Pas tri kërkesash të pasuksesshme një gjykatëse në Krujë vendosi të lirojë nga burgu para kohe Ilir Pajën- i dënuar për plagosjen e një polici, përdhunim, arratisje nga burgu dhe vrasje, e ndihmuar gjithashtu nga një numër vendimesh të kolegëve të saj për ulje dënimi.
Tre herë brenda një viti Ilir Paja, i dënuar me 17 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2012, kërkoi lirim të parakohshëm për shkak të gjendjes shëndetësore.
Dy herë sipas vendimeve publike në faqen online të Gjykatës së Rrethit Krujë, në shkurt të vitit 2017 dhe shtator të po këtij viti, vendimi është pushuar dhe kërkesat nuk janë pranuar. Paja vetë, siç del në dy vendimet e gjyqtares Engjëllushe Tahiri, ka kërkuar pushim të çështjes dhe po ashtu gjykata ka gjetur se nuk kishte arsye për të ndryshuar formën e vuajtjes së dënimit.
Ndërkohë dy muaj pas vendimit të fundit të pushimit, gjykatësja e po këtij rrethi gjyqësor Enkeleida Hoxha vendosi të lirojë para kohe Pajën. Vendimi i fundit i Gjykatës së Krujës nuk është zbardhur ende edhe po ashtu është e paqartë edhe sa kohë burgim kishte për të vuajtur Paja, i cili vetëm në Krujë sipas faqes online të gjykatës kishte marrë disa herë ulje dënimi nga 45 deri në 90 ditë. BIRN gjeti se vetëm këtë vit Gjykata e Krujës shqyrtoi 6 kërkesa të Ilir Pajës dhe veç lirimit të parakohshëm ai përfitoi edhe ulje dënimi. Ajo që bie në sy është se e njëjta gjykatë në të njëjtën periudhë ka dhënë vendime të ndryshme mbi të njëjtat çështje. BIRN konsultoi vendimet e publikuara online nga gjykata, por gjeti se ato nuk ishin zbardhur të plota dhe shpesh në to ka gabime.
BIRN nuk arriti të kontaktonte me gjykatësen Hoxha apo gjykatës të tjerë që kishin marrë vendime mbi këtë çështje. Kancelari i Gjykatës së Krujës i tha BIRN, i pyetur për gabimet e hasura në vendimet e publikuara online, tha se nuk mund të komentonte.
Ilir Paja është dënuar dy herë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Fillimisht për “plagosje të rëndë me dashje” të oficerit të policisë që kërkoi ta ndalonte me 6 vjet e 8 muaj burg. Më pas ai është dënuar po nga kjo gjykatë me 17 vjet burg sipas dosjes së ardhur nga Italia, ku ai akuzohej për vrasje, tentativë vrasje, përdhunim dhe po ashtu dy arratisje nga burgu.
Gazeta italiane La Repubblica në artikullin për arrestimin e tij në vitin 2008 e përshkruan atë si “Ufo”. “Ka përdhunuar dhe vrarë, ka terrorizuar gra që i ka detyruar të prostituojnë dhe ka mbajtur peng fëmijë për tu arratisur”, shkruhet në artikull, ku përshkruhen po ashtu edhe dy arratisjet e tij nga burgjet italiane në vitet 2006-2007.
Vendimi i gjykatëses Enkeleida Hoxha shkaktoi menjëherë reagim publik në media. Gjykatësja kishte liruar pak kohë më parë Genci Tafilin të dënuar për vrasjen e oficerit të lartë të policisë kolonel Arben Zylyftari. Pas reagimeve në media me kërkesë të presidentit Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë vendosi të verifikonte vendimin për lirimin e Tafilit. Ndërkohë e njëjta gjykatëse kishte një masë disiplinore “paralajmërim për largim nga detyra” dhënë nga KLD më 15 prill 2014, që u shfuqizua nga Gjykata e Lartë më 20 dhjetor 2016.
Pas arrestimit në Tiranë në vitin 2008, kur Ilir Paja, në tentativë për të ikur, plagosi rëndë një oficer të policisë dhe mbeti vetë i plagosur, ai u dënua dhe ka qëndruar në qeli deri ditën e djeshme. Regjistri i çështjeve të Gjykatës së Krujës tregon se ashtu si të tjerë të dënuar me dënime të rënda ai ka aplikuar disa herë për ulje dënimi.
Vendimi i fundit për ulje dënimi me 45 ditë e ka dhënë nga gjyqtarja Nazmie Pengli, me datë shpallje 17 korrikun 2017 siç citohet në fund të aktit, por është publikuar në faqen e Gjykatës së Rrethit Krujë më 11 shtator e këtij viti. Më herët po në qershor-korrik të këtij viti Pengli kishte pushuar një tjetër kërkesë për ulje dënimi të Pajës dhe kishte rrëzuar një kërkesë të tij për të ndryshuar trupin gjykues që po shqyrtonte lirimin e parakohshëm.
