Nga BESNIK DIZDARI
Si u festua fitorja e Bashkimit Sovjetik në Europianin e parë? Ngjarjet sportive te vitit 1960 dhe si ndikoi prishja e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik në futboll.
Gazetari sportiv Besnik Dizdari ka rikthyer edhe njehere permes nje speciale te botuar ne Gazeten Panorama me detaje fillimet e nje prej ngjarjeve me te medha futbollistike boterore.
Euforia sportive do të arrijë kulmin mbas pak javëve me paraqitjen e suksesshme të BRSS në Olimpiadën e Romës.
Kryeartikulli i posaçëm shqiptar i kushtohet i gjithi “miqësisë së lashtë dhe të përjetshme shqiptaro–sovjetike, duke kulmuar deri në këtë apotheozë origjinale servilizmi të një absurdi të paparë: “Miqësi të cilën populli ynë qysh në kohën e okupatorit turk e ka gjetur te populli rus”. Nga jashtë, viti 1960, të dukej një vit “i ndritshëm”.
Po ashtu edhe për ne të rinjtë, të cilët sapo kishim përfunduar Gjimnazin, të përfshirë bukur e mirë midis tre argëtimeve kryesore: sport, kinema dhe doemos librin… Natyrisht ishim në një vit të plotë të sovjetizimit të vendit, kur ende filmat e rinj sovjetikë që dilnin në Moskë, nuk vononin as muajin për të mbërritur në Tiranë. Tirana ishte më kinematografike se kurrë me pesë kinema: “Partizani”, “17 Nëntori, “Republika”, “Brigada”, “Agimi”.
Filmat sovjetikë të destalinizimit edhe të artit si “Fati i Njeriut”, “Balada e Ushtarit”, “Netët e bardha” kulmojnë me filmin franko-sovjetik “Normandia Njeman” – për Luftën e Dytë Botërore kushtuar bashkëpunimit BRSS – Francë, shenjë ndër të parat i të ashtuquajturës bashkekzistencë paqësore, që shpejt PPSH dhe Enver Hoxha do ta demaskonin si tejet revizioniste.
Dhe nuk është e rastit që për disa ditë kinematë “Partizani” dhe “17 Nëntori” bllokojnë “artin” për të shfaqur me bujë dokumentarin e gjatë “Takim me Francën” që i kushtohet vizitës së Nikita Hrushovit në Francë – një vit më parë i shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës. Mandej, kur vinte e shtuna, po sidomos e diela, mijërat e njerëzve mbushnin Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe tek Ura e Lanës kthenin djathtas për të mbërritur Stadiumin “Dinamo” (sot “Selman Stërmasi”), i cili qysh prej 3 prillit 1960 ishte bërë epiqendër e ndeshjeve e Kampionatit Shqiptar të futbollit.
Kështu, ngaqë Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” kishte mbyllur dyert për një përtëritje kryesisht të fushës së tij, për herë të parë qysh nga 1946 kur qe përuruar… Kjo ishte atmosfera e Europianit të 1-rë të Europës, ndryshe Kupa e Kombeve, në Shqipërinë e vitit 1960.
U tha se askush në Tiranë nuk i ka parë në televizion ndeshjet e EURO 1960. Ishte shtypi i njëanshëm shqiptar, siç e përmendëm, ai që merrej vetëm me fitoren e bujshme të Bashkimit Sovjetik që vetvetiu u bë “skuadra e zemrës” edhe e Shqipërisë. Si asnjëherë sporti ishte bërë tejet i rëndësishëm, ndërkombëtar e politik madje edhe në Tiranën e Shqipërisë Komuniste. Zhvillime të skajshme do të shfaqeshin më tej. Do t’i tregojmë në numrin e ardhshëm…
LETRA E RRALLË E FUTBOLLISTËVE TË BRSS PËR ATA TË SPANJËS!
