Vetë Enver Hoxha pranoi që përmes Shqipërisë të zhvillohej një kontrabandë ndërkombëtare cigaresh. Madje, pa ndërhyrjen e tij, ndoshta nuk do të kishte ndodhur kurrë. Ishte ai që pranoi propozimin e një hebreu të mbijetuar ndaj përndjekjes naziste, falë një familjeje shqiptare, për krijimin e një korridori të lirë kontrabande, me dalje në Adriatik. Kështu u krijua Albtransi, ndërmarrja tregtare, që më vonë do të kalonte në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Përmes saj Shqipëria do të mund të shlyente ca borxhe, por jo vetëm kaq, ajo do të kthehej në një lloj “agjencie inteligjente”, që do të thithte informacione të rëndësishme nga bota “kapitalisto-revizioniste”. “Na pëlqente të kishim gjithashtu edhe një agjenci inteligjente, si kudo gjetkë. Donim që të ngjasonte, pak a shumë, me simotrat e tjera që përdornin shërbimet sekrete të shteteve të mëdha.
Si në tërë civilizimin tonë, edhe këtu na pëlqente ideja, por që në formë e përmbajte e dinim vetë. Edhe kjo u ndërtua mbrapsht, u ndërtua ‘me shijen tonë’, sepse duheshin ruajtur të gjitha parimet ideologjike e moraliste tipike shqiptare”. Kështu tregon Lorenc Nenshati, ishdrejtori i saj, në vitet ’80, në librin e sapohedhur në qarkullim, “Albrans, Top Secret”, një botim i shtëpisë botuese “Botart”. Më tej, si u shndërrua Albtransi në një agjenci me funksion të dyfishtë dhe si rekrutoheshin agjentët sekretë.
LORENC NENSHATI
Nuk ishte se vetëm Shqipëria e kishte atë pozitë gjeografike për të ndërtuar një punto franko për transitimin e cigareve në bregdetin Adriatik. Pjesëtarët e grupit, sa herë bëheshin nervozë, më thoshin se përse duhej pritur derisa t’i mbushej mendja Shqipërisë të firmoste marrëveshjen. Prandaj kishin ngritur variante të tjera, që të bisedonin me Malin e Zi apo Kroacinë, që ishin edhe më të civilizuar me komunizmin e tyre. Por unë i mbaja me shpresë se pikërisht naiviteti i shqiptarëve na intereson ne që të ndërtojmë një aktivitet tonin dhe ta drejtojmë sipas pikëpamjeve tona. Në Tiranë qëndrova 11 muaj, e vazhdoi Beraha shpjegimin e tij të gjatë, dhe, me ikjen e njësive të ushtrisë gjermane në veri, shkova në Shkup e pastaj në Zvicër, ku atëherë kisha shtëpinë e prindërve. Kur i fillova kontaktet me ambasadën në Vjenë, për hapjen e transitit të cigareve, ishte periudhë e vështirë.
Kuptohej që Shqipëria ndodhej në ujërat e denoncimit të Traktatit të Varshavës. Flitej se kishte mjaft oferta, si nga Lindja dhe nga Perëndimi, por që qeveria shqiptare nuk i merrte asnjërën në konsideratë. Kjo propagandë mund të kishte bazë. Fakti është se Albtransi mbeti vetëm, asnjë ofertë tjetër nuk u mor në konsideratë. U bë fakt vërtet, se vetëm unë pata durimin ta realizoj suksesin. Nuk u tërhoqa, përkundrazi këmbëngula në timen. Kështu e arrita marrëveshjen, por me shumë vështirësi, sepse propozimi sorollatej nëpër zyra që, siç dukej, nuk e kishin në kompetencë, derisa u gjet, më në fund, personi i cili nuk hezitoi aspak ta pranonte. Atëherë mendoja se, siç duket, burokracia hezitonte t’ia paraqiste që në fillim njeriut që e kuptoi se i duhej oferta jonë.
