Shitjet e produkteve të Volkswagen, përfshirë këtu VW, Seat dhe Skoda pësuan një rënie drastike muajin e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar, në një kohë kur skandali mbi gjigandin gjerman sa vjen e thellohet.
Grupi është përfshirë në një kontest me palën amerikane sa i përket nivelit të çlirimit të gazit nga automjetet e tij me dizel dhe benzinë.
Kështu, shitjet e makinave VW ranë me 9.8 për qind, atyre të modelit Skoda me 3 për qind dhe atyre të Seat me 32.2 për qind. Megjithatë, shitjet e markave të tjera si Audi, Porsche dhe Bentley u rritën.
Në tërësi, tregu i shitjes së automjeteve në tregun e Mbretërisë së Bashkuar në tetor ra me 1.1 për qind. Shoqata për Prodhimin dhe Tregtinë e Mjeteve Motorike deklaroi se, rënia e tetorit erdhi pas 43 muaj rresht rritje.
Marka VW shiti vetëm 13.970 automjete në tetor, më pak se 15.495 të shitura të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Sa u takon markave të tjera pjesë e Volkswagen Group shitjet, sipas entit britanik, ranë në tërësi me rreth 6 për qind.
Megjithatë, Volkswagen nuk ishte aspak i vetmi prodhues automjetesh që pësoi rënie shitjesh ën tetor. Edhe regjistrimet për blerjen e makinave të reja të markave “Vauxhall” dhe “Ford” ranë përkatësisht me 16 dhe 9 për qind.
/ Top Channel