Vendimi i parë, kur Pajës i janë dhënë 90 ditë ulje dënimi, është marrë në maj të vitit 2011. Një vit më vonë, gjykatësja Enkeleida Hoxha, e njëjta e cila mori vendimin e lirimit, pasi gjen në vendimi se Paja ishte penalizuar për sjelljen në nëntor të vitit 2011 nga drejtuesit e burgut dhe se më herët kishte fituar ulje të dënimit me 90 ditë, i jep atij edhe 80 ditë ulje dënimi në kundërshtim me qëndrimin e Komisionit të Vlerësimit pranë I.E.V.P. Fushë Krujë i cili, sipas vendimit, ishte shprehur për “rrëzim të kërkesës”. Vendimi në fjalë siç është publikuar online nga gjykata (që mund të shkarkohet këtu), ka disa paqartësi. Ai ka datë regjistrimi 6/11/2012, gjatë gjithë vendimit gjykata i referohet këtij viti, por në fund gjykata thotë: “U shpall në Krujë sot më datë 26.06.2011”, rreth një vit para regjistrimit. Po ashtu në të njëjtin vendim të mësipërm sipas asaj që është publikuar, veç Pajës, i cili rezulton se ka bërë kërkesë, gjykata i fal 80 ditë burg edhe një të dënuari tjetër, i cili nuk përmendet në pjesën e parë të gjykimit. Paja ndërkohë ka fituar ulje dënimi edhe në disa vendime të tjera të Gjykatës së Krujës, në vitet 2013, 2014, 2016. Në vendimin e fundit për ulje dënimi del se ai ka fituar rreth 1 vit e 5 muaj e 20 ditë ulje dënimi, të cilit iu shtuan edhe 45 ditë që iu dhanë në atë vendim.
Ngjashëm me Pajën një investigim i BIRN më herët këtë vit gjeti se nga ulje të njëpasnjëshme dhe shpesh herë kontradiktore e të dyshimta dënimesh kishte përfituar edhe Lulzim Berisha.
Ndërkohë ashtu si Berisha dhe të tjerë të dënuar për krime të rënda, Paja pas uljeve të njëpasnjëshme të dënimit ka aplikuar disa herë radhazi për lirim të parakohshëm. Ai ka regjistruar kërkesën e tretë për lirimin e parakohshëm në korrik 2017 vetëm pak ditë pasi kërkesa e dytë e tij kishte filluar të shqyrtohej nga gjykatësja Engjëllushe Tahiri. Kjo e fundit kishte rrëzuar një kërkesë të Pajës për leje dhe po ashtu kishte pushuar njëherë në fillim të këtij viti kërkesën e tij të parë për lirim të parakohshëm. Paja pati kërkuar në këtë rast edhe ndryshimin e trupit gjykues.
Pasi aplikoi për herë të tretë Paja kërkoi pushimin e çështjes që po ndiqej nga gjykatësja Tahiri, dy muaj pas vendimit të pushimit, gjykatësja Hoxha i dha të drejtë atij duke e liruar para mbarimit të dënimit.
Koha që ai ka vuajtur në dënim është po ashtu e paqartë në vendimet e gjykatës. Sipas përllogaritjeve të gjykatëses Nazmie Pengili, gjatë njërit prej vendimeve për ulje dënimi, të dënuarit me akuzë për vrasje në Itali, tentativë vrasje të një punonjësi policie në Shqipëri dhe disa akuza të tjera, i mbeteshin prej korrikut të këtij viti edhe 2 vjet 1 muaj dhe 28 ditë dënimi. Ajo thotë në vendim se deri në atë moment Paja kishte fituar 1 vit 5 muaj dhe 20 ditë ulje dënimi nga gjykatat për sjellje të mirë.
Pengli në vendimin e saj të korrikut që citohet më lart, llogarit se ai kishte vuajtur 14 vite e 10 muaj dhe 2 ditë burg, por Enkeleida Hoxha, gjykatësja që e liroi në një tjetër vendim për ulje dënimi të vitit 2012, thotë se “ai ka vuajtur 5 vjet 7 muaj e 8 ditë burgim”.
Dy vendimet janë dhënë në kohë të ndryshme, pasi në rastin e gjykatëses Pengli, Paja kishte marrë edhe dënimin e dytë me 17 vjet burg, ndërsa në atë të Hoxhës ai rezultonte i dënuar vetëm për plagosjen e rëndë të oficerit të policisë me 6 vjet e 8 muaj.
Sipas këtyre vendimeve Paja në 5 vjet prej 2012 deri në 2017, vuajti 9 vjet e rreth 3 muaj burg.
Një pjesë e vendimeve, siç ishin publikuar në faqen online të Gjykatës së Rrethit Krujë janë të paqarta dhe në disa raste veç ngatërresës me data të ndryshme shpallje, data të ndryshme publikimi, kanë të përfshirë edhe të dënuar të tjerë të cilët nuk përmenden në shqyrtim./BIRN/b.d