Nga Ben Andoni
Ka një dualitet mendimi kur pyetet drejtoresha e Institutit të Monumenteve, e cila duhet përgëzuar për punën e saj, që lidhet me përcaktimin e një liste për mbrojtje paraprake të disa ndërtimeve, e cila duket se pengon disi. “I falënderoj qytetarët e Tiranës që kanë treguar bashkëpunim e kanë ndihmuar në punën e tyre specialistët e Institutit të Monumenteve, të cilët kanë shpenzuar kohë të gjatë në terren pranë këtyre objekteve. Vërej një ndërgjegjësim të lartë tashmë të qytetarëve për t’i mbrojtur këto vlera unike”, thotë ajo, që në një të njëjtën intervistë, por pak rreshta më parë shprehet se: “Duhet të theksoj se qëndrimi ndaj monumenteve të kulturës dhe vlerësimi i tyre nga komuniteti ka qenë në nivele të larta para viteve ’90. Por kultura urbane dhe arkitektonike vërej se ende është larg ndërgjegjes qytetare, pavarësisht përparimit në shumë fusha të tjera”.
Ndërkohë, që pritshmëria e qytetarëve ndaj Bashkisë së tyre është pothuaj nul. Por je vetëm tiranasve. Vetë Dollani i ka bërë një letër Bashës, që t’i përcjellë dokumentacionin e pallatit konform rregullave, por asgjë. Fakt, që të bën të besosh se Tirana është në dorë të rastësisë dhe oreksit të kryetarëve të plotfuqishëm, që nuk pyesin më për asgjë. Rivaliteti politik midis së Djathtës dhe të Majtës përgjatë 24 viteve të fundit vijon ende të rrijë në pozicione absurde, sipas arkitektit Biçoku, që veçon me shumë kujdes faktin se njerëzit që përfaqësojnë forca politike mund të jenë në rivalitet në moment që konkurrojnë për fushata elektorale, se cili do të zgjidhet. Përtej historisë së këtij momenti, duhet të theksojmë se burokratët e Bashkisë në momentin që janë në detyra administrative, janë të detyruar të bashkëpunojnë. Fakt që prej vitesh nuk ndodh. E duket se jo vetëm që nuk bashkëveprojnë por shemrojnë vazhdimisht me njëri-tjetrin dhe këtë e sheh me pallatin e fundit, ku duket që respekti institucional për Institutin e Monumenteve ka qenë absolutisht i pamjaftueshëm edhe pse ai është institucioni teknik kopetent. Në një farë mënyre ky kaos na jep të drejtën që të testojmë veten sesa të zotë jemi për ta prishur qytetin tonë, atë që sot ka gjithnjë e më pak gjurmë të identitetit të vet, atë që ndryshon përditë e më shumë në kurriz të vlerave të vërteta urbane të një metropoli bashkëkohor.
Ashtu si në kohën parazgjedhore të shkuar, ka filluar në gjithë Tiranën, një sërë ndërtimesh pa leje. Instituti, që ju drejtoni, me një urdhër ka mundur të vendosë në mbrojtje paraprake disa prej ndërtimeve, që tashti kërcënohen realisht. Në këtë realitet cila është mundësia juaj për ta ndalur këtë katrahurë?
“Zhvillimet e pakontrolluara në territorin e Shqipërisë janë frenuar prej muajsh me anë të vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit. Po kështu, Këshillat Kombëtarë të riformatuar të Arkeologjisë dhe të Restaurimeve kanë vendosur filtra shumë rigorozë dhe Ministria e Kulturës me institucionet e saj të trashëgimisë ku bën pjesë IMK, ndjekin me vëmendje çdo zhvillim.
Është i vërtetë masakrimi i territorit në të shkuarën, ku institucionet e ngarkuara me ligj për mbrojtjen dhe kontrollin e tij kanë neglizhuar detyrën dhe kanë mbyllur sytë përballë fenomenit. Pyetja juaj është për Tiranën, ndaj fokusohem këtu: Instituti i Monumenteve ka vlerësuar të domosdoshëm shpalljen e një sërë objektesh që kanë potencial kulturor e njëherazi vlera arkitektonike. Këto objekte në kohën e ndërtimit të tyre kanë përvijuar qytetin –kopsht, sipas planeve rregulluese të arkitektëve italianë. Zhvillimet e mëvonshme e kanë tjetërsuar qytetin, si pasojë e nevojës imediate për strehim, por gjithsesi, objektet shumë-familjare të pozicionuara përgjatë rrugëve kryesore ose edhe si kompozime kompleksesh urbane ishin të rregullta. Vitet ’90 shënuan kthesën në urbanistikën e qytetit dhe në këndvështrimin e përgjithshëm ndaj objekteve të trashëgimisë kulturore.
