Për herë të parë edhe policia rrugore do të ketë një njësi të posaçme operacionale. Bëhet fjalë për një strukturë të re e cila do të ketë autoritet në të gjithë Shqipërinë.
Ngritja e saj është firmosur para disa ditësh, nga drejtori i përgjthshëm i policisë së shtetit Haki Çako ndërsa njësia përbëhet nga 30 efektivë të përzgjedhur, të cilët do të hetojnë aksidentet e rënda, dhe do të kenë atribute për të zhvilluar operacione blic në të gjithë vendin.
Ngritja e kësaj njësie synon të rrisë parametrat e sigurisë rrugore në vend, duke shtuar një hallkë tjetër në zinxhirin e masave për parandalimin e aksidenteve. Ndërkohë shumë shpejt në autostradat kryesore të vendit do të kemi edhe radarë spiunë.
Policia ka gati projektin për të cilin është gjetur edhe financuesi. Radarët spiunë janë të aftë të konstatojnë në distanca të mëdha dhe shpejtësi të lartë, nëse drejtuesi i mjetit ka vënë rripin e sigurimit, po flet në telefon ose ka tejkaluar shpejtësinë e lejuar dhe në mënyrë automatike dërgon në sistem të dhënat e mjetit.
Ndonse për 6 mujorin e parë krahasur me një vit më parë, numri i aksidenteve është në rënie, statistikat mbeten të larta krahasur me standartin e vendeve të Bashkimit Europian./TCH/a.m.