Intervistë e JAVAnews me Valbona Nathanaili, autore e studimit “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe”, që tregon zhvillimin e arsimit shqiptar para Luftës së Dytë Botërore. Cilat ishin etapat në të cilat eci zhvillimi arsimor kombëtar para Luftës, problemet e shkollës shqipe dhe kontributi i qeverive të Ahmet Zogut dhe i veçanërisht kontributorëve të shquar Luigj Gurakuqi, Kostaq Kotta, Kristo Floqi, Rexhep Mitrovica, Sotir Peci, Abdurrahman Dibra, Hil Mosi e Mirash Ivanaj në zhvillimin e këtij aseti të rrallë kombëtar…
Intervistoi Ben Andoni
Valbona Nathanaili prej vitesh i është dedikuar arsimit shqiptar, por në vitet e fundit është duke drejtuar një politikë botimesh në UET, që po rezulton e vlefshme. E veçantë është se nuk e ka braktisur punën studimore, dhe prej saj kemi këtë herë një botim të vyer, të titulluar “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe”. Ku përmes një vështrimi të kujdesshëm që përcjell vitet e ngritjes dhe forcimit të jetës shqiptare jepet dhe ecuria e njërës prej fushave që duhej të zhvillohej para të tjerave dhe madje t’u ndihte atyre në ngritjen e vendit tonë…Dhe, për fat, Shqipëria në vite do të nxjerrë një grup studiuesish të shquar që do përcjellin arritjet më të mira të shkollës shqipe, por më shumë se kaq dhe kontributin e arsimit. Për fat të keq një sërë dokumentesh, që përcjellin këtë libër, sipas autores, po prishen dhe del imperativi i dixhitalizimit të tyre. Autorja ka meritën se ka ditur të punojë me një metodikë të qartë, duke na treguar një hulumtuese shumë serioze. Janë shfrytëzuar fondet e Ministrisë së Arsimit të kohës duke na shfaqur realisht një krijuese tejet të angazhuar për të hedhur dritë si pak kush në një fushë tepër impenjative për Shqipërinë. “Janë disa emra që dua të veçoj, si Luigj Gurakuqi, Kostaq Kotta, Kristo Floqi, Rexhep Mitrovica, Sotir Peci, Abdurrahman Dibra, Hil Mosi e Mirash Ivanaj. Periudha më e “begatë” në zhvillimin e arsimit është ajo 1925-1939. Sa i takon legjislacionit, nga qeveria në qeveri bëhet më i pasur dhe më i plotë. Po ashtu edhe çështjet me të cilat merret Ministria e Arsimit”, shprehet ajo…
Çfarë metodike keni zgjedhur dhe konsultuar për librin?
“Metoda kryesore e përdorur në libër është analiza e përmbajtjes së tekstit të dokumentacionit të Ministrisë së Arsimit, si dhe të disa bashkive kryesore të vendit në fushën e arsimit, që gjendet në Arkivën Qendrore të Shtetit. Është një metodë kryesisht cilësore, pra tenton të identifikojë çështjet, politikat dhe veprimtarinë e këtij institucioni mbi bazën e përmbajtjes së tekstit, por përmban edhe elementë sasiorë, pasi në bazë të shpeshtësisë së tematikës, jam përpjekur të dalloj edhe prioritetet e punës. Rasti studimor është Ministria e Arsimit. Variabël i pavarur është koha. Variabëla të varur janë politikat dhe çështjet e trajtuara. Pra, në një kohë të caktuar, ose për një qeveri të caktuar, cilat kanë qenë çështjet e trajtuara, problematikat e ngritura, prioritetet e punës. Nëse në fillim të kësaj periudhe problem kemi vetëm hapjen e shkollave shqip, synimet e pretendimet rriten me kalimin e kohës. Një lexues i vëmendshëm është në gjendje të ndjekë rritjen e tyre, sikur edhe thjesht në mënyrë sasiore. Por për të mos e bërë librin shumë teknik, gjë do ndikonte ndjeshëm në zvogëlimin e rrethit të lexuesve të tij, paraqitja skematike e metodikës është shmangur, pasi synimi është krejt tjetër. Sa më shumë lexues dhe të interesuar për të njohur këtë pjesë të historisë së vendit, me të mirat dhe defektet e saj. Në fund të fundit për çfarë na duhet historia, në mos për të nxjerrë mësime? Jam me fat se ka punuar për një kohë të gjatë në arsim, gjë që më lehtësoi shumë punën për të ndjekur dhe kategorizuar dokumentacionin. Janë ndjekur këto hapa:
- Identifikimi i çdo qeverie dhe i sfondit historik në të cilën ka vepruar, mbi bazën e rendit kronologjik. 2. Eksplorimi, në mënyrë dinamike, i dokumentacionit të krijuar nga çdo qeveri dhe kategorizimi i tyre sipas këtij protokolli: çështje dhe problematika me të cilat është marrë Ministria e Arsimit, ku janë veçuar disa nga politikat dhe veprimtaritë kryesore, si dhe kur ka qenë e mundur, është paraqitur një përmbledhje statistikore e situatës shkollore të të gjithë vendit ose të rretheve të veçanta për vitin shkollor përkatës. 3. Identifikimi i prioriteteve të punës së çdo ministri, sikundër edhe pasqyrimi i jetëshkrimit të disa prej ministrave që kanë qëndruar jo vetëm për një kohë të gjatë në detyrë, por që edhe me punën, pasionin e kulturën e tyre i dhanë një impuls pozitiv zhvillimit të arsimit në atë kohë.