Historia e themelimit të Kampionatit Europian të futbollit ruan një nga gjestet më të rralla, më të jashtëzakonshme që njeh historia e futbollit botëror. Mbas vendimit të gjeneralit Franco që Spanja e tij të mos ndeshet me skuadrën e Bashkimit Sovjetik, futbollistët sovjetikë publikojnë një letër të hapur drejtuar futbollistëve të Spanjës, një letër “keqardhjeje”, “humanizmi” e “miqësie” të papame, duke dënuar edhe ata “Luftën e ftohtë”, që simbas tyre nxitej vetëm nga pala tjetër, ajo kapitaliste. Në një kohë që ajo sovjetike ishte pikërisht një mjeshtre e nxitjes së kësaj “lufte të ftohtë”. Një demagogji e tanë, sigurisht.
Dihet ndërkaq, gjestet propagandistike të shoqërisë komuniste janë përherë sa mjeshtërore, po aq dhe paradoksale. Letra e tyre që deri më sot ka mbetur pa hyrë në botimet historike të futbollit, po botohet këtu për herë të parë, marrë nga shtypi sovjetik i vitit 1960. E shkurtër, “domethënëse” në plotërinë e saj, ajo thotë fjalë për fjalë këto: “Futbollistëve të skuadrës përfaqësuese të Spanjës.
Të respektuar sportistë – anëtarë të skuadrës përfaqësuese të Spanjës! Me keqardhje mësuam që pushtetarët spanjollë ju kanë penguar ju që të ndesheni me skuadrën përfaqësuese të BRSS për një garë sportive në fushat e futbollit të Moskës dhe të Madridit, ndeshje këto të vlefshme për Kupën e Europës.
Jo vetëm ne dhe shoqëria jonë sportive, por dhe rrethet më të gjera të dashamirëve të futbollit në të gjithë vendet, nuk mund të mos revoltohen nga kjo ndërhyrje e egër e diktatorit fashist Franco, prishës i një prej garave më të mëdha europiane të futbollit. Akti i qeverisë frankiste tregon se ajo zbaton vullnetin e padronëve të saj amerikanë, që përpiqen të përfshijnë edhe sportin në ‘luftën e ftohtë’.
Ne me shumë gëzim ishim bërë gati për ardhjen tuaj dhe po përgatisnim takimin e shumëpritur dhe pritjen që ju meritoni. Nuk është faji i juaj, që ajo nuk zhvillohet me ju. Ne e dimë që ju sinqerisht dëshironit të vinit në Moskë dhe të na prisnit në vendin tuaj. Ne nuk dyshojmë që bashkë me ne ndiejnë keqardhje për moszhvillimin e ndeshjeve të gjithë dashamirët e futbollit aq të interesuar për garat sportive.
Futbollistët e Bashkimit Sovjetik besojnë se ideja e miqësisë dhe e paqes është edhe te ju aq e dashur sa dhe te ne dhe se asnjë barrierë dhe asnjë forcë nuk mund të ngatërrojnë bashkëpunimin dhe miqësinë midis sportistëve”.
Pjesëmarrësit e skuadrës përfaqësuese të BRSS në futboll: mjeshtrit e merituar të sportit I.Neto – kapiten i skuadrës, J.Vojnov, B.Ivanov, B.Kuznjecov, A.Maslenkin, V.Carev, L.Jashin; mjeshtrat e sportit të BRSS – B.Batanov, V.Bubukin, Z.Kalojev, V.Kesarev, S.Kotrikadze, A.Krutikov, V.Maslaçenko, M.Mes-hi, S.Metreveli, J.Mosalev, V.Ponedelnik. Trajnerët e skuadrës – trajnerë të merituar të BRSS – G.Kaçalin, N.Guljajev.
Sigurisht, ende pak kuj mund t’i shkonte ndër mend se shumica e këtyre firmatarëve të kësaj “letre të hapur” – model i përkryer i stilit “të klasës punëtore” – deri sot e vetme (unikale) në historinë e Kampionateve të Europës, mbas disa javëve do të bëheshin Kampionët e parë të Europës. Për ne ata ishin të gjithë fort të njohur, sepse emrat e tyre nuk pushonin së hequri prej faqeve të shtypit sportiv shqiptar.