Duhet të theksoj se qëndrimi ndaj monumenteve të kulturës dhe vlerësimi i tyre nga komuniteti ka qenë në nivele të larta para viteve ’90. Por kultura urbane dhe arkitektonike vërej se ende është larg ndërgjegjes qytetare, pavarësisht përparimit në shumë fusha të tjera.
Instituti i Monumenteve të Kulturës ka shpallur në mbrojtje paraprake një numër të konsiderueshëm vilash e objektesh me funksion publik. Detyra jonë është studimi i tyre dhe evidentimi i vlerave që mbartin, por jo ruajtja fizike e tyre. Urdhri i shpalljes në mbrojtje paraprake është përcjellë pranë Bashkisë së Tiranës, e cila ka në varësi Inspektoriatin e Ndërtimit. Është detyra e kësaj instance të kontrollojë në çdo rast të ndërhyrjeve të palejuara në territor dhe të verifikojë dokumentacionin. Megjithatë dhe ne ndjekim çdo rast me vëmendje për të garantuar brenda kompetencave tona mbrojtjen”.
Arta Dollani: Kultura urbane dhe arkitektonike ende larg ndërgjegjes qytetare
Drejtoresha e Institutit të Monumenteve shprehet për objektet e listës së ndërtimeve që janë në mbrojtje paraprake dhe punën e institucionit të saj. Cili është përgjegjës për katrahurën e ndërtimeve që po ndodhin…
Çfarë kriteresh keni pasur parasysh në listimin e objekteve, që ishin në mbrojtje paraprake?
“Ashtu siç përmenda më lart, objektet në mbrojtje paraprake u janë nënshtruar disa lloj kriteresh. Janë analizuar nga pikëpamja urbane, arkitektonike, historike dhe estetike. Kryesisht janë ndërtime të periudhës së para luftës së dytë botërore të cilat paraqesin vlera të veçanta. Por edhe ndërtesa të pas Luftës që kanë një tipologji të caktuar arkitektonike janë vlerësuar si të tilla.
Jemi në proces vlerësimi të hollësishëm të çdo detaji. Kjo është një punë kolosale që kërkon kohën dhe procesin e saj të kujdesshëm dhe ne po punojmë çdo ditë”.
Kryetari aktual i bashkisë Lulëzim Basha edhe pse premtoi se Tirana nuk do prekej, qyteti është kthyer në një kantier. A kanë mundësi institucionet e shtetit të veprojnë në raste të tilla dhe cila është rruga që ndiqet?
“Ajo çka jemi të gjithë të interesuar në radhë të parë si qytetarë, besoj se është rritja e cilësisë së jetesës. Për ne, për fëmijët dhe prindërit tanë. Secili nga ne dëgjon premtimin dhe sheh veprimin.
Bashkia e qytetit ka rolin parësor për këtë. Vlerësimin e drejtë do e bëjnë qytetarët e Tiranës ditën e zgjedhjeve. Janë disa institucione përgjegjëse për planifikimin dhe kontrollin e territorit në nivel lokal dhe qendror. Në çdo rast devijimi nga ligjshmëria janë këto institucione që kontrollojnë dhe marrin masat, dhe Ministria e Kulturës, IMK dhe DRKK nuk kanë ngurruar ta bëjnë këtë”.
Cilat mendoni si hapat tuaj të mëtejshëm në mbrojtjen e objekteve që janë në listën me mbrojtje paraprake?
“Studimi dhe evidentimi i vlerave deri në vendimin final për t’i shpallur monument kulture. Hapi tjetër është përfshirja në planifikimin e territorit duke vendosur kriteret e zhvillimit në zonat në të cilat ndodhen këto objekte, në respekt të plotë të tyre”.
A keni qenë personalisht nën presion për të mos përfshirë objekte në këtë listë?
“Jo aspak. Madje falënderoj qytetarët e Tiranës që kanë treguar bashkëpunim e kanë ndihmuar në punën e tyre specialistët e Institutit të Monumenteve, të cilët kanë shpenzuar kohë të gjatë në terren pranë këtyre objekteve. Vërej një ndërgjegjësim të lartë tashmë të qytetarëve për t’i mbrojtur këto vlera unike”.
