• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, March 31, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kosova

Siguria e Kosovës nën kërcënimin e raketave me rreze të gjatë

by A R
30/03/2026 10:01
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Diego Garcia në Oqeanin Indian ndodhet rreth 4 mijë kilometra larg Iranit. Përpjekja për ta goditur me raketa ka ngritur alarmin për fuqinë raketore të këtij vendi dhe ka shtuar frikën se ai mund të synojë pjesë të mëdha të Evropës, teorikisht edhe Kosovën.

Raketat u nisën më 20 mars drejt një baze ushtarake të SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar, njëra dështoi, ndërsa tjetra u rrëzua. Ajo që arriti të fluturonte, përshkoi rreth 3 mijë kilometra nga baza e nisjes.

Ushtria izraelite tha se Irani ka lëshuar raketa balistike me rreze të gjatë drejt një objektivi amerikan, duke dëshmuar kapacitete prej rreth 4 mijë kilometrash, mjaftueshëm për të vënë në shënjestër edhe kryeqytetet evropiane.

“Këto raketa nuk kanë për qëllim të godasin Izraelin. Rrezja e tyre arrin kryeqytetet evropiane. Berlini, Parisi dhe Roma janë brenda rrezes së kërcënimit të drejtpërdrejtë”, tha shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir.

Instituti për Studime të Luftës (ISW), me seli në Uashington, vlerësoi se kjo ishte përpjekja më e largët ndonjëherë e Iranit për të goditur një objektiv me raketa.

“Sulmi tregoi se raketat iraniane mund të arrijnë përtej kufirit prej 2 mijë kilometrash, të cilin regjimi ka thënë prej kohësh se e ka vendosur vetë si limit… Sulmi i tentuar përmbys disa nga supozimet për programin raketor të Iranit, veçanërisht sa i përket kërcënimit që ai mund të paraqesë për Evropën”, sipas ISW-së.

Deri më tani besohej se Irani nuk kishte kapacitet të godiste në distanca të tilla, ndërsa vetë regjimi pretendonte se kishte vendosur atë kufi prej 2 mijë kilometrash në programin e tij të raketave balistike.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, Irani disponon rreth 14 lloje të ndryshme raketash të tilla – të pajisura me koka luftarake bërthamore ose konvencionale.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, NATO-ja nuk komentoi sulmet ndaj Diego Garcias dhe kapacitetet raketore të Iranit, duke iu referuar vetëm deklaratës së mëparshme për rastin kur Turqia interceptoi me sukses sulme të ngjashme nga Irani.

Ndërsa aftësitë e raketave iraniane vazhdojnë të shqyrtohen, një zyrtar i BE-së tha për Radion Evropa e Lirë, në kushte anonimiteti, se ky është një dimension i ri i luftës me Iranin dhe se mbrojtja ajrore e kontinentit – katër vjet pas nisjes së luftës në Ukrainë – është mjaft e varfëruar. Deri më tani, BE-ja i ka ndarë Ukrainës mbi 70 miliardë euro ndihmë ushtarake për të luftuar pushtimin rus.

Mark Cancian, kolonel i pensionuar i Marinës amerikane, aktualisht këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, e konsideron kërcënimin ndaj Evropës si “shumë real”.

Sipas tij, bazuar në rrezen e demonstruar të lëshimeve të kaluara raketore, Irani mund të godasë disa pjesë të Evropës Juglindore. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja e kanë parashikuar këtë rrezik prej kohësh dhe kanë ndërtuar sisteme mbrojtëse në Poloni dhe Rumani, por paralajmëron se Evropa ende nuk është plotësisht e përgatitur.

“… sepse, kërcënimi është relativisht i ri. Hapat e parë për mbrojtje kundër Iranit janë ndërmarrë, ndërkohë që po zhvillohen kapacitete në lindje për mbrojtje kundër raketave dhe dronëve rusë. Polonia ka ndërtuar një ushtri dhe sistem të mbrojtjes ajrore shumë të fuqishëm, ndërsa hapa të ngjashëm po ndërmerren edhe nga vendet baltike”, thotë Cancian për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Më skeptik për kapacitetet e Iranit për të goditur drejtpërdrejt Evropën shprehet Gordan Akrap, ish-zyrtar i komunitetit të inteligjencës kroate, tani ligjëruses në Universitetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë “Dr. Franjo Tugjman”.

