Nga Altin Ketro/
Ka një debat të shtuar kohët e fundit lidhur me sistemin zgjedhor që ka Shqipëria. Përveç partive të vogla, në këtë debat janë futur edhe disa analistë apo përfaqësues të shoqërisë civile. Në fakt, debati mbi këtë temë është gjithmonë produktiv sepse ndihmon në përmirësimin dhe përsosjen e mëtejshme të të gjithë komponentëve që përbëjnë atë që quhet Reformë Zgjedhore.
Por, ky debat, nuk po fokusohet tek çështje të tilla si ajo e financimit të fushatave, saktësimit të listave të votuesve, përmirësimit të procesit para dhe pas zgjedhor, pra atij që ka të bëjë me administrimin e kutive të votimit, numërimin e më pas nxjerrjen e rezultatit të saktë e të pakontestueshëm, por po kanalizohet në mënyrën se si përzgjidhen kandidatët për deputetë dhe se si votohen ata.
Le të ndalem pak tek kjo e fundit. Shqipëria ka zgjedhur si sistem elektoral atë të listave të mbyllura, pra ku votohet partia dhe në bazë të përqindjeve që ajo merr, aq deputetë futen nga lista që ajo ka depozituar paraprakisht në KQZ. Përfaqësimi është rajonal, në bazë qarku, ku përfshihen disa bashki. Ky sistem më duket optimal për vendin tonë. Së pari, ai sjell një përfaqësim më të mirë të të gjithë qarqeve në Kuvend, sepse secili qark ka listën e vetë të deputetëve, pa qenë nevoja të votojë një listë të përgjithshme në rang kombëtar, ku rrezikon që të mbetet i papërfaqësuar.
Së dyti, ky sistem ka avantazhin sepse lejon përfaqësimin në kuota të kënaqshme të grave dhe vajzave, sepse është ndërtuar i atillë që të mos ketë diskriminim gjinor ndaj tyre edhe nëse ato janë në fund të listës. Së treti, ky sistem krijon më shumë kohezion dhe bashkëpunim brenda një force politike, sepse të gjithë luftojnë me një qëllim: “Një për të gjithë, të gjithë për një”. Kjo shmang luftën e bërrylave brenda llojit dhe bën që edhe ai që është në fund të listës të luftojë fort për maksimizuar votat për partinë.
Çfarë do ndodhte, për shembull, sikur po ky sistem të ishte me lista të hapura. Që do të thotë, edhe pse paraqiten kandidatët për deputetë të një qarku në një listë të vetme, deputet zgjidhet jo nga i pari e poshtë, por ai që merr më shumë vota brendapërbrenda listës së vetë. Kjo në vetvete duket demokratike, por në fakt është problematike. Këtu lufta politike bëhet brenda llojit duke nxitur ndjenja xhelozie. Askush nuk do të jetë i fokusuar që partia, si e tërë, të fitojë, por do ketë vetëm hallin personal që të zgjidhet vetë deputet sipas parimit: “secili për vete, Zoti për të gjithë”. Shtoji kësaj edhe faktin që secili prej tyre dëshiron që të jetë në një zonë të njohur si bastion, hatër mbetja nëse nuk caktohet aty, kthehet në urrejtje për të sabotuar gjithë partinë.
Forma tjetër, ajo me sistem mazhoritar, pra që deputetët zgjidhen drejtpërdrejt nga populli, në pamje të parë duket më demokratike, sepse populli identifikon vetë cilin kandidat do të votojë. Megjithatë edhe ky sistem është provuar deri në vitin 2005 dhe nuk është se ka dhënë kushedi se çfarë cilësie deputetësh. Me mazhoritar u zgjodhën deputetët e vitit 1992 që lejuan skemat piramidale. Me këtë sistem dolën deputetët prej procesit më masiv të manipulimit, atij të 26 majit 1996. Ishin po këta që çuan vendin në luftë civile në vitin 1997. Po këta zgjodhën Presidentin në gjendje shtetrrethimi.
Me sistemin mazhoritar të vitit 2005 dolën edhe deputetë që s’u bëri përshtypje tragjedia e Gërdecit, por qeverisën të qetë deri në fund të mandatit. Jo vetëm kaq, por lufta në këtë lloj sistemi bëhet tmerrësisht e egër midis kandidatëve, më saktë, për jetë a vdekje. Për më gjatë mund të pyetet Agron Duka se si e humbi mandatin në vitin 2005 me sistem mazhoritar përballë të ndjerit Sokol Olldashit dhe kupton që ky sistem, për kushtet e Shqipërisë, ka problematika deri kriminale. Në këtë lloj sistemi premtimet kalojnë çdo lloj caku dhe kandidati është fare i papërgjegjshëm dhe ka për borxh të premtojë edhe vizitë turistike në Hënë, vetëm e vetëm të fitojë mandatin. Gjithashtu, ky sistem rrit kostot financiare sepse kur një deputet lë mandatin, zona e tij elektorale detyrohet të rifutet në votime sërish. Ky sistem ka një të metë akoma më të madhe, sepse rrezikon përfaqësimin e grave dhe vajzave në Kuvend. Dihet që shoqëria jonë është shumë mashkullore, si e tillë gratë dhe vajzat fituese në rastin me të mirë nuk do e kalonin shumën e njërës dorë.