Iu futa me buon sens diskutimit me përfaqësuesit e AgroEksportit, me gjithë vështirësitë e mëdha që rridhnin nga pikëpamjet e tyre ideologjike, që duheshin kapërcyer me marifet dhe hap pas hapi. Merita ime e padiskutueshme ishte se unë i dola punës përpara, duke këmbëngulur që në vitin 1967, duke mos i ndërprerë kontaktet për asnjë çast me telefon dhe në tavolinën e sallës së pritjes të ambasadës. Shumë herë e kisha ftuar nëpunësin e asaj zyre për dreka e darka, por ai nxirrte shkaqe që të mos vinte. Ishte një djalë i ri, me shumë sedër, e kishte frikë të krijonte nga ato lloj kontaktesh, se hynte në borxh dhe, për çfarëdo eventualiteti, të mos ndihej keq. Gjatë asaj periudhe, bashkëbiseduesi shqiptar më fshihej shpesh, por unë, sikur ta dija, e arsyetoja rastin. Ai nuk kishte çfarë të më thoshte. Ende nuk kishte asnjë përgjigje nga Tirana. Fati i madh që marrëveshja u firmos përpara denoncimit publik të Traktatit të Varshavës më 1968n.
Ndryshe, situata pseudorevolucionare, e krijuar nga komunistët nacionalistë, do ta kishte bërë të pamundur këmbënguljen time. Pasi të firmosej marrëveshja, pata vendosur ta shes kontratën. Isha i lodhur. Pata rënë dakord me vetë grupin për shumën dhe termat e likuidimit financiar. E shita biznesin, për të cilin punova gati dy vite, dhe dola jashtë loje. Ata më paguan mirë, pavarësisht se nuk kishin besim që ky biznes do të shkonte me sukses. Kështu ishte më mirë për ju dhe për mua. Unë nuk kisha punuar kurrë me cigaret. Grupi ishte i njohur dhe i specializuar në tregjet ndërkombëtare të shitjes së cigareve. Unë vetë u shkëputa nga loja, pa më dalë akoma emri edhe në tregun e zi të cigareve. Më pas, Beraha pëlqente të ishte më në korrent se si shkonte ky biznes, të cilin e kishte krijuar me aq mund e përpjekje.
– Më vonë, pas rreth dytri viteve, kur biznesi u bë rutinë, nuk isha më aq i interesuar dhe në korrent të të gjithave, por më pëlqente të dëgjoja kur hapej ndonjë bisedë gjatë kafes së mëngjesit ku, përveç Blackut, gjendej edhe ndonjë person tjetër i qarkullimit, më shpjegonte Beraha. Mosha shkonte dhe unë kënaqesha me krijesën time të fundit si biznes, dhe se ajo e kishte mbyllur karrierën time me nder e me sukses. Ndoshta, mund të ishte suksesi më i madh i biznesit të jetës sime, jo nga ana e fitimit, por si kënaqësi dhe mirënjohje. – Vetëm një kuriozitet më ka mbetur nga e kaluara, na u drejtua një ditë. Përse këtë marrëveshje e vendosi vetëm më i madhi i Shqipërisë? Atje kishte edhe qeveri, apo jo? Beraha na doli në shteg. Ishim me Naimin në këtë bisedë. Kjo ishte enigma e fundit që i kishte ngelur atij, por aty deshëm të dilnim edhe ne. Kishim kohë që donim t’ia kërkonim, por nuk deshëm që kjo kërkesë të bëhej nga ana jonë, prandaj dhe ishim në vështirësi.
