i papranueshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe se tregon që ka thyer zotimin e tij ditën e dielë ndaj Ambasadores Nuland”, ishte qëndrim i zyrtar i SHBA, duke e nxjerrë Bashën një gënjeshtar klasik.
Por ‘qershia mbi tortë’ është edhe vota kundër e PD në Parlamentin Europian që Shqipëria të niste hapjen e bisedimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat. Grekët dhe serbët votuan pro, PD votoi kundër.
Kthimi i PD në aksin strategjik si një forcë pro perëndimore, përtej thjeshtë ambicies për pushtet, duket se është kthyer në emergjencë jo vetëm për këtë parti, por edhe për Shqipërinë, pasi interesat personale politike të Bashës duket se kanë futur PD në një rrugë pa krye dhe të ekspozuar ndaj ndikimit rus në Ballkan. Mediat investiguese amerikane duket qartazi se kanë kapur fillin e kësaj çështje rreth ndikmeve të Kremlinit tek PD. Asgjë nuk gjen në platformën “Patozi” dhe të mbështetësve të tij rreth faktit të lëvizjes së aksit strategjik të PD, shkruan javanews.al.
Kremlini, lobimi dhe drejtësia në udhëkryq
Qartazi duket tashmë se kryetari i PD është në epiqendër të një problematike shumë serioze që ka të bëjë jo vetëm me ndikimin e dyshuar rus në vijën politike, por edhe të fshehjes së burimit të parave që ai përdori për të lobuar në SHBA në favor të tij dhe të PD në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Fjalën e fundit natyrshëm do ta thotë drejtësia dhe për këtë kanë nisur edhe hetimet. Deri tani është thirrur për të dëshmuar sekretari i Përgjithshëm i PD Arben Ristani dhe nga dita në ditë përpara prokurorëve do të jetë edhe financieri i PD Ilir Dervishi.
“PD i ka bërë të qarta si drita e diellit të gjitha aspektet financiare dhe zgjedhore të saj dhe gjithçka ka dalë në përputhje me ligjin”, deklaron Basha, por në fakt nuk i kërkohet PD që të bëjë transperencën e fondeve, por vetë Bashës sa i përket lobimit.
Gjithëkush nga ne, me të drejtë, ndan dyshime serioze nëse Prokuroria do të arrijë ta zbardhë këtë problematikë dhe të verë para drejtësisë personat përgjegjës nëse konkludohet se është shkelur ligji, por nga ana tjetër secili nga ne ka formuar tashmë një bindje të vetën se emri Bashës lidhet me jo pak afera në Shqipëri duke filluar që nga rruga Durrës- Kukës ku kanë firuar 200 mln euro, firmosja e faljes së territorit shqiptar palës greke sa i përket marrëveshjes së detit, “21 janari”, etj. Se deri ku mund të shkojnë hetimet e palës shqiptare rreth 1 mln dollarëve për lobim në SHBA kjo është një çështje e debatueshme, por se PD duhet të mbaj mbi supe edhe këtë shije, kjo nuk do shumë debat. Praktikat korruptive për lobim nuk janë një temë e re, por heshtja edhe nga zërat kundër Bashës në PD rreth kësaj çështje, duket se është një ‘miratim’ edhe kur bëhet fjalë mbi mundësitë që në këtë aferë të ketë luajtur rolin e tij edhe Kremlini.
Vorbulla në PD dhe Berisha
Kryetari historik i PD Berisha duket se publikisht nuk është përfshirë shumë në debatet brenda PD në favor apo kundër Bashës, por natyrisht që në prapaskenë ai duket se tërheq jo pak fije. Më shumë se për sulmet ndaj pasardhësit ai po bën kujdes të mbajë një PD të bashkuar, pasi në situatën e rëndë ku ajo ndodhet një fragmentarizim i mëtejshëm i saj do të mund të prodhonte edhe një rezultat akoma më të dobët seç PD, nën drejtimin e Bashës, prodhoi në zgjedhjet vendore të 2015. Në kohën kur zgjedhjet e ardhshme vendore zhvillohen një vit më pas, s’ka më kohë për të rikuperuar dëmet që Basha i ka shkaktuar PD në këto 5 vitet e fundit, e jo më të kurojë edhe plagët e reja që mund t’i hapen nga brenda.
“PD duhet të bashkojë të gjitha kontributet. Unë jam mik i tyre. Nuk lëviz nga ky pozicion. Unë gjykoj që është në interesin më të mirë të ulen problematikën e të bashkohet çdo kontribut i saj”, është këshilla e Berishës e artikuluar në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës. Një pozicion ky që ta ketë mirë me të gjitha palët, por që mban në këmbë Bashën, shkruan javanews.al.
Me zgjedhjet pas dere…
Zgjedhjet e ardhshme vendore janë testi i rradhës elektoral për Bashën, i cili në këto 5 vite të dominimit si kryetar i PD, nuk ka prodhuar asnjë rezultat të vetëm pozitiv elektoral për PD. Situata mund të bëhet edhe më komplekse nga pikëpamja elektorale, pasi zgjedhjet vendore në dallim nga zgjedhjet politike, nuk dominohen nga kriteri politik, por nga llogaritë nëpër Bashki dhe këshilla bashkiak. Me gjithë andrallat brenda partisë dhe me një LSI që tenton të shfaqet më e pavarur nga PD se 2 muaj më parë, llogaritë elektorale të PD mund të dalin edhe më keq se 4 vite më parë. A do të mund ta bashkojë Basha PD? Kjo është një pyetje që merret lehtë me mend përgjigjia, përsa kohë ai e ka më të lehtë të bëjë marrëveshje me Kryemadhin që pretendon se është e majtë, se sa me Bamir Topin, Astrit Patoizin, Besnik Mustafajn, apo qoftë edhe me Topallin. A e rrezikin Bashën ‘Lëvizja Patozi’? Përsa kohë që s’ka bashkim të PD dhe të djathtës, Basha nuk ndihet aspak i kërcënuar, shkruan javanews.al.