Ndërgjegjësimi në rritje për përhapjen e koronavirusit Covid-19 kudo në botë, do të thotë që të gjithë do të duhet të sfidojnë zgjerimin e përhapjes, përmes masave të ndryshme.
Nëse keni një rast të konfirmuar të sëmundjes koronavirus Covid-19 por nuk keni nevojë për kujdes të menjëhershëm mjekësor, profesionistët e shëndetit sugjerojnë vetë-izolimin. Kjo do të thotë të ndaheni nga njerëzit e tjerë në mënyrë, që të bëheni më të mirë pa infektuar askënd tjetër. (Ekspertët rekomandojnë gjithashtu izolimin ose karantinën për ata që kanë kontaktuar një profesionist të shëndetit dhe tregojnë simptoma të sëmundjes – përfshirë ethe, kollë të thatë dhe këputje – por ende nuk janë testuar, dhe për ata që kanë qenë në kontakt të ngushtë me njerëz që dihet se kanë virusin).
Eshtë një metodë me efektshmëri të lartë për të ngadalësuar shpërhapjen e virusit, dhe një prej mënyrave se si u frenua shpërhapja e virusit SARS në 2003. Për këtë arsye profesionistët e shëndetit këmbëngulin se, kushdo që tregon simptoma duhet të qëndrojë larg të tjerëve sa më shumë që të mundet, ndërkohë që të konsultohen vazhdimisht me ofruesit e kujdesit shëndetësor për këshilla, se sa kohë duhet të rrinë të izoluar, që në shumicën e rasteve është një periudhë 14-ditore.
Vetëizolimi mund të reduktojë numrin e infeksioneve, duke u lejuar spitaleve të trajtojnë ata që kërkojnë vëmendje, pa u mbingarkuar.
Por është një proces me përfshirje, që kërkon shumë vigjilencë dhe përkushtim, dhe nëse është e mundur ndihmë nga një bashkëshort, partner, mik apo anëtar i familjes. (Kjo është e ndryshme nga vetë-karantina, që është kur dikush që nuk ka ende simptoma, por ka rënë në kontakt me disa që i kanë, rri larg njerëzve për të parë nëse është sëmurë.)
Për fat të mirë, ekspertë mjekësorë dhe zyrtarë nga e gjithë bota kanë renditur praktikat më të mira për rastin kur ju jeni në shtëpi, larg nga të tjerët për shkak të Covid-19, i cili mund të kërkojë maska, doreza, furnizime pastrimi dhe shumë sapun.
Ja një udhëzues i shpejtë për ato praktika.
Si mund të vetëizolohet më mirë, një person me Coronavirus
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Shërbimi Kombëtar i Shëndetit i Britanisë (NHS) rendit pesë gjëra kryesore që duhet të bëni gjatë vetë-izolimit. Disa janë jashtëzakonisht të thjeshta; pjesa më e vështirë është t’u përmbahesh atyre për një periudhë potenciale dy-javore.
- Qëndroni në shtëpi
Seriozisht, rrini në shtëpi. Kjo duhet të jetë e qartë nga termi “vetë-izolim”, por mbetet praktika më e mirë. “Mos dilni nëse jeni të sëmurë”, shkruan Tom Frieden, ish-drejtori i CDC, për revistën Think Global Health.
Dikush që ka simptoma të koronavirusit nuk duhet të dalë nga shtëpia nëse nuk është për kujdes mjekësor. Kjo do të thotë të shmangni çdo hapësirë publike si punë, autobusë, shkolla, taksi, apo dyqane ushqimore. Nëse keni dikë që mund të ndihmojë në blerjen dhe shpërndarjen e ushqimit ose furnizimeve sipas nevojës – qoftë një mik apo një shërbim në shtëpi – kërkojuni të marrin atë që është e nevojshme.
Ndërkohë, nëse nuk mund të punoni, përdorni kohën për të lexuar ose parë televizor.
“Le të inkurajojmë shërbimet tona të transmetimit dixhital, përfshirë Netflix, Disney, Hulu, Apple, Amazon dhe shërbimet e tjera që të ofrojnë shërbime falas për njerëzit në karantinë në shtëpi dhe në vendet me transmetim komunitar, në mënyrë që të bëjnë qëndrimin në shtëpi më të këndshëm – dhe për këtë arsye të rrisim shanset që njerëzit do i zbatojnë masat”, shkruan gjithashtu Frieden.
- Ndahuni nga njerëzit e tjerë dhe kafshët shtëpiake
Nëse jetoni me dikë, si një bashkëshort ose partner, ose keni kafshë, do të jetë një sfidë të largoheni prej tyre – por është pikërisht ajo që duhet të ndodhë.
Nëse është e mundur, qëndroni në një dhomë të veçantë dhe përdorni një banjë të veçantë nga të gjithë të tjerët. Këshilla është që vetëm të dilni nga dhoma për të marrë ushqimin kur askush tjetër nuk është në kuzhinë, dhe më pas të dezinfektoni të gjitha hapësirat. Kjo mund të përfshijë banesën, dorezat e dyerve, të frigoriferit, etj.
Ju duhet të merrni ushqimin përsëri në zonën e izoluar, mundësisht dhomën e gjumit. Dhe mos ndani pjata, gota ose vegla. Pas përdorimit, ato duhet të lahen plotësisht me sapun dhe ujë me dorë, ose në një makinë larëse enësh.