– Ne nuk kemi asnjë dokument për këtë marrëveshje, i thamë. – Të gjitha janë zhdukur, sepse te ne nuk është veprimtari legale, si brenda shtetit dhe jashtë. Si garanci për çdo eventualitet, ne kemi mallin stok që në çdo kohë është më shumë se 20.000 kasa. Ne kemi dëgjuar spontanisht se si ka rrjedhur ngjarja. I kemi mësuar gjithashtu nga ti. Pastaj, firmat e asaj marrëveshjeje kanë qenë të zyrtarëve më të ultë dhe ne jemi kureshtarë si keni pasur mundësi ta mësoni se çfarë ka ndodhur atje në ato qarqe, që u detyrua ta miratojë më i madhi fare?! Ne kemi dashur të të pyesim disa herë, por na dukej sikur po bënim ndonjë pyetje sugjestive që të provonim kujtesën tënde. Pastaj, as ne nuk e dimë si arritët ju t’i mësoni këto gjëra. Pyetjeve tona Beraha iu përgjigj: – Njëri nga përfaqësuesit e AgroEksportit, i cili erdhi nga Tirana dhe firmosi aktin, me mburrje tha se ne duhej ta kishim ndjekur që në fillim këtë rrugë nga koka fare dhe, me sa e kujtoj, personi në fjalë kishte pozitë në AgroEksport. Thuhej se ai duhej të ishte farefis me Enver Hoxhën.
Kështu, unë besova dhe akoma besoj që këtë marrëveshje, në atë situatë, vetëm ai mund ta zgjidhte. Më pas kemi mjaft kujtime të mira nga kontaktet me Berahën. Ishte burrë që i kishte kaluar të 80at, i gjatë dhe trupdrejtë, ecte disa kilometra në ditë dhe mbante një dietë të rregullt ushqimi. Dinte të organizonte bukur dreka e darka në vende të shënuara. Mbajtëm marrëdhënie shoqërore me të, madje ishim prezentë edhe ditën kur vdiq papritmas, nga një atak kardiak në moshën mbi 83vjeçare. Jetonte vetëm, por çdo fundjavë i vinte një grua e re nga Lucerna. Ajo ishte mjeke me profesion dhe, siç duket, e kontrollonte nga ana shëndetësore gjatë çdo fundjave. Ajo ishte shumë e bukur, me moshë rreth të pesëdhjetave. Vetëm një herë na e solli në një drekë, por jo më. Ne ishim shumë më të rinj se ai. Pleqtë janë disi më xhelozë dhe nuk kishte përse të na e bënte edhe këtë nder. Në fakt, ne e ngacmonim dhe ai përgjigjej se e kishte diçka të vetën, si krushqi apo në fis, por nuk u përgjigjej as ngacmimeve tona si shqiptarë, as edhe të të tjerëve.
Mësuam mjaft prej tij, jo vetëm historikun, por edhe shumë anë të tjera të biznesit të cigareve, për pjesëmarrësit (partnerët tanë) në veçanti, mbi karakteristikat personale të bosëve, te të cilët mund të mbështeteshim eventualisht, për konkurrencën dhe kontradiktat e këtij tregu të dytë të cigareve etj. Që në fillim, njohja me Berahën më vlejti shumë për të krijuar një vizion më të qartë mbi disa karakteristika të rëndësishme të atyre personave që do të takoja. U përgatita edhe më mirë për problemet që do të diskutonim dhe deri ku duhej të ishte limiti, sipas tij, i kërkesave dhe interesave tona për këtë fazë. Në Vjenë, Beraha kishte dy fëmijë të rritur, ndërsa gruaja i kishte vdekur. Fëmijët, një djalë e një vajzë, i kishin përfunduar studimet dhe qenë sistemuar shumë mirë. Mbante marrëdhënie mjaft të mira me familjet e secilit fëmijë. Na bënte përshtypje se çdo ditëlindje u bënte dhuratë fëmijëve nga 500.000 dollarë. E pyeta një ditë edhe për këtë, dhe më tha: – Unë do t’u lë edhe testament fëmijëve, por sa më e vogël të jetë shuma në testament, aq më mirë është, sepse avokatët e marrin porcionin e vet mbi bazën e shumës.