“Së pari, duhet konfirmuar nëse Irani ka raketa që mund të godasin objektiva në distanca prej 4-5 mijë kilometrash. Edhe nëse i ka ato mundësi – duke marrë parasysh flotën e madhe në Mesdhe dhe shpërndarjen e sistemeve antiraketore – jam i bindur se ato do të shkatërroheshin gjatë fazës së afrimit, pasi do të duhej të kalonin mbi Izraelin ose Turqinë. Me shumë gjasa, do të neutralizoheshin në ato hapësira”, thotë Akrap për Exposenë.

Në këtë kontekst, Kosova përfshihet gjithashtu në analizë, për shkak të pranisë së saj ndërkombëtare. Vendi strehon misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, si dhe bazën më të madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel. Sipas të dy ekspertëve, kjo e bën Kosovën shënjestër potenciale, por jo të pambrojtur.

Koloneli Cancian thekson se Kosova përfshihet brenda mbulimit të sistemit antiraketor të NATO-s në Rumani dhe mund ta forcojë mbrojtjen e saj duke bashkëpunuar ngushtë me aleancën.

“Shumë vende kanë marrëdhënie me NATO-n që u mundësojnë të koordinojnë gjëra të tilla si mbrojtja ajrore. Natyrisht, suedezët dhe finlandezët i kanë pasur këto marrëdhënie shumë vite para se të bëheshin anëtarë. Kështu që, është e mundur ta vendosësh një vend të vogël nën ombrellën e NATO-s pa qenë domosdoshmërisht anëtar i saj”, thotë Cancian.

NATO-ja, përkatësisht forca e saj KFOR, mbikëqyr hapësirën e ulët ajrore të Kosovës, ndërsa hapësira e lartë, ajo mbi 6.200 metra është nën kontrollin e Hungarisë – vend anëtar i NATO-s.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar se gjatë mandatit të ri qeverisës, do të ndahen mbi 1 miliard euro për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila posedon tashmë armë të blera nga aleatët e NATO-s.

Akrap pajtohet se Kosova përfiton nga marrëdhënia e saj me NATO-n, por sugjeron se e ardhmja e sigurisë nuk mund të mbështetet vetëm te strukturat e mëdha si Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, për shkak të sfidave të mëdha në marrjen e vendimeve. Ai thekson se forma më fleksibile të bashkëpunimit, si marrëveshja në mbrojtje e Kosovës me Shqipërinë dhe Kroacinë, mund t’i ndihmojnë asaj të përgatitet më mirë për sfidat e ardhshme.

“Askush nuk mund të dalë më fitues nga asnjë konflikt ose luftë, nëse vepron i vetëm. Prandaj, duhet të ndërtohen partneritete, si në nivelin ndërkombëtar, ashtu edhe në atë të brendshëm. Përçarjet nuk i shërbejnë askujt, përveç sulmuesve”, thotë Akrap.

Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin, i cili është rreshtuar pranë Serbisë kundër njohjes së pavarësisë së saj. Disa qytetarë serbë kanë shpërndarë në rrjete sociale koordinatat e bazës amerikane Bondsteel, duke i bërë thirrje Iranit që ta sulmojë atë.

NATO-ja i ka thënë Radios Evropa e Lirë se KFOR-i vazhdon të sigurojë ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, ndërsa autoritetet e vendit kanë thënë se po monitorojnë nga afër implikimet e mundshme të luftës, por nuk kanë sqaruar më shumë.

Cancian argumenton se Kosova dhe Evropa janë tashmë të përfshira indirekt në këtë luftë, përmes ndërprerjeve të energjisë, bllokimit të dërgesave të naftës në Ngushticën e Hormuzit dhe pasigurisë ekonomike, ndërsa, në vlerësimin e Akrapit, këto vende duhet të shqetësohen me të drejtë edhe nga aksionet e mundshme terroriste nga individë apo rrjete të lidhura me Iranin.

“Nuk duhet të harrojmë faktin se shumë pjesëtarë të organizatave të ndryshme shiite i kanë sulmuar caqet perëndimore dhe izraelite gjetiu nëpër botë”, thotë Akrap.

Konflikti në Iran shpërtheu më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta për të frenuar programin bërthamor të Republikës Islamike. Në kundërpërgjigje, Irani dhe aleatët e tij goditën Izraelin dhe objektiva të SHBA-së në vendet aleate – nga Arabia Saudite deri në Qipro.

Cancian thotë se sulmi ndaj Diego Garcias ishte një mesazh i Iranit se ka ende “letra për të luajtur” edhe pas disa javësh luftë.

“Me fjalë të tjera, ai godet vende që strehojnë baza amerikane ose që e lejojnë SHBA-në t’i përdorë bazat e saj në territorin e tyre”, thotë ai.

