Nga Adrian CIVICI
Përpara disa ditësh, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit, Standard & Poor’s, në rishikimin e saj më të fundit, dha vlerësimin B+ për gjendjen dhe perspektivën e ekonomisë shqiptare. Është e qartë se thelbi dhe përmbajtja kryesore e këtij vlerësimi është konteksti aktual i “ndikimit të ekonomisë dhe financave të cdo vendi nga pandemia e COVID-19, pasojat e saj në ekonomi, politikat e mbështetjes dhe përballimit të pasojave ekonomike e sociale dhe perspektivat e afërta të ekonomisë dhe qëndrueshmërisë financiare”.
Në një farë mënyre, ky vlerësim është “nota” që u vihet qeverive në menaxhimin e krizës, “gjendjes shëndetësore të ekonomisë” dhe “probabilitetit të shërimit të shpejtë apo lëngimit të gjatë të saj”, në muajt dhe vitet në vazhdim. Nga ky këndvështrim, vlerësimi i Standard & Poor’s është një lloj diagnoze e bërë nga një “doktor i specializuar” me shumë reputacion, diagnozë, nga e cila do të përcaktohet shkalla e avancimit të sëmundjes dhe, mbi të gjitha, ndërhyrjet dhe ilaçet përkatëse.
Në vendet e zhvilluara, “leximi” i kujdesshëm i kësaj diagnoze, nuk shërben vetëm si informacion i momentit apo si “kalë beteje” i forcave politike për t’u mburur për sukseset kur është fjala për pozitën, apo kritikuar rëndë kundërshtarin për kredo politike, kur është fjala për opozitën. “Leximi” i kujdesshëm i vlerësimeve të Standard & Poor’s, “përkthehet” menjëherë në politika apo masa specifike ekonomike e sociale që duhen ndërmarrë për përmirësimin e gjendjes, interpretohet menjëherë si “dylbitë” dhe “filtrat” me të cilët na shohin investitorët e mëdhenj, financuesit e projekteve në kuadrin e Bankës Botërore, BERZH-it, PNUD-it, IHD etj., tregjet financiare e monetare ndërkombëtare etj. Në këto vende, pothujase gjithmonë, në vijim të daljes së këtyre vlerësimeve apo indekseve, prodhohen “policy paper” të shumta në përgjigje të “konstatimeve apo sugjerimeve të tyre, zhvillohen debate publike e konferenca shkencore për analizën e tyre dhe rekomandimet për përmirësimin e gjendjes.
Por, a ndodh kështu në Shqipëri? Aspak! Siç ndodh rëndom me shumë tregues e indikatorë të tjerë ndërkombëtarë, si p.sh., me “Doing business index”, “Indices of economic freedom”, ”Corruption Index” etj, “hekuri rrihet sa është i nxehtë”. “Çudia” e tyre zgjat vetëm tri ditë. Tashmë skenari është i njëjtë në këto 3 dekadat e fundit: Qeveria dhe pozita e shohin gjithnjë gotën gjysmë plot, duke “lexuar vetëm elementet pozitive ose ndonjë kritikë ”të lehtë”, ndërsa opozita e sheh në çdo rast gotën gjysmë bosh, ose edhe krejtësisht bosh. Mbasi kalojnë tri ditë me deklarata, qëndrime, vlerësime, mburrje, kundërdeklarata, kritika të ashpra, sharje etj., indikatori apo vlerësimi, “futet në arkiv” apo më keq, harrohet fare, në pritje të indikatorit apo vlerësimit të ardhshëm, analizat dhe komentet e të cilit do të jenë përsëri në funksion të betejës politike të momentit dhe “syzeve” me të cilat lexohet.
Praktika jonë qeverisëse dhe opozitare, tashmë pothujase 30-vjeçare, i ka shumë shumë të rralla rastet kur dalja e indikatorëve të rëndësishëm të disa prej institucioneve ndërkombëtare, shoqërohen me analiza teknike e shkencore, prej të cilave burojnë paketa masash specifike apo politika ekonomike e financiare që duhet të rregullojnë gjendjen. Aq më pak, konstatimet, sugjerimet apo rekomandimet e këtyre agjencive ndërkombëtare, institucioneve ndërkombëtare etj., gjejnë vend të dukshëm e të qëndrueshëm në programet elektorale e qeverisëse, hartimin dhe zbatimin e politikave të rëndësishme strukturore, në diskurin politik dhe debatet e përditshme në media.
E njëjta praktikë duket se u përsërit dhe me vlerësimin e fundit të Standard & Poor’s që konfirmoi vlerësimin “B+” dhe perspektivën “e qëndrueshme” për ekonominë shqiptare. Qeveria “lexoi” pjesët “pozitive” të tij, përfshirë dhe ndonjë kritikë, ndërsa opozita, “lexoi” vetëm kritikat e rënda. Por, përtej kësaj, asnjë fjalë më shumë për masat dhe politikat kryesore që duhen ndërmarrë për përmirësimin e gjendjes së ekonomisë, skanimin e efekteve të këtij vlerësimi dhe mundësisht kalimin nga vlerësimi B+ në vlerësimin BB-, BB apo dhe vlerësimin e shumëdëshiruar BBB+ në një të ardhme të afërt.
