Të dielën e 7 shtatorit, qytetarët argjentinas votuan në zgjedhjet provinciale të Buenos Aires, një test i rëndësishëm për opinionin publik mbi qeverinë aktuale të udhëhequr nga presidenti ultraliberal Javier Milei. Por, në fokus të mediave dhe diskutimeve televizive nuk ishin vetëm zgjedhjet, por emri i Karina Milei, motrës së presidentit, e cila është përfshirë në një skandal të madh korrupsioni që po trondit qeverinë.
Karina Milei, shpesh e përshkruar si “fuqia e fshehtë” pas vëllait të saj, mban dy role kyçe në qeveri: Sekretare e Përgjithshme e Presidencës dhe zëvendëse e “primera dama”. Përveç lidhjes së ngushtë personale dhe profesionale me vëllain, ajo ka menaxhuar gjatë viteve agjendën e tij politike dhe financat, duke preferuar të qëndrojë larg syrit të publikut. Por tani, skandali e ka nxjerrë në qendër të vëmendjes.
Skandali shpërtheu pas publikimit të një audioje ku ish-drejtori i Agjencisë Kombëtare për Aftësinë, Dario Spagnuolo, fliste për një rrjet të dyshuar ryshfetesh në të cilin Karina Milei dhe politikani Eduardo Menem kërkonin para për kontrata shtetërore të blerjes së medikamenteve për personat me aftësi të kufizuara. Javier Milei e mbrojti menjëherë motrën dhe largoi Spagnuolo-n nga detyra, por skandali u përhap shpejt, duke mbushur faqet e gazetave, lajmet televizive dhe rrjetet sociale. Një këngë ironike kundër Karina Milei, e krijuar nga këngëtarja María Paula Godoy, u bë virale, këndohej në stadiume, metro, sheshe dhe madje në sallat e Senatit.
Pas kësaj audioje, dolën edhe dy audio të tjerë të atribuara motrës së presidentit, ku ajo komenton situatën e qeverisë pas skandalit. Edhe pse përmbajtja nuk duket e rëndë, publikimi i tyre shkaktoi një reagim të madh. Një gjykatës argjentinas ndaloi publikimin e audios, vendim që nxiti kritika ndaj presidentit për censurë, ndërsa qeveria kërkoi edhe persekutimin e dy gazetarëve që i shpërndanë.
Javier Milei ka përshkruar motrën si “qenien më e mrekullueshme në univers” dhe e ka krahasuar me profetin Moisiu, duke lavdëruar moralin dhe pastërtinë e saj. Megjithatë, skandali ka tronditur bazën elektorale të partisë dhe ka ndezur polemika mbi ndikimin e motrës në politikën dhe bizneset e presidentit.
Ky zhvillim vjen në një moment kritik për Milei, që po përballet me humbje elektorale dhe shqetësime të forta ekonomike, duke rrezikuar reputacionin dhe stabilitetin e qeverisë së tij.