Sa për kafshët shtëpiake, është shumë e rëndësishme që CDC ju rekomandon të qëndroni larg. “Edhe pse nuk ka raportime për kafshë shtëpiake ose kafshë të tjera që sëmuren me COVID-19, prapë rekomandohet që personat e sëmurë me COVID-19 të kufizojnë kontaktin me kafshët derisa të kemi më shumë informacione rreth virusit,” shpjegon CDC në faqen e saj të internetit. Nëse nuk mund të mbani larg kafshët shtëpiake, lani duart pas çdo ndërveprimi.
Sigurisht, ju prapë mund t’u thoni miqve tuaj që i keni xhan, përmes derës së mbyllur.
- Mbani lëngjet nga kollitjet dhe teshtitjet, larg ajrit ose sipërfaqeve të ndotura
Të gjithëve u është thënë që të teshtijnë ose kolliten në këndin e bërrylit për të ndaluar përhapjen e virusit përmes stërklave, dhe e njëjta gjë vlen edhe gjatë izolimit.
Nëse nuk mund të vishni një maskë për të mbrojtur të tjerët nga stërklat tuaja, ose sepse ka mungesë maskash, apo sepse ju shkakton probleme me frymëmarrjen, “atëherë njerëzit që jetojnë me ju nuk duhet të qëndrojnë në të njëjtën dhomë me ju, ose duhet të mbylojnë fytyrën nëse hyjnë në dhomën tuaj”, thotë CDC.
Mos qëndrimi në të njëjtën dhomë është thelbësore. Një bashkëshort, partner ose mik nuk duhet të përdorë të njëjtën shtrat me personin e sëmurë. Rekomandohet që personi më i shëndetshëm të flejë diku tjetër, qoftë në një dhomë tjetër nëse është e mundur, ose në divan.
- Lani duart
Eshtë gjëja më e mirë që një person mund të bëjë për të shmangur infeksionin: Nëse ka një virus në dorën tuaj dhe ju prekni hundën, gojën ose sytë, mund të infektoheni. Por veçanërisht nëse dikush është i sëmurë, ose një person tjetër është duke u kujdesur për të sëmurin, larja për të paktën 20 sekonda dhe shpesh me sapun dhe ujë është gjëja më e mirë e mundshme.
Nëse nuk keni sapun dhe ujë, profesionistët mjekësorë rekomandojnë të përdorni dezinfektantin e duarve me të paktën 60 përqind alkool. (Jo, vodka e Titos nuk llogaritet.) Duhet të ketë të paktën 60 përqind alkool që ai proces të funksionojë, dhe të gjitha sipërfaqet e duarve duhet të fërkohen derisa të thahen.
- Pastroni dhe lani gjërat që i prekni më shumë në shtëpi
Pastrimi i kuzhinës, siç u përmend më lart, është thelbësor, por nuk është gjithça që duhet dezinfektuar. Eshtë e paqartë se sa është i madh është faktori i përhapjes së virusit nga sipërfaqet, por ende rekomandohet pastrimi i plotë.
Çdo gjë që preket në shtëpi duhet të pastrohet plotësisht. Kjo do të thotë “banakë, tabletë, çadra dore, pajisje për banjo, tualete, telefona, tastierë, tableta dhe tavolina në shtrat, çdo ditë,” siç shkruan CDC.
Banjat shpesh janë anashkaluar, por janë të rëndësishme pasi mund të kenë gjak, pështymë ose lëngje të tjera trupore në to që mund të përhapin virusin. Kjo është arsyeja pse duhet që personi i sëmurë të përdorë banjën e vet, ndërsa të tjerët në shtëpi të përdorin një tjetër, nëse është e mundur.
Nëse ka vetëm një banjë, NHS rekomandon vendosjen e orareve, ku “personi i izoluar e përdor i fundit, para se të pastrojë plotësisht vetë banjën”. Të gjithë duhet të përdorin peshqirë të veçantë nëse nuk e bëjnë tashmë.
Kjo praktikë më e mirë shtrihet edhe në lavanderi. Duhet “menjëherë” të hiqet çdo rrobë ose çarçafë që kanë mbi to gjak, pështymë ose lëngje trupore, mundësisht duke përdorur doreza të disponueshme. Personi që heq sendet, mundësisht një partner ose mik – jo personi i sëmurë – duhet të lajë duart më pas.
Dhe për CDC, “vendosni të gjitha dorezat e përdorura, fasadat dhe sendet e tjera të kontaminuara në një enë qese më vete, përpara se t’i vendosni me mbeturina të tjera shtëpiake.”
Kur t’i jepet fund izolimit
Arsyeja që përqëndrohemi në vetëizolimin është se është shumë e efektshme, por edhe shumë e ndërlikuar. Të kuptuarit e nuancave mund të ndihmojë në mbajtjen e të tjerëve të sigurt dhe ndoshta shërimin e vetë personit.
Gjithësesi, një person i sëmurë mund të ndjejë ankthin për t’i dhënë fund izolimit. Siç e thotë NHS, ata që janë të izoluar kanë tendencë “të mërziten ose zhgënjehen”, me gjendjen shpirtërore të një personi me humor të rënë, duke u ndjerë të shqetësuar ose duke patur probleme me gjumin.
Por vetë-izolimi nuk duhet të përfundojë derisa “rreziku i transmetimit sekondar te të tjerët mendohet të jetë i ulët,” thotë CDC. Për të ditur kur është koha e duhur, vendimi duhet të merret “në konsultim me ofruesit e kujdesit shëndetësor dhe drejtoritë shtetërore dhe lokale të shëndetit”.
Me fjalë të tjera, kërkoni këshilla profesionale para se t’i jepni fund izolimit. Shpresojmë që ajo ditë të vijë sa më shpejt, pasi të keni ndjekur praktikat më të mira të rekomanduara. / Vox – Bota.al