Standard & Poor’s, Moody’s dhe Fitch janë tri agjencitë më të rëndësishme e më presigjioze ndërkombëtare të cilësuara dhe si «The Big Three», pasi kontrollojnë apo mbulojnë mbi 94% të vlerësimeve të këtij tipi në botë. Kriteret e vlerësimit të tyre janë tipikisht financiare. Vlerësimet e tyre konsiderohen si një “pasaportë besimi” për qeveritë, ekonomitë dhe financat e vendeve të ndryshme, nivelin e vlerësimit dhe implikimit të tregjeve financiare e monetare në marrëdhëniet me vende të veçanta etj. Vlerësimi i tyre shprehet nëpërmjet disa indikatorëve, ku kombinohen shkronjat me vlerësimet e situatës financiare.
Për Standard & Poor’s, vlerësimi i ndan ekonomitë dhe financat e vendeve të ndryshme në 7 kategori: Kategoria A “Siguri optimale – siguri e lartë dhe e mesme (AAA, AA+ AA, AA-, A+, A, A-); Kategoria B “Cilësi mesatare, spekulative dhe shumë spekulative” (BBB+, BBB, BBB-, BB+, BB, BB-, B=, B, B-); Kategoria C “Rrezik thelbësor, ekstremisht spekulativ, rrezik pamundësie pagesash” (ÇC+, ÇC, ÇC-); Kategoria D “ekonomi dhe financa të falimentuara”. Pak a shumë, në të njëjtën linjë, por me kombinime të ndryshme ndërmjet shkrnjave dhe numrave janë dhe dy agjencitë e tjera Moody’s dhe Fitch.
Në rastin e Shqipërisë, vlerësimi B+ nënkupton “ekonomi dhe financa spekulative dhe shumë spekulative … rreziku i problemeve serioze është prezent, por, megjithatë, ekzistojnë garanci të qenësishme dhe mundësi manovrimi për stabilitet dhe përmirësimin e situatës… angazhimet financiare janë mbajtur, por aftësia paguese afatgjatë është vulnerabël dhe me ndikim në mjedisin ekonomik e financiar”. Sa më i lartë të jetë vlerësimi i këyre agjencive për ekonominë dhe financat e një vendi, aq më të ulëta janë përqindjet e interesit për emetuesit e obligacioneve apo bondeve të ndryshme, aq më të mëdha dhe me kushte lehtësuese janë investimet në këto vende, aq më i ulët konsiderohet risku i bashkëpunimit ekonomik e financiar me këto vende.
Le të rikthehemi te vlerësimi fundit B+ për ekonominë shqiptare dhe “perspektivën e qëndrueshme të saj”. Agjencia Standard & Poor’s nënvizon se si pasojë e efekteve negative të pandemisë së COVID-19 “ekonomia e Shqipërisë do të kontraktohet ndjeshëm në vitin 2020… me ndikim të drejtpërdrejtë veçanërisht në sektorin e turizmit … qeveria është duke ndërmarrë një program të fortë stimulues për të kufizuar ndikimin ekonomik nga pandemia dhe për të rifilluar përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit të nëntorit të kaluar. Qeveria ka siguruar mbështetje kreditore nga institucione financiare ndërkombëtare për të financuar hendekun fiskal këtë vit dhe për të ndaluar presionet e bilancit të pagesave… gjatë këtij viti u arrit të emetohet një eurobond. Nëse ekonomia përkeqësohet më shumë nga sa parashikojnë institucionet, qeveria ka ende hapësira për disa politika të mëtejshme”.
Në këtë rast, e rëndësishme është të analizohen dhe evidentohen se cilat janë këto “politika të mëtejshme” që frenojnë përkeqësimin e gjendjes ekonomike e financiare? A duhet të jenë këto pjesë e një pakete të tretë mbështetëse specifike e të mirorientuar për ekonominë apo biznesin në javët dhe muajt në vazhdim, apo duhet të fillojë me shpejtësi përgatitja e planit të rimëkëmbjes ekonomike me objektiva, instrumente dhe burime të qarta financimi? Cilët sektorë të ekonomisë dhe biznese do të mbrohen më me përparësi për të mos i lënë të falimentojnë, apo për t’i hapur rrugë punës së tyre me kapacitete të plota? Reagimi dhe përgjigjja konkrete ndaj këtyre pyetjeve është “leximi” më i mirë që i bëhet këtij vlerësimi.
Së dyti, “financat publike janë konsoliduar… Deficiti i qeverisë së përgjithshme u ngushtua në 1,9% të PBB-së në 2019 nga 5,2% në 2014, kryesisht nga kufizimi i shpenzimeve… pritet që ky deficit të rritet në 8,5% të PBB-së këtë vit, për shkak të humbjeve në të ardhura, shpenzimeve shtesë që lidhen me pandeminë … raporti i borxhit të përgjithshme ndaj PBB-së mund të rritet në gati 80% të PBB-së në vitin 2020, ndërsa pritet të ulet nga viti 2021 e më tej…”. Pjesa më delikate e këtij konstatimi dhe sugjerimi është pa dyshim rritja e borxhit publik në 80% të PBB-së, domosdoshmëria e frenimit të marrjes së borxheve të reja në muajt në vazhdim dhe, mbi të gjitha, rikthimi i shpejtë i vendit në një strategji të qartë e reale të uljes së borxhit publik në 2-3 vitet e ardhshme.
