Prokuroria e Tiranës zbardhi ditën e djeshme skemën e skandalit të rimbursimit të recetave mjekësore fiktive, që dyshohet t’i ketë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 2.2 milionë eurosh. Sipas Prokurorisë, rimbursimi fiktiv është realizuar për receta që përmbanin dy lloj medikamentesh të përfshira në listën e medikamenteve të rimbursueshme, “Insulinë total” dhe “Ketosterik”.
Nga hetimet e deritanishme, ka rezultuar se “Omega Farma” ka shpërndarë receta të falsifikuara te farmaci të ndryshme. Në vijim kanë qenë këto të fundit që i kanë paraqitur recetat për rimbursim te Fondi Rajonal i Kujdesit Shëndetësor Tiranë, duke tërhequr në total shumën financiare të rimbursimit të dy medikamenteve.
Prokurorja Danjela Sulaj citoi dje para gjykatës dhjetëra fatura të “Omega Farma”-s për shitje ilaçesh, të cilat nuk kishin klientë të identifikuar. Po sipas prokurores, çmimi i vendosur në ato fatura për medikamentet ishte i ndryshëm nga çmimi në të cilin ato tregoheshin në realitet.
Duke iu referuar raportit të ekspertëve kontabël, përfaqësuesja e akuzës tha se “Omega Farma” ka shitur medikamente pa i pasur ato në gjendje. “Ky subjekt dyshohet se i ka furnizuar farmacitë me fatura shitjeje fiktive”, tha prokurorja.
Në vijim të hetimit pritet të saktësohet se si shuma e përfituar në mënyrë të paligjshme është ndarë ndërmjet “Omega Farma” dhe farmacive të përfshira në këtë procedim penal. DEMI Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorëzim raportin e ekspertëve kontabël në kuadër të procedimit penal të njohur tashmë si “Farmacitë 2”.
Bazuar në këtë raport, është arritur në konkluzionin se nga skema e dyshuar mashtruese, me subjekt qendror “Omega Farma” dhe bashkëpunues drejtuesit e disa farmacive në Tiranë, vlera e dëmit ekonomik ndaj buxhetit të shtetit arrin në 2.2 milionë euro.
Sipas hetimit, ky dëm është shkaktuar për periudhën janar 2013-tetor 2015, kohë gjatë së cilës mendohet të ketë funksionuar skema mashtruese e rimbursimit të medikamenteve me receta fiktive.
Shuma e sipërpërmedur i përket vlerës rimbursuese vetëm për medikamentet “Insulinë” dhe “Ketosterik”. Burime pranë organit të hetimit konfirmojnë se po hetohet edhe dyshimi nëse ka pasur medikamente të llojeve të tjera të përfshira në skemën mashtruese të rimbursimit. Panorama