Debati rreth sistemit aktual që kemi, është pse kryetari i partisë ka në dorë përpilimin e listave për deputetë. Ky problem ndeshet tek PD-ja, që ka si model kontributin në para për të hyrë në listë, ose një lloj servilizmi ndaj kryetarit. Po pse e ka PD-ja, nuk mund të goditet sistemi. PS-ja, për shembull, pasi merr propozime nga baza, mbledh strukturat ku kryetari konsultohet me të gjithë faktorët politikë të secilit qark, bie dakord me ta dhe nxjerr një produkt final me emrat e kandidatëve. PD-ja ka premtuar se në vijim do organizojë para-eleminatore për kandidatët dhe kjo është një formë shumë e mirë. Secila parti reflekton pas çdo zgjedhje për të përmirësuar cilësinë e përzgjedhjes së kandidatëve.
Meqë jemi tek cilësia e kandidateve, po ndalem edhe pak këtu. Është ngritur kjo teoria që sistemi mazhoritar do sjellë deputetë më cilësorë. Nuk më rezulton kështu. Ne, për shembull, zgjedhjen e kryetarëve të bashkive e kemi me sistem mazhoritar, po a mund të themi se kemi përfaqësimin më të mirë e cilësor të tyre, dikur si kryekomunarë e sot si kryebashkiakë?! Ka cilësorë ndër ta, ashtu siç ka të tillë edhe në listat e partive; ka po ashtu edhe jo të denjë, siç ka të tillë edhe në listat e partive. Kemi plot raste kryebashkiakësh që janë shkarkuar për sjellje jo të denjë në ushtrimit e funksionit të tyre. Ja pra që bie edhe kjo tezë.
Partitë e vogla ankohesh shpesh se me sistemin aktual ato nuk futen dot në Kuvend. Ky është thjesht një justifikim për pafuqinë e tyre në elektorat. Një pyetje kam për to: Zotin Tom Doshi, e bëri Partia Socialdemokrate deputet, apo ishte zoti Doshi që e bëri këtë parti pjesë të Kuvendit? Jo vetëm kaq, por ai i vetëm desh kapi edhe një mandat tjetër në qarkun Shkodër për PSD-në në zgjedhjet e fundit. Po PDIU-në, a nuk e bënë parti parlamentare kandidatët e saj në qarqet Elbasan dhe Dibër? Pse kjo parti nxjerr deputetë atje ku nuk ka shqiptarë nga Çamëria dhe nuk nxjerr atje ku ka? Sepse është emri i përzgjedhur, influenca dhe reputacioni që ai/ajo kandidat ka në zonë, që thith vota.
Sistemi aktual akuzohet se bën deputetë biznesmenët, meqë ata i fut në listë kryetari i partisë. Po mirë, në një sistem mazhoritar biznesmenët nuk do futeshin dot?! Absolutisht që do futeshin, sepse lufta e tyre bëhet në një zonë të ngushtë ku nën petkun e biznesmenit krijojnë perceptimin e modelit të njeriut të suksesshëm të cilit i duhet besuar. Për etikë nuk dua të përmend emra, por edhe gjatë këtyre viteve me këtë sistem që kemi, kanë qenë ata kandidatë që kanë ardhur nga biznesi që kanë thithur vota për partinë, e jo anasjelltas.
Prej kundërshtarëve të këtij sistemi, kalohet nga skaji ku biznesmeni identifikohet me të keqen, tek skaji tjetër, ku besojnë se me mazhoritarin deputetë do bëhen intelektualët dhe njerëzit e dijes të cilët do sillen me një kulturë kaq të lartë saqë s’do ketë më luftë të egër politike. Kur vjen puna tek lufta për pushtet, bien skrupujt edhe për intelektualin. Kemi parë shumë të tillë që qenia deputet i ka përçudnuar keqas, aq sa u është vënë në dyshim edhe formimi akademik që kanë. Por, jo vetëm brenda Kuvendit, por edhe jashtë tij, në auditoret universitare kemi ndeshur një gjuhë jo etike kur ka qenë koha e zgjedhjes nëpër forume.