Kështu e lehtësoj ngadalëngadalë; më mirë ta ndiej mirënjohjen e tyre tani që jam gjallë sesa kur të vdes. Beraha banonte në një shtëpi të bukur në Lugano. Ishte i pasur, por shumë rrallë e paguante të gjithë tavolinën. Për ne bënte përjashtim, kurrë nuk na la ta fusim dorën në xhep, qoftë edhe vetëm për një kafe. Albtransi, midis AgroEksportit dhe shërbimeve sekrete Albtransi u hap si ndërmarrje e AgroEksportit. Aktiviteti i tij ishte magazinimi, manipulimi dhe livrimi i cigareve të huaja nëpërmjet transportit detar. Si e tillë njihej zyrtarisht nga vendës dhe të huaj në marrëdhënie zyrtare pune të detyrueshme. Marrëveshja u firmos me emrin e ndërmarrjes së AgroEksportit dhe të kompanisë importeksport/frankozvicerane “Vanawer Ltd”. Firmosja ishte akti formal, sepse vështirësi të tjera kishte akoma përpara. Duhej organizuar Albtransi që të merrte formën e një punto franko për magazinimin, manipulimin dhe livrimin e cigareve.
Çdo gjë duhej ndërtuar nga fillimi. Në përpunimin e mjeteve detare që ngarkonin për llogarinë e Albtransit, në një bankinë të veçantë të Portit të Durrësit merrnin pjesë entet portuale: Agjencia Detare Shtetërore (e vetmja) e Portit Durrës (Adetare), Kapitaneria e Portit, Interklubi dhe Kantieri Detar; pika e kontrollit të Kalimit të Kufirit; ushtarët e magazinës së Albtransit në dinamikën e tyre, të cilët merreshin me ngarkimshkarkimin nga batalioni i sigurimit– e njihte Banka e Shtetit, njësitë ushtarake të mbrojtjes bregdetare, pikat e kalimit të kufirit Hani i Hotit, Qafë Thanë, Kakavi, Rinas etj., dhe për “induksion”, edhe mijëra të tjerë. Jashtë shtetit e njihnin partnerët e biznesit, shoqëritë e transportit, që e transportonin mallin nga Europa Veriore dhe Qendrore në adresën e plotë: Rrushbull–Durrës–Albania. Kjo adresë njihej nga shoqëritë e sigurimeve të mallit etj. Albtransi nuk lindi që në fillimi si ndërmarrje sekrete, sepse ishte nën juridiksionin e AgroEksportit, por as legale që nga fillimi.
Ajo lindi si sekret shtetëror specifik shqiptar. U krijua si një ndërmarrje ekonomike dhe një ditë të bukur u fut në sekretin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Prandaj e quajta sekret specifik shqiptar, sekret me urdhër; u fillua si “një zonë e lirë magazinimi” (punto franko) për transitimin e cigareve të huaja dhe, pasi kaloi vetëm pak kohë, e mori brenda strukturës të saj Ministria e Brendshme. Motivi i këtyre ndryshimeve bëhej edhe për faktin e thjeshtë se mjedisi i tij ishte plot me të huaj, ndaj u mendua apriori se ky bashkëpunim do të vlente për të ndërtuar punë zbulimi, për të çarë rrethimin e egër kapitalistorevizionist që e kishte detyruar Shqipërinë të vetizolohej shumë më tepër nën këtë motiv të ri. Por Albtransi nuk u ndërtua dot dhe nuk e mori kurrë formën e një agjencie inteligjente “Top Sekret”, sepse aktiviteti i tij nuk ishte legal, me qëllim që pika e zbulimit dhe punonjësit me detyra të dyfishta të ishin të mbuluar brenda aktivitetit legal të Albtransit.
