Nga Ardi Stefa
Këtu e 34 vite tranzicioni, skena politike shqiptare ka qenë e karakterizuar nga një konfuzion i madh. Por asnjëherë si ky i sotmi.
5 muaj përpara zgjedhjeve të gjithë janë kundër të gjithëve, por dy partitë e mëdha duket se janë bashkë, pavarësisht zhurmës mediatike e “mosbindjes së bindur” të njërës.
Partia Socialiste vazhdon të ruajë dominimin në skenën politike, pavarësisht skandaleve, arrestimeve të bujshme, hetimeve pa fund për korrupsion të disa figurave të saj kryesore, madje edhe pse priten arrestime të tjera të forta.
Pavarësisht manifestimeve të ndryshme e të shumta të pakënaqësisë së shoqërisë dhe disa forcave politike, shumica parlamentare që ka është solide dhe i lejon qeverisë të miratojë çdo projektligj që dëshiron.
Kalimi i disa ligjeve, si ai zgjedhor me listat as të mbyllura e as të hapura, por faktikisht të mbyllura, amnistia penale, rrëzimi i të gjitha amendamenteve të opozitës, vendosja në kontroll e disa institucioneve, të cilat duhet të ishin të pavarura, dëshmojnë se zgjedhjet në 11 maj 2025 nuk do të shkaktojnë ndonjë tronditje të madhe.
Dinamika e sondazheve të PS, pavarësisht menaxhimit efektiv të komunikimit që bën, tregon se ajo nuk ka një horizont të mbështetjes te vetja.
Në të njëjtën kohë, një pol opozitar brenda partisë, që mund të pretendonte trashëgiminë tani që po dalin nga skena disa figura si pasojë e drejtësisë dhe SPAK, nuk duket se po formohet.
Kjo do të thotë se pas një rimesoje të “qeverisë së fortë” fshihet terreni i lëkundshëm i një shteti të mosqeverisjes.
Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për rezultatin e disa sondazheve, por për ndarjet reale brenda shoqërisë dhe vështirësinë e narrativave politike e shoqërore, pavarësisht se pretendohet që gjërat po shkojnë mirë.
Ky nuk është një fenomen elektoral. Në radhë të parë është social dhe ka të bëjë me faktin se në shoqërinë shqiptare aktualisht mungojnë koherenca që jep perspektivë dhe mbi të gjitha bind për një alternativë të realizueshme.
Si rezultat, tani që kërkesa për “stabilitet” mbi të cilën ka investuar PS po dobësohet, nuk ka asgjë që mund të formojë një dinamikë, e cila ka bazën shoqërore si dhe aftësinë e përpunimit strategjik për t’i dhënë formë.
Nga ana tjetër përsërisim veten teksa themi që opozita është në ditët e saj më të këqija dhe më larg pushtetit se kurrë. E përçarë në shumë parti dhe pa asnjë perspektivë bashkimi duket se e ka të pamundur të mposhtë mazhorancën aktuale. Madje edhe sikur të bashkohet nuk ka as shifrat, as votat, as mbështetjen. Madje- madje është tepër e vjetëruar në ide dhe populiste.
Partia Demokratike e Berishës, me të drejtë pretendon se është partia më e madhe e opozitës dhe kërkon që t’i bashkohen të gjithë kundër Ramës ka numrin më të madh të anëtarëve, nostalgjikëve dhe disa idealistëve.
Por PD ka një handikap në gjithë këtë histori. Pavarësisht se ka vulën dhe logon, nuk ka më atë mbështetje që kishte në 2021.
Me figura të konsumuara dhe të pashpresa për të sjellë fitoren si në moshë ashtu edhe në optimizmin politik. E vjetëruar në moshë dhe në ide, refraktare dhe pa kauza, me humbësit kronikë që hiqen si fitues dhe që kanë mbërthyer partinë kaq vite dhe e çojnë nga regresi në regres, duke larguar shumë anëtarë themelues të saj, elektoratin gri, armiqësore me çdo mendim ndryshe dhe e pazonja të shohë interesin madhor të shqiptarëve.
