Skandali i bërë publik në media nga BIRN për një aferë korruptive në kontratën mes CEZ dhe DIA në Shtator të 2010, vuri nën akuzë një ish-Kryeministër, për të cilin nuk thuhej se cili ishte. Për këtë arsye në media u spekulua për Kreun e Kuvendit Ilir Meta, ku ky i fundit i hodhi poshtë këto pretendime. Siç raporton gazeta Dita, në dokumentat që Clifford Chance ka paraqitur në gjyq nuk flitet për Metën, apo Berishën dhe Nanon.
Ish-kryeministri në fjalë është Vilson Ahmeti, vëllai i të cilit Petrit Ahmeti, person kyç në negociatat që i paraprinë futjes së DIA-s. Ai ka qenë këshilltar i ERE-s në momentin e lidhjes së kontratës e më pas u zgjodh kryetar i bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë.
Roli i ish-kryeministrit Ahmeti mes DIA-s dhe pozicionit kyç të vëllait qartësohet edhe nga dëshmitë në gjyqin e arbitrazhit, spekulimet me të cilin kanë ndezur sërish politikën në Tiranë. Për më tepër, Petrit Ahmeti është thirrur në prokurori pak muaj më parë për të dëshmuar mbi këtë aferë.
Sipas gazetës “Dita”, dëshmia e ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri Josef Hejsek dhënë në 26 tetor 2014, për gjyqin midis CEZ dhe DIA për mbledhjen e borxheve është e qartë dhe e detajuar.
Hejsek ka dëshmuar se ka qenë ish ambasadori i Shqipërisë në Pragë, zoti Qazim Tepshi që e ka prezantuar me Kastriot Ismailajn, (personin e akuzuar).
Ai shton se së bashku kanë shkuar në zyrën e kryeministrit të asaj kohe Sali Berisha dhe zyrën e ish Kryetarit të ERE, zotit Bujar Nepravishta, ku ka qenë prezent edhe Petrit Ahmeti, (sot kryetar i ERE).