Arben Biçoku: E gjitha prej rivalitetit absurd mes të Majtës dhe të Djathtës
Arkitekti i njohur dhe personazhi i angazhuar i Shoqërisë Civile shprehet pa doreza për atë që po ndodh në Tiranë. Rivaliteti mes dy krahëve politikë bën të mos kuptohet që njerëzit që përfaqësojnë forca politike mund të jenë në rivalitet në moment që konkurrojnë për fushata elektorale, se cili do të zgjidhet
Ka një listë objektesh në mbrojtje paraprake të shpallura nga IMK-ja që po kërcënohen për ditë të prishen nga pushteti lokal në Tiranë. Pse çalojnë institucionet e pushtetit qendror dhe lokal të respektojnë urdhëresat e njëri-tjetrit?
“Në përshtypjen time personale rivaliteti politik midis së Djathtës dhe të Majtës përgjatë 24 viteve të fundit vijon ende të rrijë në pozicione absurde. Dhe ky rivalitet bën të mos kuptohet që njerëzit që përfaqësojnë forca politike mund të jenë në rivalitet në moment që konkurrojnë për fushata elektorale, se cili do të zgjidhet. Përtej këtij momenti, në momentin që janë në detyra administrative, janë të detyruar të bashkëpunojnë. Ky është një detyrim ligjor. Mendoj që rivaliteti e ka bazën tek niveli kulturor, tek mospasja e edukatës institucionale. Ne nuk arrijmë të kuptojmë se çfarë është kapitali institucional dhe nuk po arrijmë ta krijojmë atë. Dhe është mungesa e kapitalit institucional që po dëmton jetët tona shumë më tepër se mungesa e kapitalit financiar.
Në raport me trashëgiminë sigurisht që institucioni teknik kopetent është Instituti i Monumenteve të Kulturës. Jo vetëm Bashkia e Tiranës, të tëra Bashkitë e vendit, do qe mirë ta respektonin mendimin e IMK-së. Kjo është në dobi të së mirës së përgjithshme”.
A duket që politika bashkohet në interesa dhe nuk do t’ia dijë për ndërtimet pa leje që po bëhen në Tiranë?
“Unë personalisht kisha të tjera pritshmëri në raport me qeverisjen vendore të Tiranës në mandatin që po përfundon. Personalisht, jam munduar të jem bashkëpunues kur jam ftuar; përmend që kam marrë pjesë në tryezat e Grupit Strategjik për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë së Tiranës; kam qenë në tryezën ku u përzgjodh projekti fitues për vijimin e aksit të ri të Bulevardit në drejtim të Lumit, si dhe rregullimin e zonës përgjatë Lumit të Tiranës.
Por përtej këtyre, nga ato gjurmë të vendimmarrjes urbanistike, për të cilat shohim shenja në qytet (pasi vetë vendimmarrjen nuk e njoh për një qëndrim refraktar që është mbajtur) shoh mungesë profesionalizmi”.
Kryetari aktual i Bashkisë Lulëzim Basha edhe pse premtoi se Tirana nuk do prekej, qyteti është kthyer në një kantier. A kanë mundësi institucionet e shtetit të veprojnë në raste të tilla dhe cila është rruga që ndiqet?
“Në vizionin tim kanë ndodhur gjëra që nuk do duhej të kishin ndodhur. Dhe mendoj që e keqja ka filluar që me mënyrën se si u interpretua Plani i Përgjithshëm Vendor dhe rregullorja shoqëruese, ku u luajt keqazi me intensitet e ndërtimit duke i lënë në një diapazon shumë të gjerë (e vetmja arsye pse do duhej të qe kështu sipas meje do duhej të qe arsyeja e nje negocimi korruptiv). Dhe korigjimi i së keqes duhet filluar pikërisht me atë që e lindi këtë të keqe. Kam parë që një nga planifikuesit që ka qenë në krye të punës për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, sapo pa rezultatin final u kthye në një nga kritikuesit e atij materiali.
Plani i Përgjithshëm Vendor me difekte, patjetër që nuk mund të mos prodhonte Plane të Detajuara Vendore me difekte, dhe ato vetë të na sillnin si rezultat kantierët që ne shohim sot.
Çfarë mund të them si përfundim është që në mendimin tim personal e gjitha kjo vjen nga mungesa e vizionit. Patjetër, pastaj ka dhe mungesë ambicje të shëndoshë, për të bërë gjëra të mira në këtë qytet. Mbetemi pre e një demagogjie shterpë”









