Operatorët e tregut të sigurimeve kanë vrarë konkurrencën, duke ndarë paratë me njëri-tjetrin. Këtë kritikë të ashpër rezervoi ish zv kryeministri Erion Braçe për kompanitë e sigurimeve nga komisioni i Ekonomisë, ku po diskutohej raporti vjetor I Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
“Në tregun e sigurimeve nuk kemi stabilitet, e kemi kënetë, në këtë treg nuk ndodh asnjë gjë, zero. Vetëm 12 kompani nga dita e parë deri sot, në këtë treg konkurrenca është vrarë dhe ka një arsye pse nuk ka konkurrence: Arsyeja është marrëveshja. Këta kompani kanë bërë marrëveshje mes njëra tjetrës dhe ndajnë paratë”, tha Braçe.
Në të njëjtën linjë me Braçen ishte edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku, e cila tha se ky treg nuk po krijon hapësira për futjen e operatorëve të rinj.
“I njëjti treg prej vitesh për operatorët, tregu pak hapësirë për operatorë të rinj”, tha Tabaku.
Por për kreun e AMF, Ervin Meten, ky është tregues i stabilitetit.
“Qëndrueshmëria e operatorëve, tregon stabilitet… Nëse plotësojnë kushtet, operatorët e rinj licencohen. Rasti i Rumanisë, falimentim I kompanive të sigurimit”, tha Ervin Mete.
Deputeti socialist Erion Braçe u ndal edhe te sigurimi i produkteve bujqësore nga fermerët që sipas tij, nuk janë të informuar nga kompanitë e sigurimeve. Por për demokratët, kjo nuk është përgjegjësi e tyre, por e qeverisë.
“Ai shiu breshëri dje atje në Kuçovë, asnjë fjalë qeveria, asnjë fjalë ministria, asnjë fjalë institucioni, asnjë fjalë kompanitë, dhe qajnë njerëzit”, tha Erion Braçe.
“Nevoja e sigurimit të bujqve: para se t’jua kërkojmë autoritetit, t’ia kërkojmë ministrisë së bujqësisë, se çfarë bën, se unë e provova vjet në zonën time dhe më kryesorja matjet që bëhen të mos jenë gënjeshtra dhe ministria t’i dëmshpërblejë bujqit siç ka marrë përsipër. Për shkak se kosto sot, e prodhimit për fermerët është shumë e lartë dhe nuk mbajnë dot edhe koston e sigurimit”, tha Edmond Spaho.
Sipas raportit të AMF për vitin 2022, dhënat flasin për treg të qëndrueshëm në treguesit kryesorë të shëndetit financiar.
/s.f