Sigurisht, po ashtu siç ishin urdhëruar futbollistët sovjetikë prej pushtetarëve të tyre për të shkruar këtë letër, po ashtu ishin urdhëruar edhe futbollistët spanjollë për të mos iu përgjigjur asaj. Dhe fliste për paqë, miqësi e liri pikërisht Bashkimi Sovjetik që mbante të pushtuar ushtarakisht Hungarinë dhe që kishte nën sundimin e tij të rreptë gjithë shtetet komuniste të Europës, e pra edhe Shqipërinë e sovjetizuar më fort se kurrë…
NË FRANCËN E VITIT 1960, ASHTU SI DHE SOT…
UEFA ndërkohë kishte vendosur që finalet të zhvillohen midis 4 më të mirave në vendin e një prej të kualifikuarve. Nuk mund të kishte më të përshtatshme se Franca. Kishte shpikur Kampionatin Europian me Henri Delaunay-n e saj, kishte një traditë të mrekullueshme futbolli, kishte kushte, kishte një skuadër të rrallë, të tretën e Botës…
Dhe ndeshjet e mëdha, historike të futbollit të kontinentit do të interpretoheshin në stadiumet e Parisit dhe të Marsejës. Është korrik 1960. Mungon publiku. Në të katër ndeshjet do të ishin vetëm 18.637 shikues, mesatarisht për çdo ndeshje. Edhe francezët e kishin të vështirë të merrnin me mend se çka mund të ishte ky “kampionat i parë i kombeve të Europës”.
Kështu apo ndryshe, më 6 korrik 1960, në Paris, 26.000 spektatorë do të vëzhgonin gati me indiferentizëm gjysmëfinalen e parë, atë Francë-Jugosllavi. E treta e botës është pa yjet e Suedisë, të mëdhenjtë Kopa, Fontaine e Piantoni. Por papritmas ndeshja ka një ecuri krejt spektakolare, duke u përshkuar përmes furisë së pandalshme të golave. Franca arrin deri në 3-1, mbasi kishin nisur jugosllavët 1-0 me Galiç qysh në të 11′.
Duket si punë e mbaruar, por po kaq papritmas jugosllavët fillojnë ta transformojnë ndeshjen në një ngjarje krejt të pakëndshme për francezët. Zenetic shkurton në 3-2 në të 5′, por 7 minuta më vonë, Heutte e çon Francën në 4-2. Ky lloj fataliteti gati të duket se ngjason me fatalitetin francez të portugezëve në këtë 10 korrik 2016 që sapo kaloi. Dhe 13 minuta më vonë, Knez fillon serinë që deri më sot është quajtur “seria e gabimeve fatale të portierit Lamia”. Ato janë ndër gabimet më të rënda që deri më sot një portier mund të ketë bërë në të gjithë finalet e Kampionateve Europiane.
Përfitojnë sllavët radhazi: në 77′ e 78′ Jerkoviç nuk përmbahet: 5-4! Të parët që hidhen përpjetë prej gëzimit janë trajnerët jugosllavë, plot tre, rast tejet i rrallë: Tirnaniç, Nikoliç dhe Loviç. Tirnaniç kishte qenë po ashtu trajneri i Jugosllavisë në Ballkaniadën e Tiranës 1946, të cilit Shqipëria e vogël i kishte rrëmbyer titullin ballkanik! Por tash ajo është një Jugosllavi që fiton 5-4 dhe për Francën ky kampionat nuk përbën më një ngjarje për t’iu kushtuar. Asnjëherë deri më sot nuk ka ndodhur më që në një gjysmëfinale të Kampionatit Europian brenda katër minutave, 75, 77, 78 të shënohen tre gola dhe një rezultat të përmbyset nga 4-2 në 5-4!
