Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka diskutuar në lidhje me adresat e votimit të qytetarëve, pas zërave për spostim të qendrave të votimit të votuesve me bindje të djathta.
Ministri tha para mediave se listat e zgjedhësve do të dalin me datë 5 tetor e se qytetarët do të vazhdojnë të votojnë në qendrat përkatëse ku kanë votuar herën e fundit.
“Nuk ka asnjë lloj ndryshime për qendrat e votimit. Esktrakti i parë i listës së zgjedhësve do të publikohet në 5 tetor. Ka nga ata që vazhdojnë me teorinë se “Nëse nuk ka diell dikush e ka vjedhur”. Nga verifikimeve paraprake, rezultoi se qytetarët e paraqitur si votues të djathë kanë thënë të pavërteta. Po zbatohet më në fund projekti për sistemin e adresave. Kaosi i tranzicionit solli dhe zhbërjen e adresave të qytetarëve. Qytetarët do të vazhdojnë të votojnë në qendrat përkatëse ku kanë votuar herën e fundit. Për sa i përket lajmeve të rreme organet kompetente do të veprojnë. Mediat të distancohen nga tentativa për raportimin e lajmeve të rreme”- u shpreh Lleshaj.
Ministri i Brendshëm deklaroi se është gënjeshtër e plotë lajmi se janë ndërruar arbitrarisht qendrat e votimit të qytetarëve.
“Për këtë arsye bëhet logjikisht i pamundur komenti mbi pretendimin se kjo gjë po u ndodh votuesve të djathtë. Nuk ka asnjë lloj ndryshimi të qendrave të votimit për qytetarët. Asnjë! Dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim arbitrar të qendrave të votimit. Në bazë të detyrimeve të Kodit Zgjedhor, ekstrakti i parë i listës së zgjedhësve do të publikohet pas disa ditësh, saktësisht më datën 5 tetor 2020, dhe të gjithë do kenë mundësinë të verifikojnë këtë të vërtetë të thjeshtë. Kjo është e vetmja e vërtetë për këtë trillim të turpshëm mediatik. Por siç thashë në krye të herës, trilluesit e lajmit e kanë përdorur të gjithë teknologjinë e tyre të mashtrimit duke e paketuar gënjeshtrën me një tjetër të vërtetë. Pak a shumë sipas logjikës, tani nuk ka diell pasi këta e kanë vjedhur atë. Në fakt është e vërtetë se tani nuk duket dielli, por kjo nuk do të thotë se e ka vjedhur kush atë”, tha Lleshaj.
g.kosovari