Sipas tij, askush nuk mund ta dijë me siguri se sa do të zgjasë kjo luftë dhe shmang çdo parashikim të qartë. Ai thekson se negociatat e mundshme që përfliten, janë jashtëzakonisht të ndërlikuara, pasi gjashtë palë do të duhet të bien dakord: SHBA-ja, Izraeli, ndërmjetësit, Garda Revolucionare e Iranit, shtetet e Gjirit dhe aktorët kryesorë globalë – Evropa dhe Japonia.

Në pak fjalë, ekspertët e përshkruajnë situatën si një kërcënim në evolucion, me gjithnjë e më shumë shtete që zhvillojnë kapacitete për të goditur në distanca të mëdha. Kjo nënkupton që Evropa, sipas tyre, duhet të përgatitet për një botë ku kërcënimet nuk janë më të kufizuara gjeografikisht.

Në këtë kuadër, Akrap nënvizon se Kosova duhet të veprojë me mençuri, të ndjekë politika të përgjegjshme dhe të pranojë kompromise strategjike, që do t’i avanconin marrëdhëniet e saj me BE-në dhe me NATO-n./REL

Next Post
“Shpresoj që gjyqi ndaj Veliajt të jetë i drejtë”, ish-kreu i Bashkisë së Bogotas: Ka bërë punë të jashtëzakonshme…

"Shpresoj që gjyqi ndaj Veliajt të jetë i drejtë", ish-kreu i Bashkisë së Bogotas: Ka bërë punë të jashtëzakonshme...

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Policia nuk kishte fotografi”, ish-drejtori tregon rastin: Si nuk po e gjenim dot vrasësin

“Policia nuk kishte fotografi”, ish-drejtori tregon rastin: Si nuk po e gjenim dot vrasësin

March 30, 2026
“Deklaratat e kongresmenit amerikan për drejtësinë, të vërteta”/ Ish-Prokurori: Kur bie gjyqësori, qytetarët nuk marrin të drejtën e tyre!

“Ekzekutimi në Rinas i barabartë me 200 vrasje”, Karanxha: Ngjarje e rëndë që duhet zbardhur

March 30, 2026
Thellohet përçarja në PD! Pas përjashtimeve në Durrës, një tjetër demokrat “goditet” nga Sali Berisha dhe Edi Paloka

Debati/Mërtiri: Pse PD nuk respekton rregullat?Alimehmeti: Nëse jeni anëtar, keni të drejta të plota

March 30, 2026
Grabisnin bankomatet duke i shkulur me kamion-vinç, Prokuroria në Spanjë kërkon 55 vite burg për bandën e shqiptarëve

Grabisnin bankomatet duke i shkulur me kamion-vinç, Prokuroria në Spanjë kërkon 55 vite burg për bandën e shqiptarëve

March 30, 2026
Qeveria Kurti miratoi propozimin për dërgimin e FSK në Gaza, reagon Bordi i Paqes: Mirëpresim angazhimin e fortë të Kosovës për paqen

Qeveria Kurti miratoi propozimin për dërgimin e FSK në Gaza, reagon Bordi i Paqes: Mirëpresim angazhimin e fortë të Kosovës për paqen

March 30, 2026
“Ndërkombëtarët nuk e kanë partner Berishën”, Mërtiri: Opozita nuk ka vizion për pushtetin!

“Ndërkombëtarët nuk e kanë partner Berishën”, Mërtiri: Opozita nuk ka vizion për pushtetin!

March 30, 2026
Iu bashkuan Salianjit, PD përjashton nga partia kryetarin e grupit të këshilltarëve dhe sekretarin e degës në Durrës

Alimehmeti: Kushdo që kandidon përballë Berishës nuk fiton. Mërtiri: Pse nuk lejohet Salianji të kandidojë?

March 30, 2026
Bregu: Berisha e përdor PD-në për hallet e veta, bën përjashtime kur po shkojmë drejt zgjedhjeve lokale

Bregu: Berisha e përdor PD-në për hallet e veta, bën përjashtime kur po shkojmë drejt zgjedhjeve lokale

March 30, 2026
Miqësorja Ukrainë-Shqipëri, kuqezinjtë zhvillojnë stërvitjen e fundit në stadiumin e ndeshjes! Mungon Ismajli, shfaq shqetësime shëndetësore

Miqësorja Ukrainë-Shqipëri, kuqezinjtë zhvillojnë stërvitjen e fundit në stadiumin e ndeshjes! Mungon Ismajli, shfaq shqetësime shëndetësore

March 30, 2026
“Epsteini” ynë

Ëndrra e Berishës për të “shpërfytyruar” kundërshtarët

March 30, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In