Por ishte një agjenci zbulimi, sipas pikëpamjes sonë. Në kohën kur u krijua Albtransi, Shqipëria kishte tri drejtori zyrtare të shërbimeve sekrete: Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme; Drejtoria e Dytë e Zbulimit Ushtarak pranë Ministrisë të Mbrojtjes dhe Drejtoria e Tretë e Zbulimit Politik, me vartësi nga Ministria e Punëve të Brendshme. Na pëlqente të kishim gjithashtu edhe një agjenci inteligjente, si kudo gjetkë. Donim që të ngjasonte, pak a shumë, me simotrat e tjera që përdornin shërbimet sekrete të shteteve të mëdha. Si në tërë civilizimin tonë, edhe këtu na pëlqente ideja, por që në formë e përmbajte e dinim vetë. Edhe kjo u ndërtua mbrapsht, u ndërtua “me shijen tonë”, sepse duheshin ruajtur të gjitha parimet ideologjike e moraliste tipike shqiptare. Albtransi u krijua në vitin 1967, si një ndërmarrje që zhvillonte aktivitet tregtar me partnerë të huaj për të transituar cigare të huaja, kryesisht amerikane. Por, ndryshimi me agjencitë e tjera, të përhapura në pika të ndryshme të botës, ishte se Albtransi nuk ishte legal, përkundrazi ruhej sekret brenda vendit dhe jashtë shtetit ose, më mirë të themi, përpiqeshim ta mbanim sekret brenda e jashtë.
Në fund të fundit, dallohej si një enigmë e administratës shtetërore komuniste. Pse jo, edhe sot, kur bie fjala, vazhdon të njihet si një legjendë e padeshifruar ende. Kush punoi aty e kishte të qartë se ajo nuk ka se si të ishte fare e panjohur në popull, siç pretendohej që kur u miratua. Nuk kishim përse ta gënjenim veten deri në këtë pikë, megjithatë, duhej të ndiqnim ritin e sekretimit të tij të pandërgjegjshëm. Aq më tepër, që kohët dhe dijet ndryshonin çdo ditë në Shqipëri, krahasuar me kohën kur u hap aktiviteti. Atëherë ekzistonte vetëm Universiteti i Tiranës, si dhe ndonjë institut. Ndërsa më vonë universiteti u shumëzua me filiale dhe institute të shumta në të gjithë vendin. Po kështu u shtuan njerëzit me tituj shkencorë, të promovuar brenda vendit tonë dhe lëvizjet e tyre të programuara jashtë shtetit nuk ishin të papërfillshme. Pra Albtransi filloi të thirrej me emrin, pak a shumë të vërtetë sipas aktivitetit: “një ndërmarrje kapitaliste brenda shtetit komunist”.
***
Kjo pikë zbulimi brenda Albtransit teknikisht u ndërtua pak a shumë me pikëpamjen që, në çdo mjedis të marrëdhënieve me jashtë të kamufloheshin punonjës të shërbimeve sekrete. Pra, Albtransi kishte momente të pasakta, nga ajo që mendohej të ishte një agjenci e vërtetë zbulimi. Një tjetër problem ishte kontingjenti ku duhej operuar, pasi ai ishte shumë i vështirë, që në dukje nuk i plotësonte kushtet e zgjedhjes dhe të studimit të elementeve për bashkëpunim nga ky ambient. Kontingjenti i mjedisit ku duhej operuar ishin njerëzit që punonin në det, marinarët e huaj.
Ky kontingjent ofronte mundësi tepër të pakta. Atyre u mungonin mundësitë për zgjidhjen e detyrave të shumta, të cilat lidheshin me mbrojtjen e vendit tonë. Ky ambient nuk kishte asnjë lidhje me ato. Ata kishin nivel shumë të ulët edukues dhe shkollor. Asnjëri prej tyre nuk e kishte kryer shkollën e mesme “inferiore” të detyrueshme, sipas ligjeve të vendit të origjinës, madje dominonin gjysmanalfabetët. Puna individualiste që bënin i kishte shkëputur pothuajse nga ndjenjat e vërteta njerëzore. Që të vegjël hynin në rrethin e kontrabandës së cigareve, trashëguar nga gjyshi e babai. Nga edukimi i dobët ata kishin edhe plot të meta në karakter.
