7 urgjenca mjekësore kanë mbërritur në Spitalin Infektiv në më pak se tre orë gjatë paradites së ditës së enjte, ndërsa burime nga ky spital pohojnë se numri i urgjencave në 24 orë e kalon shifrën 25 të tilla.
Në mesin e shtrimeve të reja dominojnë moshat mbi 60 vjeç, por nuk përjashtohen edhe mosha të reja nën 20 vjeç e referuar kjo zyrtarisht nga mjekët e spitalit Covid 1 gjatë mbledhjes së fundit të komitetit teknik të ekspertëve.
Fatmirësisht nuk raportohen raste të reja të grave shtatzëna apo lehonë një problematikë e shtuar një javë më parë. Nga 9 gra shtatzëna, 6 prej tyre mësohet se kanë lënë spitalin pas shërimit ndërsa tre gra lehona pas lindjes prematurë vijojnë të trajtohen me prioritet në Infektiv.
Gjatë paradites së ditës së enjte ka pasur edhe dy fatalitete që e rëndojnë bilancin e viktimave nga COVID-19. Aktualisht dy spitalet Covid 1 dhe Covid 3 po punojnë me 85% të ngarkesës spitalore.
/b.h