Gjergji Bega, ekspert për problematikat e pronave ka sqaruar procedurat e regjistrimit të pallateve të pahipotekuara.
Përfundimi i procedurave kalimtare të pronësisë, për trajtimin sistematik të pronësisë, për unifikimin e bazës hartografike.
Kjo është një temë e rëndësishme për t’u diskutuar. Tashmë të gjithë ne e kemi kuptuar që çështja e pronës është futur në një reformë të thellë. Kjo do të thotë që çdo gjë do të shikohet me kujdes dhe me imtësi nga institucionet. Për këtë arsye u bë edhe shkrirja e dy institucioneve në një institucion të vetëm, sepse komunikonin me njëri-tjetrin me zarfe e me letra. Tashmë komunikimi do të jetë nga një zyrë në një tjetër dhe si pasojë, kontrolli do të jetë më i saktë. Ky është unifikim dhe kur bëhet unifikimi i institucionit, do të thotë që bëhet edhe unifikimi i dokumentacionit të pronësisë. Pra, dosja ose dokumentet do të merren nga një specialist dhe po nga ai do të përfundohen deri në fund. Në këtë mënyrë dokumentet nuk do të kalojnë më nga njëra dorë në tjetrën, dhe kështu shmangen edhe burokracitë. Gjithashtu kjo është një mënyrë për të mos humbur edhe kohë, pra një titull pronësie të merret dhe të jepet në kohën e duhur dhe sa më shpejt. Trajtimi i pronësisë do të thotë që procedurat e ndryshme që janë të lidhura me pronën, si legalizimet, azhurnimet dhe regjistrimet e pronave do të zbatohen në mënyrë të njëkohshme dhe sistematike, pra jo në mënyrë të çrregullt ashtu siç kanë qenë të shpërndara deri tani në institucione të ndryshme. Kjo është pozitive.
Pra një dosje do të merret nga një grup pune, i cili do ta trajtojë dhe do ta përfundojë atë.
Absolutisht po. Kështu shmanget kalvari i qytetarëve që shkonin nga njëri institucion te tjetri. Çdo gjë do të zgjidhet në institucionin e Kadastrës.
Kam lexuar në gazetë për ndryshimet e reja që po bëhen në Kadastër. Aty thuhet që ka prioritet pronari i tokës kur bëhet ndërtim pa leje. Po në qoftë se pronari është i tokës, i truallit dhe trualli është i regjistruar në Arkivin e Shtetit, është i regjistruar në kadastrën e rrethit, vetëm pse nuk është në listën e trojeve nuk bëhet. Si shpjegohet kjo punë?
Në këtë rast kemi të bëjmë me dy aspekte. Për çështjen e trojeve, kur ka ndërtim pa leje, por kemi të bëjmë me pronarë të trojeve, duke iu referuar nenit 35 “Për legalizimet”, por kjo ndodh në zonat ku ka ndërtime mbi 8 kate, në qoftë se toka ka pronar atëherë ndërpritet legalizimi i ndërtesës. Kjo do të thotë që ai person, i cili ka bërë ndërtimin pa leje nuk mund ta bëjë legalizimin, por duhet të bëjë një marrëveshje me pronarin e tokës dhe me ndërtuesin për të përfituar një banesë. Në rastet kur ndërtimet janë nën 6 kate, bëhet legalizimi, por fillimisht shpronësohet pronari i vjetër që ka certifikatën e tokës, pastaj kalon legalizimi në emër të personit që ka bërë ndërtesën.
Zotëria ka edhe një problem tjetër. Në këtë rast zotëria duhet që të shkojë në qendrën administrative ku banon dhe me anën e një specialisti topograf të përcaktohet vendndodhja e saktë e truallit. Pra të bëhet një plan i ri rilevimi. Pastaj zotëria duhet të kërkojë korrigjimin e hartës treguese nga qendra administrative në hipotekën përkatëse, që ky truall të hiqet nga zëri si tokë bujqësore dhe të regjistrohet si truall. E theksoj që qendra administrative e ka për detyrë të bëjë sistemimin dhe rregullimin e kësaj sipërfaqeje.
Kam probleme me legalizimin. Kam aplikuar që në vitin 2006, kam paguar të gjitha detyrimet. Në vitin 2013 kam paguar edhe truallin. Kam marrë edhe lejen e legalizimit dhe më vonë kam marrë edhe certifikatën e ndërtesës. Kam 6 vite që kërkoj certifikatën e truallit dhe nuk e marr për arsye të moskompensimit të pronarit. Emri i pronarit ka dalë para 6 muajve në gazetë, është përsëritur edhe para një jave po në gazetë, por akoma e kam të pamundur marrjen e certifikatës së truallit. Si duhet të veproj?
Si zotëria ka edhe shumë qytetarë të tjerë, të cilët kanë aplikuar dhe e kanë marrë certifikatën e pronësisë për ndërtesën, por problemet i kanë me marrjen e certifikatës së truallit. Kjo do të thotë që mund të ketë probleme me çështjet hartografike, të cilat ne i kemi përmendur. Në qoftë se pronarit të vjetër i ka dalë emri për t’u kompensuar, zotëria duhet që të interesohet te zona ku ka pronën nëse kjo zonë ka hyrë në sistem apo ende punohet me hartat e vjetra. Lajm i mirë për zotërinë është që pronarit të vjetër i ka dalë VKM-ja për kompensim, por a mundet hipoteka që ta evidentojë këtë hartë në zyrën e vet për të bërë shpronësimin? Kështu që zotëria duhet të interesohet pranë zyrës vendore dhe të marrë një informacion të saktë nëse ka mbaruar sistemimi i hartës apo jo sepse përderisa ka dalë VKM-ja për kompensim të pronarit të vjetër, patjetër që duhet të ketë një problem hartografik.