Ndërkaq, në Marsejë, po atë ditë të 6 korrikut, skuadra e BS përballë një Çekosllovakie. Jashin, Voinov, Neto, Ivanov, Ponedelnik, Metreveli, Mes’hi – firmuesit e mësipërm të letrës në fjalë. Dhe një trajner i madh, më i madhi i BS-së në të gjitha kohërat: Gavril Kaçalin. Dhe BS-Çekosllovaki 3-0! Diçka e papërmbajtshme, një furtunë tipike ruse, ndonëse Mes’hi dhe Metreveli u përkasin republikave të jugut të gjigantit euroaziatik. Dy herë shënon Ivanov dhe një herë Ponedelnik. Shrojf, Novak, Popluhar e Masopust, historinë e tyre të madhe do ta shkruanin vetëm mbas dy vjetëve në stadiumet e Kilit për Kupën e Botës…
Më 9 korrik në Marsejë do të ishte ndeshja për vendin e 3- të, e ashtuquajtura “finale e ngushëllimit”. Janë Franca dhe Çekosllovakia. Në stadiumin e Marsejës indiferentizmi ka arritur kulmin. Vetëm 9000 shikues! Dhe Çekosllovaki-Francë 2-0. “Është ndeshja më e keqe e 30 vjetëve të fundit”, deklaron trajneri francez, Thephot. Tash e kishte radhën Parisi, ku do t’i jepej Kupa e parë “Henri Delaunay”. E megjithatë, Europa e futbollit nuk e kishte fort mendjen te kjo finale e parë. Veçanërisht ajo perëndimore. Ky kampionat, i një “përmbajtjeje thuajse krejt sllave”, megjithatë kishte një “kamp” që jetonte me emocion me këtë finale të parë të një Europiani.
Ishte “kampi socialist”. Sot duket si kalim i një prehistorie edhe për ne shqiptarët, të cilët nuk e kishim Kombëtaren tonë prej më se 7 vjetësh (vetëm dy ndeshje miqë- sore). Ashtu si dhe sot, do të ishte po 10 korrik. Kështu që edicioni i 15-të jubilar i Kupës së Kombeve të Europës – ndryshe Kampionati Europian, përkon ditë më ditë me 56-vjetorin e tij po në Paris: 10 korrik 1960 – 10 korrik 2016! Gavril Kaçalin përballë treshes së trajnerëve jugosllavë A. Tirnaniç, D. Nikoliç, Lj. Lovriç, prej të cilëve Aleksandër Tirnaniç kish qenë një nga futbollistët pjesëmarrës të Kampionatit të parë Botëror të Futbollit më 1930-n në Montevideo. Kohët e fundit, Serbia ka bërë një film të mrekullueshëm historik kushtuar asaj pjesëmarrjeje të Jugosllavisë në Kampionatin e 1930-s, duke pasur personazh edhe Tirnanicin, – trajnerin e mëpasëm legjendar të saj…
Gjithsesi, ajo do të ishte thuajse si një përsëritje e finales olimpike të 4 vjetëve më parë, më 1956-n në Melburn, kur BS ia kish rrëmbyer medaljet e arta pikërisht Jugosllavisë. Madje, prej të dyja palëve ka shumë emra të asaj finaleje: Jashin, Maslonkin, Netto, Shekularac… Do të ishte një dramë futbolli, së cilës nuk do t’i mjaftonin 90 minutat. E për histori dihet që Melburni kishte shëruar plagën e madhe të humbjes sovjetike në Olimpiadën e Helsinkit më 1952, për të cilën Stalini nuk kishte falë assesi. Ngjarja ia vlen të tregohet edhe këtu, për të kuptuar se çfarë ndikimesh politike kishin asokohe ngjarjet sportive.