Edhe tek Akademia e Shkencave kemi parë një luftë bërrylash kohët e fundit me deklarata plot akuza ndër veti, prej atyre që aspirojnë të bëhen kryetarë. Bile, edhe vetë intelektualë të mirëfilltë me grada shkencore e të sprovuar për inteligjencën e tyre, herë pas here, në artikulime publike, kur akuzojnë sa nga opozita e sa nga qeveria, e lëshojnë gjuhën dhe bëhen njësh me ata të ashtuquajtur deputetë rrugaçë. Nëse kanë shans profesor-doktorët dhe shkencëtarët që të hyjnë në Kuvend, vetëm sistemi aktual ua mundëson. Kanë tentuar edhe dikur kur ekzistonte mazhoritari i pastër të kandidonin si të pavarur dhe nuk ia kanë dalë dot të fitojnë.
Gjithsesi ka vend për përmirësim të vazhdueshëm dhe partitë politike kryesore duhet ta kenë parasysh edhe formimin arsimor e kulturor të kandidatëve të tyre, pavarësisht se ato shpesh tregohen pragmatiste duke u dhënë më shumë hapësirë individëve që kanë influencë në zonat ku ata jetojnë, sepse janë makineri votash për partinë. Natyrisht, nuk mund të pretendohet që një parti të paraqitet me një listë me 140 shkencëtarë, sepse të qenit shkencëtar nuk të jep zotësinë të jesh i zoti edhe politikisht në marrëdhëniet me njerëzit.
Ai mund të jetë i aftë profesionalisht, por qëllon i vrazhdë e fodull kur vjen puna të takojë edhe një të vobektë, gjë që e ftoh me elektoratin. E kundërta, një politikan me nota jo aq të mira mund të jetë tip babaxhan, gjë që elektoratit i ngjit më mirë dhe e pranon si përfaqësuesin e vetë. Edhe identifikimi i cilësisë së deputetëve nga protagonizmi në foltoren e Kuvendit është i gabuar, sepse nuk mund të kesh asnjëherë 140 deputetë protagonistë, pasi kështu i bie që seancat plenare do zgjasin 48 orë. Ata deputetë që konsiderohen “memecë” në foltore, protagonizmin e kanë nëpër komisionet parlamentare dhe në zonat ku ushtrojnë përfaqësimin. Produktiviteti i tyre matet me rezultate në terren dhe atë çka japin nga aktivizimi nëpër komisione.
Ekziston frika se me sistemin aktual, rol protagonisti merr kryetari i partisë. Kjo nuk ka asgjë të keqe. Duke qenë se ai është kandidati për t’u bërë kryeministër pas fitimit të zgjedhjeve, i takon atij ta bëjë protagonistin, ta shpalosë ai programin elektoral të partisë së vet e ta mbajë ai përgjegjësinë pas zgjedhjeve duke dhënë dorëheqjen nëse humb. Jo vetëm kaq, por ky lloj sistemi i bën edhe kandidatët për deputetë më të ndërgjegjshëm për sa u përket premtimeve, sepse ato do u përmbahen përgjithësisht vetëm atyre që parashikon programi elektoral i shpallur nga kryetari, dhe jo njëri t’i bjerë gozhdës e tjetri patkoit.
Sot, në Shqipëri, vetëm dy parti politike janë alternativë qeverisëse: PS dhe PD. Është futur në mes si pykë edhe LSI-ja, por ajo ka karakter SHPK-je dhe lidh kontrata sipas interesit, sa majtas e sa djathtas, duke mos pasur një bosht të sajin veç interesit të ngushtë. Megjithatë, këto tri parti janë të vetmet që kanë struktura deri poshtë në bazë. Janë pikërisht këto struktura, puna e tyre e përditshme, e jo vetëm në zgjedhje, ajo që u sjell atyre vota. Kurse partitë e tjera kanë veç selitë dhe bëhen të gjalla vetëm në zgjedhje. Edhe kur duan të përfaqësohen me anëtarë në komisionet zgjedhore, ngaqë nuk kanë njerëz në bazë, marrin hua nga partitë e mëdha. Është pikërisht ky shkaku që ato nuk njihen në elektorat, sepse bëjnë vetëm jetë mediatike.