Përse janë këto zonat kadastrale? Çdo zonë kadastrale ka pronarët e saj, të cilët nuk mund të ndërhyjnë te zonat e tjera. Kur nuk ka mbivendosje, përse duhet kjo?
Në këtë rast, zotëria thotë që një fermer ka hyrë në një zonë kadastrale, në një fshat tjetër ssepse zonat kadastrale janë të ndara me fshatra dhe në qytet, qyteti është ndarë në disa zona kadastrale. Kjo është një çështje që duhet parë te qendra administrative ku zotëria banon. Në qoftë se prona është cenuar, pra e kanë marrë nga një fshat dhe e kanë sjellë në një fshat tjetër, kjo është një gjë e gabuar, pasi të gjitha pronat duhet që të ndahen brenda fshatit, brenda një zone kadastrale të caktuar. Pra, kjo çështje i përket qendrës administrative dhe është përgjegjësia e saj ligjore për ta sqaruar.
Banoj prej 17 vitesh në një pallat dhe ende nuk ka asnjë lloj dokumenti për pallatin, as hipotekë provizore, as leje shfrytëzimi. Ndërtuesi i pallatit ka probleme me pronarët e truallit sepse nuk ka plotësuar detyrimet ndaj tyre. Shet dhe jep apartamentet me qira. Çfarë mund të bëjmë?
Ky problem ka zgjidhje. Reforma e re e Kadastrës ka hapur dritën jeshile që çdo pronë të gjejë vendin e vet. Në qoftë se zotëria dhe banorët e tjerë të pallatit ndodhen në kushtet ku nuk kanë asnjë dokument, duhet që të mblidhen të gjithë banorët dhe ta dërgojnë dosjen për legalizim, te sektori i shtesave në Tiranë. D.m.th. të gjithë banorët e pallatit duhet që të bien dakord mes tyre dhe të zgjedhin një përfaqësues, të cilin duhet ta pajisin me një prokurë përfaqësimi. Dhe pastaj të dërgohet dosja për legalizimin e pallatit. Pastaj pjesa tjetër e problemeve që ndërtuesi i pallatit ka me pronarët e truallit zgjidhet vetëm me proces gjyqësor në gjykatë. Pra problemi ka zgjidhje sepse edhe Bashkia e Tiranës dhe Hipoteka, tani Kadastra e madhe, kanë bërë marrëveshje midis tyre dhe kanë rënë dakord që të gjitha problemet e këtij lloji t’i zgjidhin. Por qytetarët duhet t’i drejtohen zyrës së legalizimeve dhe të bëjnë një aplikim në grup, të gjithë bashkë dhe jo veç e veç. Pastaj duhet të presin procedurat standarde.
Kam pasur një pronë që dikur, në kohën e komunizmit ka qenë caktuar vijë e verdhë. Aty janë ndërtuar disa banesa. Dokumentet i kam gjetur me shumë vonesë, pasi më vdiq vëllai. Çfarë mund të bëj tani?
Në qoftë se fillimisht me këtë çështje është marrë i vëllai, tani zotëria duhet që të shikojë me kujdes dokumentet që ka dhe se në cilin institucion janë adresuar këto dokumente. Mendoj që në këtë rast dokumentet duhet të jenë drejtuar në ish-Komisionin e Kthimit dhe të Kompensimit të Pronës ose tani në Agjencinë e Trajtimit të Pronave dhe në qoftë se dokumentet ndodhen atje, zotëria normalisht duhet të interesohet mirë sepse trojet e vjetra i ka pasur detyrim ligjor Komisioni i Kthimit të Pronave për t’i kthyer. Gjithashtu duhet që të marrë edhe një informacion në hipotekën e Shkodrës që të shohë gjendjen e kësaj prone. Pastaj duhet që të drejtohet në një studio ligjore, e cila ka targetin për t’u marrë me çështjet e pronave, për të marrë informacionin e duhur juridik për të saktësuar dhe për të vazhduar ecurinë e mëtejshme se çfarë do të bëjë me këtë pronë. Por hapi i parë që duhet të bëjë është interesimi pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave nëse dosja atje është e hapur apo jo.
Kemi një pronë tonën që e kemi marrë me Ligjin 7501, në vitin 1991, por kemi pasur disa probleme me komunat, sepse ndryshuan kufijtë, jo probleme me mbivendosje. Kjo pronë që në atë kohë është mbjellë me vreshta dhe me ullinj. Dosjen e kam në Bashkinë e Vlorës, me të gjitha dokumentet e duhura.
Kemi të bëjmë me përfundimin e procedurave kalimtare të pronës, që do të thotë se jemi në fazën ku ka filluar një reformë e thellë për pronat. Pikërisht tani është momenti që shteti është rregullatori që do të merret me këto problematika. Kështu që dokumentet që zotëria ka duhet të drejtohet te qendra administrative e cila do të ketë riorganizim të zyrave që do të merren me çështjet e pronave dhe te zyrat ADISA të Vlorës, që do të kenë edhe ato riorganizim, dhe pronat do të sistemohen deri në detaje. Pra detyra e vetme e zotërisë është komunikimi me autoritetet, të cilat kanë përgjegjësinë dhe detyrimin ligjor për zgjidhjen përfundimtare të problemit të pronës.
/a.meta