KUR STALINI DËNONTE DHE ZHDUKTE CSKA-NË E MOSKËS…
Shkrirja e CSKA-së së Moskës, ndonëse ngjet mbas shkrirjes së Kampionatit 1948-49 të Shqipërisë, përbën gjithashtu një rast botëror në politikën sportive të vendeve komuniste. Po e tregoj këtu këtë rast sovjetik, aq fort të ngjashëm me atë shqiptar. Gjithçka ka lidhje me pjesëmarrjen e skuadrës së Bashkimit Sovjetik në turneun olimpik të futbollit në Olimpiadën e Helsinkit më 1952. Më 20 korrik 1952, BRSS barazon 5-5 me Jugosllavinë, ndonëse ndodhej në humbje 1-5, por dy ditë më vonë, ndeshja përsëritet: 22 korrik 1952.
Jugosllavia fiton 3-1 dhe eliminon Bashkimin Sovjetik. Ishte një Jugosllavi që do të fitonte medaljet e argjendta (të artat i rrëmben Hungaria e Ferenc Pushkashit), në përbërjen e së cilës ishin legjendarët e saj Çajkovski, Horvat, Mitic, Vukas, Bobek, ndaj të cilëve dy herë Shqipëria kishte triumfuar duke iu rrëmbyer titullin e Kampionit të Ballkanit ’46, por dhe 0-0 të Beogradit 1948. Në Jugosllavi eliminimi i sovjetikëve nxit një eufori të papërshkrueshme politike. Deri dhe në garnizonin e Prishtinës fitorja festohet me të shtime artilerie! Ndërkaq, humbja nuk durohet nga Stalini dhe të tijtë. Shtypi sovjetik, si në shêj zie, nuk boton asnjë foto nga ndeshjet e skuadrës sovjetike, nuk shfaq as dokumentarin e pjesëmarrjes.
Drejtuesit e delegacionit sovjetik thirren rrufeshëm në Moskë, pa u lejuar të marrin pjesë në ceremoninë e mbylljes së Olimpiadës që zhvillohet më 5 gusht 1952. Sekretari i KQ të Byrosë Politike të PK të BRSS, Malenkov, thërret në Kremlin drejtuesit me në krye kryetarin e Komitetit Olimpik të BRSS, Romanov. Mbas bisedimit krye më krye me Stalinin, Malenkovi kthehet me vendimin e pamëshirshëm të udhëheqësit suprem. Fajtorët kryesorë janë lojtarët e klubit të Ushtrisë CDSA (CSKA), të cilët përbënin shumicën e lojtarëve të Kombëtares. Prej këtu lind dhe vendimi Nr. 793 i 18 gushtit 1952, në të cilin thuhet:
“Duke marrë parasysh që skuadra e CDSA (CSKA) nuk është sjellë në mënyrë të kënaqshme, duke humbur ndeshjen me Jugosllavinë, dhe duke i bërë një dëm serioz prestigjit të sportit sovjetik dhe shtetit sovjetik, urdhëron: 1. Për shkak të dështimit në Lojërat Olimpike, dëmit serioz të shkaktuar ndaj prestigjit të sportit sovjetik, skuadra CDSA (CSKA) përjashtohet nga Kampionati i Futbollit të BRSS dhe ajo shkrihet”. Më 18 gusht 1952 ndeshja e radhës CDSA (CSKA) – Dinamo e Kievit nuk luhet dhe skuadrat e Kampionatit nga 15 bëhen 14, pra pa skuadrën e Ushtrisë së Kuqe.
Duhej të vdiste Stalini që, vetëm mbas një viti, në vjeshtën e vitit 1953, ministri i Mbrojtjes Nikolaj Bulganin të vendoste për rithemelimin e klubit të shkrirë, CDSA-së (CSKA) së Moskës! Kjo është ngjarja e pabesueshme staliniane, tejet e ngjashme me shumë ngjarje që nisnin të ndodhnin në Shqipëri qysh më 1948-49. Dhe që jo pak do të përsëriteshin edhe në vite të tillë si, bie fjala, ai 1967, me përjashtimin zâmadh të 17 Nëntorit e Partizanit, të cilit së shpejti do t’i rikthehemi për të treguar historinë, që shumëkush po e shpërbën me shkrime tejet të nxituara…
ma.me