Në bazë të sfondit historik dhe ngjashmërive që vihen re, veprimtaria e secilës prej tyre është përmbledhur në 5 kre. I. Periudha 1912-1920, kohë kur qeveritë janë jo vetëm jetëshkurtra, por edhe shtrirja e ndikimit të tyre është e kufizuar, në rajone shumë më të vegjël se territori aktual ku shtrihet shteti shqiptar. Qendra e gravitetit të veprimtarisë zhvendoset nga Vlora, në Durrës, në Shkodër, përsëri në Durrës. Personazhi kryesor që i lidh pothuaj të gjitha këto qeveri në fushën e arsimit është Luigj Gurakuqi, në postin e ministrit ose të delegatit të Arsimit; II. Periudha 1920-1925, fillon me Kongresin e Lushnjës. Shteti shqiptar ka pothuaj po atë shtrirje që ka edhe sot, por qeveritë vazhdojnë të jenë jetëshkurtra; III. Periudha 1925-1939, kohë kur vendi gjendet nën drejtimin e Ahmet Zogut, fillimisht në rolin e presidentit e më tej në atë të mbretit. Qeveritë përsëri ndërrohen shpesh, por janë në vijimësi. Një aktivitet i caktuar fillon në një qeveri, por dokumentacioni vazhdon edhe në qeverinë pasardhëse, sikundër janë rastet e mbylljes së shkollave private, kërkesat për kualifikimin e mësuesve, ndjekja e detyrimit shkollor, unifikimi i programeve dhe teksteve shkollore, rritja e kërkesës për një shkollë kombëtare etj. IV. Periudha 1939-1943, periudha nën pushtimin italian. Karakteristikë kryesore është kufizimi i politikave në fushën e hartimit të programeve e të teksteve shkollore, mësimi i kulturës dhe edukatës fashiste si pjesë e programit mësimor, si dhe heqja nga qarkullimi i një numri të konsiderueshëm librash, kryesisht ato me përmbajtje komuniste ose kundër fashizmit. Nga ana tjetër, shumë nga tematikat e punës së Ministrisë së Arsimit janë po ato të mëparshme, sikundër është ndjekja e zhvillimit në rregull të vitit shkollor, akordimi i bursave për studime, mbledhja e ruajtja e folklorit etj.; V. Periudha 1943-1944, periudha nën pushtimin gjerman. Karakteristikë kryesore e periudhës gjatë pushtimit gjerman është që pjesa më e madhe e shkollave nuk funksionojnë, kryesisht sepse lokalet janë të zëna nga ushtria ose sepse shumë prej tyre shkatërrohen, viti shkollor ka shumë ndërprerje, ka shumë pushime nga puna të mësuesve ose ndërprerje të bursave të studimit të nxënësve për pikëpamje politike ose pjesëmarrje në rezistencë ndaj pushtuesve, lëvizje të shumta të popullatës për shkak të luftës.
Fillimisht kisha idenë që të dyja periudhat e pushtimit të përbënin një kre më vete në libër, por ka dallime të theksuara ndërmjet situatës shkollore gjatë pushtimit italian nga ai gjerman. Rënia e cilësisë së shkollimit gjatë viteve të para të pushtimit italian është më e butë, për të tentuar pothuaj në zero në fund të vitit 1944. Në rënien e cilësisë së shkollimit, kam parasysh edhe përfshirjen e edukatës dhe kulturës fashiste si pjesë të programit. Vitet shkollorë 1942-1943 dhe 1943-1944 janë më dramatikët për arsimin e kësaj periudhe. Mbas disa projektesh, mendoj se grupimi në këto copëza periudhash e bën studimin më të thjeshtë e qasjen më të qartë, në funksion të synimeve të librit.
