Në një intervistë dhënë për KosovaPress, nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek ka komentuar situatën e fundit politike në Kosovë si dhe tensionet në rritje mes opozitës dhe Qeverisë lidhur me marrëveshjet për Asociacionin me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi.
Lunacek tha se arrestimi i deputetit Albin Kurti dhe aktivistëve të tjerë është bërë në kohë të papërshtatshme. Ajo ka porositur Qeverinë dhe opozitën që të gjejnë mënyra për tejkalimin e mospajtimeve, duke e parë propozimin pesë pikësh të Vjosa Osmanit e Ilir Dedës si alternativë për kalimin e kësaj krize.
“Duke i parë protestat e dhunshme në Kuvendin e Kosovës, unë edhe njëherë kërkoj nga partitë opozitare dhe Qeveria përgjegjësi politike që të mos ketë edhe më shumë përshkallëzime në dhunë. Arrestimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe dhjetëra aktivistëve të tjerë të shtunën, mund të jetë kryer sipas procedurave penale, por duke marre parasysh situatën e tensionuar, koha dhe shtrirja e këtij aksioni nuk ishin të dobishme për të përkrahur një fillim fuqimisht të nevojshëm për dialog në mes të opozitës dhe Qeverisë”, tha Lunacek për KosovaPress.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Lunacek ka porositur që dialogu të jetë mjeti i vetëm për zgjidhjen e mospajtimeve, duke bërë thirrje që të shfrytëzohen mundësitë e ndryshme për të ardhur tek dialogu.
“Në këtë mënyrë, e ripërsëris thirrjen time për dialog, si të vetmin mjet për të zgjidhur mos pajtueshmëritë. Po ashtu inkurajoj të gjitha palët që të shfrytëzojnë mundësitë e ndryshme për të dialoguar, përfshirë edhe propozimin e deputetëve Deda-Osmani”, ka thënë Lunaçek në një intervistë për KosovaPress, të cilën të plotë do ta publikojmë nesër.