Por ajo ç’ka është më e rëndësishmja, PD ende nuk gëzon mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe, pavarësisht disa lobimeve, është totalisht e izoluar. Në rast se përmenden si sukses tre rezolutat, njerëzit me pak mend e dinë që ato rezoluta janë nga më të zakonshmet brenda partive të një familjeje politike dhe nuk kanë peshën që pretendohet se kanë.
Pretendimet dhe ftesat e pasinqerta të bashkimit nën PD të forcave të tjera opozitare nuk garantojnë fitoren.
PL (LSI) nuk gëzon më mbështetje në popull. Me liderin të burgosur dhe nën akuza për korrupsion duket parti e shpërbërë, pavarësisht se disa funksionarë të ngelur në të bërtasin më shumë se çdo herë.
Pothuajse në të njëjtën gjendje është edhe PR, e cila asnjëherë nuk ka pasur peshë elektorale, por ka vegjetuar e i ka pirë gjakun PD duke marrë votat e saj. Me kryetarin e saj nën hetim për Gërdecin, duket se PD do të shërbejë edhe kësaj here si komerdare e dyfishtë shpëtimi. Vetë të hyjë në lista, ndërsa për PD që të tregojë se ka aleatë.
E njëjta gjë me PBDNJ e Dules, e cila është rrudhur e tkurrur sa më s’ka..
Gjithsesi ndoshta është ende shpejt për të folur për aleanca të tjera të PD me parti të vogla, pasi në kushtet që është çdo aleancë me këto parti ende nuk ofron garanci për “qeverisje.
Ndërkohë partitë e tjera të opozitës duket se e kanë përcaktuar rrugën që do të ndjekin.
Do të më pëlqente që të organizoheshin në një pol të tretë, i cili do të kishte synim rrëzimin e pushtetit, duke mbështetur Drejtësinë e Re dhe SPAK, listat e hapura dhe partneritetin real me ndërkombëtarët, por aktualisht kjo është utopike.
Utopike, sepse duhen marrëveshje si parazgjedhore, ashtu edhe paszgjedhore dhe do të jenë bashkime mekanike, pa bazë programore apo ideologjike e sociale.
Basha ende është në pritje, ndërkohë që prej apatisë mbështetësit i firojnë, pavarësisht ashpërsimit të gjuhës dhe të vërtetave që thotë.
Agron Shehaj deklaron se do të garojë i vetëm.
Më të qartë duket se janë Djathtas 1912 dhe LZHK e Shehit, të cilat shpallën koalicion dhe ftuan edhe partitë e tjera t’u bashkohen.
Qorrit, Lapajt, Shabanit & Co u duket vetja kryeministra potencialë dhe kërkojnë dominimin e një poli të tretë me idetë apo staturën populiste që promovojnë.
Secili prej tyre do të jetë i pari. Dhe, në këtë mënyrë kontribuojnë në ruajtjen e establishmentit dhe pushtetit të dy partive të vjetra në Shqipëri.
Atëherë, përderisa opozita aktuale nuk kërkon një bashkim të forcave shoqërore, politike dhe intelektuale, për të cilat në thelb nuk funksionon asnjë nga formacionet politike ekzistuese dhe vetëm sa zgjat tranzicionin shqiptar, atëherë mos ndoshta do të ishte më mirë që, tashmë që pothuajse dihet rezultati i 11 majit, të garojnë secila veçmas; të shohin çfarë peshe elaktorale dhe më pas të bashkohen sipas peshës që kanë?
Por praktikisht edhe kjo formulë mban në këmbë pushtetin aktual, vota nuk merr vlerë, përfaqësimet e reja, të afta për të frymëzuar shoqërinë dhe për të riformuar dinamikat e shumicës largohen dhe zhgënjimi e depresioni do të vazhdojnë të jenë karakteristikë e shoqërisë shqiptare, e cila do të vazhdojë të braktisë vendin, kriza politike do të thellohet dhe Shqipëria do të jetë në pushtetin e dinozaurëve politikë!