Veprimtaria e çdo qeverie fillon me përpjekjet për reformimin e shkollës, përfshirë çfarë ligjesh e rregulloresh janë aprovuar. Ligjet dhe rregulloret ose janë paraqitur të plota, ose të përmbledhura, në varësi të vijimësisë ose të ndryshimeve që kanë pësuar. Veprimtaria e institucionit sigurisht që është parë e lidhur ngushtë me emrin e drejtuesit të tij. Për këtë arsye, pjesë e paraqitjes janë edhe shumë nga qarkoret e dërguara në rrethe që mbajnë firmën e ministrit dhe që direkt e indirekt i kanë vënë vulën prioriteteve në politika dhe veprimtari, si dhe jetëshkrimet e shumë ministrave të arsimit. Në qeverinë e kryesuar nga Sulejman Dibra, me ministër të Arsimit Sotir Peci, është veçuar Kongresi Arsimor i Lushnjës, jo vetëm si veprimtari e kësaj ministrie, po edhe si instrumenti kryesor që përcaktoi shumë nga reformat për formimin dhe konsolidimin e shkollës shqipe. Në këtë pjesë kam paraqitur të plotë fjalën e hapjes të zv. Ministrit të Arsimit, H. Vrioni, më 9 gusht 1920, si më i vjetri në moshë ndër pjesëmarrësit, sepse shërben si një lloj programi për gjithë punën e kongresit, sikundër edhe kam theksuar faktin që është një veprimtari e ideuar dhe e organizuar thjesht nga Ministria e Arsimit dhe patriotët që u mblodhën janë të gjithë të zgjedhur nga ky institucion e kanë qëndruar në Lushnjë me fonde shtetërore, në kundërshtim me shumë artikuj që ia atribuojnë këtë aktivitet vetëm shkallës së patriotizmit. Këtë përfundim, ma përforcoi edhe një telegram dërguar Ministrisë së Financave, nga Aleksandër Xhuvani, ku bën me dije se ka ardhur urdhri për mbulimin e shpenzimeve për pjesëmarrje në Kongres vetëm për Ahmet Gashin, por “që të mund të nisem edhe unë nesër, ju lutem dërgoni shpejt urdhër edhe për pagesën time”.
Po sa i takon politikave të ndjekura?
“…Sa i takon politikave, në libër do të gjeni: punësimi dhe kualifikimi i mësuesve, hartimi dhe pranimi i teksteve shkollore, lufta kundër analfabetizmit, zhvillimi i arsimit profesional, zhvillimi fizik dhe artistik i nxënësve, hapja dhe mbyllja e internateve në funksion të nivelit ekonomik të zonës, ndjekja e shkollës nga fëmijët e varfër, nxitja e botimeve në fushën e pedagogjisë, ndalimi i mësimeve private, ndarja e shkollës nga feja, lloji i gjuhës së huaj që mësohet në shkollë, zgjerimi i llojit të shkollave profesionale, konsolidimi i një sistemi të vetëm shkollor në të gjithë territorin shqiptar, kriteret për përftimin e një burse, kushtet për hapjen e një shkolle dhe numri i nxënësve që ndjekin shkollat, hapja dhe mbyllja e shkollave private e të huaja etj.
Sa i takon veprimtarisë: inspektimi i shkollave, hartimi i programeve lëndore, hapja e shkollave të reja, sigurimi i kuadrit arsimor, kualifikimi i mësuesve, mbajtja e disa kongreseve dhe konferencave arsimore, zhvillimi i shumë veprimtarive sportive e kulturore, ngritja e bibliotekave shkollore, zhvillimi i mësimit në burgje, pajisja e shkollave me mjetet e orenditë e nevojshme, personeli mësimor i punësuar, llojet e shkollave të hapura, bibliotekat që funksionojnë në rang vendi, disiplina në punë e mësuesve dhe drejtuesve, vlerësimi i nxënësve, pagat e mësuesve, ruajtja e traditës dhe rritja e frymës patriotike, shkollat e huaja dhe të minoriteteve, jetëshkrimi i mësuesve etj.