Pandemia i detyroi pothujase të gjitha vendet e botës që ta përdornin instrumentin e borxhit publik si “shpëtimtarin e madh” nga kriza, dhe këtu nuk bën përjashtim edhe Shqipëria, por vëmendja duhet përqendruar në dy elemente kryesore: Shqipërinë pandemia e gjeti me një nivel të lartë borxhi, gati 70% të PBB-së, ndërkohë që shumë vende të tjera të rajonit apo të ngjashme me Shqipërinë i gjeti me nivele borxhi 40-50%, duke i lënë më shumë hapësira manovrimi me nivelin e borxhit; vlerësimi B+ nënkupton veç të tjerave që vazhdimi i thellimit të borxhit e shton ndjeshëm rrezikun e destabilitetit financiar dhe aftësisë paguese të vendit, aq më tepër kur rritja ekonomike e parashikuar është akoma modeste për vitet në vazhdim.
Problem mbetet “qartësimi dhe transparenca” e përdorimit të borxhit në ekonomi, investimet që do të realizohen me këto para dhe shkalla e produktivitetit të tyre, ndikimi real në punësim dhe rritjen ekonomike. Kjo duhet shoqëruar dhe nga një proces i qartë i përmirësimit të profilit të borxhit publik, uljes së riskut të rifinancimit dhe ndikimeve negative të kursit të këmbimit shtrirjen më të mirë në kohë të tij etj.
Së treti, nënvizohet rreziku i “ekspozimit ndaj rreziqeve të mundshme fiskale, në formën e partneriteteve publike-private (PPP) dhe nevojën për parashikueshmërinë e tyre”. Ky lloj rreziku është evidentuar shpesh herë dhe nga Banka Botërore, FMN-ja apo ekspertë të ndryshëm në Shqipëri. Përtej retorikës së “ndikimit pozitiv të PPP-ve në përmirësimin e modernizimin e infrastrukturës dhe shtimin e investimeve në ekonomi” apo “PPP-të po shkatërrojnë financat dhe buxhetin, duke shtuar borxhin dhe shërbyer oligarkëve”, duhet “lexuar” qartë e “ftohtë” vlerësimi i Standard & Poor’s për rrezikun dhe destabilitetin fiskal që ato mund të shkaktojnë në muajt dhe vitet në vazhdim, nevojën për rritjen e transparencës në marrjen e vendimeve për shtimin e mëtejshëm të PPP-ve, aq më tepër në kushtet e sotme të ekonomisë dhe financave shqiptare, të domosdoshmërisë së përmirësimit të sistemit të vlerësimit të fizibilitetit dhe kostos reale të tyre, për përmirësimin e gjithë sistemit të indikatorëve e praktikave të kontrollit të zbatimit praktik të tyre, futjen e sistemit të garës reale ndërmjet kompanive të ndryshme për përfitimin e tyre, duke eliminuar krejtësisht klientelizmin në këtë proces, hierarkizimin e tyre në kohë dhe kosto në funksion të strategjisë afatgjatë të zhvillimit të vendit dhe rëndësisë strategjike që paraqesin këto investime e projekte PPP në zhvillimin e qëndrueshëm, punësimin, produktivitetin ekonomik, ndikimin në sektorët prioritarë të ekonomisë etj.
Së fundi, mjaft i rëndësishëm janë konstatimet dhe sugjerimet e Standard & Poor’s në “lidhje me konsolidimin fiskal në vitet e ardhshme… përmirësimin e raportit fiskal të të ardhurave ndaj PBB-së dhe nevojën e reduktimit të mëtejshëm të informalitetit … krijimin e mundësive për një balancë primare pozitive buxhetore që në vitin 2022 ose 2023…”. Konsolidimi fiskal nënkupton të ardhura të planifikuara mirë në buxhet dhe qëndrueshmëri shumëvjecare të tyre. Aktualisht, të ardhurat në arkën e shtetit shqiptar janë rreth 26% e vlerës së PBB, ndërkohë që rekomandimet e institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, si FMN-ja apo Banka Botërore, për vende dhe ekonomi të ngjashme me ekonominë shqiptare, rekomandojnë se “kjo shifër duhet të jetë afërsisht 30-33% e PBB”. Natyrisht, jo duke rritur taksat e tatimet, por në radhë të parë, duke reduktuar akoma më shumë informalitetin dhe evazionin fiskal, duke bërë një rishpërndarje më të mirë të ngarkesës fiskale ndërmjet punës, kapitalit dhe pronës në favor të lehtësimit të presionit fiskal mbi punën dhe të ardhurat prej saj etj./ fjala.al