Në Gjermani po përsëriten imazhet e fillimit të 2020-ës në Itali. Këto pamje janë xhiruar në qytezën e Maisenit, pranë Dresdenin ku shërbimet funerale nuk përballojnë dot numrin e lartë të vdekjeve nga COVID-19.
Kjo qytezë nuk është e vetmja. Pavarësisht shifrave të ulta të infektimeve ditore, Gjermania përballet me një nivel të lartë vdekjesh edhe pse në fundjavë shifra e tyre përgjysmohet. Këtë javë, vendi arriti në kuotën e 50 mijë viktimave.
Nga kjo e diel, në të gjithë aeroportet dhe pikat kufitare në Gjermani janë vendosur kontrolle të imtësishme për të gjitha hyrjet nga jashtë, të cilët duhet të paraqesin testin negativ të COVID-19. Synimi është parandalimi i hyrjeve të të infektuarve me variantet më ngjitës që qarkullojnë nëpër botë.
Një spital në Berlin u vendos në karantinë pasi u konstatua se 20 pjesëtarë të stafit mjekësor ishin infektuar me një prej mutacioneve të reja që e ka origjinën në Gjermani. Autoritetet vendase do të nisin mjekimin me terapinë e anti-trupave Regeneron me të cilën u kurua presidenti amerikan Donald Tramp.
Nivel të lartë viktimash ditore ka edhe në Britaninë e Madhe. Ekspertët vendas thonë se kjo mund të jetë për shkak të qarkullimit të variantit të ri të koronavirusit, i cili përveçse më ngjitës, mund të jetë edhe më vdekjeprurës. Shifrat e infektimeve në këtë vend vazhdojnë të bien nga dita në ditë.
/a.r