Si kontingjent pune spiunllëku, ata ishin të përshtatshëm për forcat speciale të Rojeve të Financës Italiane, të cilët e kontrollonin kontrabandën e cigareve nëpërmjet kontingjentit kontrabandist. Për asnjërin prej tyre nuk mund të vihej dora në zjarr se nuk ishte agjent i asaj arme të fuqishme në det dhe në tokë. Parimi i skafistëve ishte përdorimi i lojës së dyfishtë: denonconin kolegët e tyre, për të privilegjuar realizimin e punës së vet. Puna e tyre ishte të ngarkonin mallin nga bankina apo nga anijet “mëma” në det të hapur dhe të gjenin rastin, me çdo kusht, ta dorëzonin atë në tokën italiane pa u diktuar, me dredhi apo duke rrezikuar edhe jetën në çdo kohë. Kjo punë u jepte të ardhura të mira. Edhe sikur të kishin mundësi operative dhe informative, zbulimi shqiptar, me fondet e tij sekrete, nuk ua kompensonte dot atyre paratë që fitonin.
“Shumë sektorë operativë të MPBsë të Drejtorisë së Tretë të Zbulimit dhe të Degës së Parë të Drejtorisë të Sigurimit, që merrej atëherë me koordinimin midis zbulimit dhe kundërzbulimit, ishin përpjekur fillimisht të ndërtonin punë agjenturoreoperative në këto mjedise, më thoshte ishndihmësi i Qazimit, Josif Dedia (Daja, siç e thërrisnin të gjithë), të cilin e gjeta në stafin e Albtransit kur fillova punën. Oficerë në zë, të gjithë emra të njohur, si Rasim Dedja, Haki Keta, Koço Eftimi, Tahir Malo, Isa Lika etj., thoshte ai, e kishin provuar të ndërtonin punë zbuluese, por nuk ia arritën dot. Kush më shumë e kush më pak e kishin filluar konkurrimin me intuitë midis tyre, por, pas një a dy vitesh lufta u konkretizua në një drejtim tjetër, për të fituar pushtetin e Albtransit, që nënkuptonte të bëhej drejtor i ndërmarrjes më me prestigj të kohës, plus privilegjet që sillte karriera e saj. Në fund, që të gjithë u skartuan dhe u kthyen nga kishin ardhur, ndërsa zyrën e fitoi Qazim Myftiu, i cili shpejt e disiplinoi atë si ndërmarrje tregtare në bashkëpunim me partnerët e jashtëm me eksperiencë të vendeve të tjera. Dalëngadalë u kthye nga një ndërmarrje spontane, në një ndërmarrje të rregullt tregtare.
Por kuptohet, as Qazimi nuk u dallua të kishte kombinuar ndonjë gjë thjesht si zbulues. As ne nuk mbajtëm marrëdhënie me Drejtorinë e Zbulimit, por punën e dyfishtë nuk e lamë fare në harresë. Herë pas here vilnim informacione konfidenciale. Ne nuk ishim në gjendje të dilnim me konkluzione të sakta, siç e kishte menduar Komandanti Albtransin: një agjenci inteligjente të zbulimit të shtetit apo vetëm një lloj alibie për të kaluar radhën, që të përdorej si justifikim se hapja e Albtransit binte në kundërshtim me parimin ideologjikpolitik “Me forcat tona”. Gjithashtu, ne nuk ishim të qartë se përse Albtransi u hoq nga juridiksioni i AgroEksportit dhe iu kalua Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjithnjë kemi menduar se ky ndryshim është bërë për efekt rendi, që malli specifik të administrohej me disiplinë të veçantë ushtarake. /panorama/a.k