Liderët e tetë vendeve nordiko-baltike kanë thën se “mbeten të palëkundur” në mbështetjen e tyre ndaj Ukrainës dhe përpjekjeve të Donald Trump për t’i dhënë fund agresionit kundër Ukrainës.
“Për të arritur një paqe të drejtë dhe jetëgjatë, hapi tjetër duhet të jetë bashkë me Ukrainën. Vetëm Ukraina mund të marrë vendime për të ardhmen e vet”, thotë deklarata.
Udhëheqësit e Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Islandës, Letonisë, Lituanisë, Norvegjisë dhe Suedisë thanë në një deklaratë se arritja e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë kërkon armëpushim dhe garanci sigurie për Ukrainën.
“Ne mirëpresim deklaratën e presidentit Trump se SHBA-të janë të përgatitura për të marrë pjesë në garancitë e sigurisë. Nuk duhet të vendosen kufizime në forcat e armatosura të Ukrainës ose bashkëpunimin e saj me vendet e tjera”, thuhet në deklaratë.
“Rusia nuk ka veto mbi rrugën e Ukrainës në BE dhe NATO.”
Liderët vijuan duke kërkuar që Rusia “të kthejë urgjent” fëmijët e rrëmbyer nga territoret e pushtuara, si dhe të burgosurit e luftës dhe ata civilë.
“Për sa kohë Rusia vazhdon vrasjet, ne do të vazhdojmë të përforcojmë sanksionet dhe masa më të gjera ekonomike për të presionuar ekonominë e luftës së Rusisë”, shton deklarata.
Trump tha se kishte rënë dakord me Putin që marrëveshja e paqes duhet të vendoset pa armëpushimin paraprak që kanë kërkuar Ukraina dhe aleatët europianë, deri më tani me mbështetjen e SHBA-ve.