Është njësoj sikur një produkti ushqimor t’i bësh reklamë televizive, por ai produkt të mungojë në dyqanet e lagjes. Ja kështu funksionojnë partitë e vogla. Nëse ato nuk arrijnë dot të ngjizin dot në elektorat, nuk është as faji i këtij sistemi e as i partive të mëdha. Këto të fundit janë të suksesshme sepse kanë shumë anëtarë që punojnë për to, vullnetarisht a me interes, por ama kanë shtrirje gjithëvjetore në të gjithë territorin. Është e pamundur t’u thuhet atyre, shpërbëhuni ju që të rriten edhe këta të vegjlit. Këto, po të duan, le të shkrihen të gjithë në një parti të vetme e të formojnë koalicionin e madh. Nuk e bëjnë dot se duan të jenë secili kaposhë majë qymezit të vetë e le të rrinë ashtu siç janë se s’ua ka fajin askush.
Por unë u jap një të drejtë atyre, dhe këtu biem të gjithë dakord: duhet përmirësuar sistemi i numërimit të votave. Ky duhet të jetë shqetësimi më i madh, pa harruar edhe atë të financimit të partive. Proceset e votimit kanë qenë përgjithësisht të rregullta. Populli vetë ka treguar qytetari dhe durim për ta kryer detyrën duke shkuar i qetë tek kutia e votimit. Problematika më e madhe shfaqet pasi bie gongu, pra pasi përfundon orari i votimeve. Aty fillon tensioni i madh që mban mbërthyer një Shqipëri të tërë ditë me radhë.
Kjo vjen sepse harxhohet shumë kohë deri sa të mbërrijnë në mënyrë të përqendruar në ZAZ të gjithë kutitë e qendrave të votimit. Duke qenë se kemi të bëjmë me qindra kuti dhe mijëra fletë votimi, numërimi i tyre merr shumë kohë dhe sa më shumë kohë kalon, aq më të tendosura bëhen nervat e palëve kundërshtare, sidomos kur njëra ndjen humbjen dhe nis e saboton procesin e numërimit duke u justifikuar me lodhjen e komisionerëve.
Është hedhur ideja e numërimit elektronik, megjithatë edhe ky sistem nuk ka garanci sepse mund të manipulohet, gjë që ka ndodhur edhe në vende perëndimore. Mënyra më e shpejtë dhe efikase e numërimit të votave do të ishte që ato të bëheshin direkt në çdo qendër votimi në prezencë edhe të vëzhguesve të partive të interesuara. Duke qenë se sasia e fletëve të votimit për çdo qendër varion nga 100 deri 500 fletë, këto shifra janë të mjaftueshme që rezultati të dilte brenda 5 deri 6 orëve në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Kuptohet, kjo mënyrë kërkon gjënë më kryesore: komisionerë me cilësi të larta morale e qytetare dhe shumë të ndershëm, që busull kanë ligjin dhe jo partinë. Natyrisht, kjo mbart edhe rrezikun tjetër, atë që njëra palë të braktisë numërimin dhe procesi të kalojë në kolaps. Nuk e lidh këtë me atë që ndodhi në vitin 1996 ku dhuna e egër shtetërore e qeverisë dhe e SHIK-ut detyroi komisionerët e PS-së të braktisnin qendrat e numërimit, por me mentalitetin edhe të opozitës së sotme që mbytet në një pikë ujë e që qimen e bën tra për hiçmosgjë. Mungesa e besimit, papërgjegjshmëria gjatë numërimit të votave dhe frika mos komisionerët blihen nga kundërshtari, na ka çuar deri më sot në këtë derexhe. Po arritën ta zgjidhim këtë lëmsh, atëherë i kemi dhënë zgjidhje problemit më të madh që ka shoqëruar Shqipërinë këto tri dekada.
Si përfundim, theksoj se sistemi aktual që kemi është shumë i mirë dhe favorizon ato parti që duan të punojnë. Natyrisht, partitë parazitare i diskriminon, por Shqipëria nuk ka nevojë për parti këpusha të cilat nuk janë të afta të rriten për mungesë besimi që elektorati ka në lidershipin e tyre. Ajo që duhet përmirësuar është aspekti i financimit të partive politike, transparenca e tyre, me qëllim që të mos kriminalizohet politika nga financimi i parave të pista. Janë gjithashtu listat e zgjedhësve të cilat duhen përditësuar me votues që banojnë pranë qendrës ku votojnë e jo të shpërndahet andej këndej duke kujtuar se nuk e kanë emrin në listë. Dhe, më kryesorja, procesi i numërimi, i cili ka qenë e mbetet Thembra e Akilit.
Ndoshta u ndala disi gjatë në këtë analizë, mbi këtë çështje, por desha të jap disa argumente shterues të cilat nuk mund të përkufizoheshin në vetëm pak rreshta. Nuk pretendoj se kam dhënë idetë më të mira, prandaj ftoj këdo të interesuar të japë sa më shumë alternativa me qëllim që edhe klasa politike të dijë të marrë më racionalen e atyre që parashtron secili prej nesh.