Wolfgang Niersbach dha dorëheqjen nga posti i presidentit të DFB-së, Federatës Gjermane të Futbollit. Konfirmimi zyrtar erdhi nga federata, nëpërmjet një njoftimi për media në faqen zyrtare. Aty shkruhej se “Niersbach u largua nga detyra si president”.
Vendimi është i lidhur me hetimin ku prokurorët po mbledhin prova për të konfirmuar nëse organizimi i Kupës së Botës 2006 në Gjermani është realizuar nëpërmjet rryshfeteve.
Për edicionin ku trofeu u fitua nga Italia e Marcello Lippit, dyshohet se se janë përdorur rreth 6,7 milionë euro për blerjen e votave në Ekzekutivin e FIFA-s.
Prej hetimit të nisur, policia gjermane zhvilloi disa kontrolle në selinë e Federatës së Futbollit, por edhe në banesën e presidentit Niersbach dhe paraardhësit të tij, Theo Zwanziger. Ky i fundit ishte në detyrë në momentin e caktimit të Gjermanisë si vend organizator i Botërorit 2006. Presidenti i dorëhequr e komentoi vendimin, nëpërmjet një deklarate për shtyp, ku theksonte se “gjatë këtyre viteve ka punuar me pasion dhe në mënyrë korrekte”. Niersbach theksoi se nuk kishte dijeni për asnjë fluks financiar që lidhet me periudhën përpara se të emërohej në krye të DFB-së.
Më pas, 64-vjeçari doli përpara gazetarëve duke thënë se “ishte i vetëdijshëm që duhej të merrte përgjegjësitë politike për organizimin e Botërorit 2006 në Gjermani”. Por, sipas tij, akuzat e ngritura dhe dorëheqja nuk duhet të dëmtojnë zyrën e presidentit.
Supersport