Në mënyrë dinamike, është ndjekur secila nga këto kategori për gjatë gjithë periudhës dhe janë ekzaminuar të gjitha llojet e komunikimit, me shkrim dore ose të daktilografuara, si qarkore, vendime, udhëzime, pro-memorie, ligje, rregullore, raporte të hartuara nga drejtues të institucionit së Ministrisë së Arsimit, raportime të inspektorëve dhe të drejtuesve të zyrave arsimore, dëftesa, statistika, sugjerime të bëra nga drejtues të ndryshëm të arsimit në rrethe për të identifikuar prioritet e këtij institucioni, çfarë mesazhesh direkte e indirekte janë dhënë, çfarë është synuar dhe çfarë është arritur. Nuk mund të them me saktësi se sa është sasia e dokumentacionit të shfrytëzuar, por besoj se kam kaluar nëpër duar pjesën më të madhe që gjendet e arkivuar për këtë periudhë. Jam përpjekur të ruaj të njëjtën gjuhë të përdorur në dokumente. Kam paraqitur një raport të mrekullueshme mbi gjendjen e shkollave dhe sistemin arsimor në Shqipëri, hartuar nga Hil Mosi, me titull “Përmendore mbi gjendjen e arsimit, paraqitun, Madhnisë së tij, Zog I, Mbretit të Shqiptarvet”, një raport për shkollat grekofone të nënprefekturës së Libohovës, hartuar nga Rexhep Mitrovica, mbi bazën e një inspektimi zhvilluar gjatë periudhës janar-shkurt 1930, një “bisedim mbi dekret-ligjin organik të arsimit (në parim)”, mbajtur në parlament në lidhje me ligjin për arsimin paraqitur nga Mirash Ivanaj, si dhe disa raporte inspektimi për shkollat e prefekturave të Durrësit e Beratit. Me shumë interes janë përpjekjet e Ministrit të Arsimit, Rexhep Mitrovica, për ndarjen e shkollës nga feja më 12.6.1922, ose theksi që i vihet ruajtjes së dokumenteve e monumenteve historikë e kombëtarë, “prej humbjes e shkatërrimit e të mblidhen kudo që gjenden, brenda e jashtë Atdheut”, që të mund të tregohet “një kujdes i veçantë për kërkimet arkeologjike e gjanat e vjetra, prodhime të stërgjyshërve e gjyshërve tanë” dhe të ndalohet, në mënyrë kategorike, nxjerrja jashtë kufijve të Shqipërisë, ose që mësuesit nuk duhet të zhvillojnë mësime private me nxënësit e tyre.
Sa i takon statistikave, po veçoj dy: në vitin shkollor 1915-1916 kemi 98 mësues, që japin mësim në 103 shkolla fillore, është vetëm në shkollë e mesme në Shkodër me 8 mësues (të gjithë meshkuj), por Normalja e Elbasanit këtë vit shkollor ka qenë e mbyllur; ndërsa në vitin shkollor 1942-1943, në të gjitha shkollat e vendit kemi gjithsej 747 mësues në shkolla me 1, 2, deri 14 mësues. Shkolla më e madhe në vitin shkollor 1942-1943 gjendet në Tiranë, me 14 mësues. Në të dyja statistikat e referuara, flasim gjithmonë për shkollat e kontrolluara dhe në varësi të Ministrisë së Arsimit. Si rubrika më vete, në funksion të shtjellimit të veprimtarisë, janë paraqitur edhe shumë nga çështjet që raportojnë rrethet, si edhe emërime dhe në detyrë, shumë interesante për periudhën deri më 1925, kur numri i personelit mësimor në shkallë vendi është relativisht i vogël.
Shumë dokumente botohen për herë të parë dhe mendoj e sugjeroj që libri është me vlerë jo vetëm për studiuesit e një fushe të caktuar, por për të gjitha ata që në një mënyrë a një tjetër, kanë qenë të lidhur me arsimin në këtë periudhë, pasi libri ka edhe një indeks të pasur me emra plot 732, mësues e drejtorë shkollash, inspektorë e nëpunës pranë Ministrisë së Arsimit, me kontribute të shquara në periudha ose zona të caktuara, të cilët janë një farë mënyre edhe personazhet e tij.
Në libër del qartë se si nga viti në vit, politikat e hartuara dhe vendimet e marra kanë ndikuar në rritjen e cilësisë së shkollimit dhe të vetë sistemit arsimor pothuaj në të gjithë vendin”.
Sa kanë qenë të dokumentuar, sipas asaj që ju rezulton juve, puna e autoriteteve dhe strukturave të arsimit shqiptar në vitet e para Luftës së Dytë?
“Nga viti 1912 deri më 1939, rritet jo vetëm sasia e dokumentacionit të gjetur, por edhe zgjerohet gama e çështjeve dhe problematikave me të cilat merret institucioni i Arsimit. Detyrat dhe përgjegjësitë e drejtuesve të arsimit, si dhe mënyrat për hapjen e mbajtjen e shkollave, shfaqen, për herë të parë, në “Kanuni i Përtashëm i Administratës Civile të Shqipërisë”, botuar në gazetën “Përlindja e Shqypniës”, organ zyrtar i qeverisë, Vit’i I, Nr. 25-30, dt. 22 nëndor – 13 dhjetor 1913. Por më shumë se tregues i punës së Ministrisë së Arsimit, dokumenti është tregues i vullnetit për të organizuar shkollat ekzistuese në shtetin e ri dhe shndërrimin e tyre në shkolla shqipe. Vetë Ministri i Parë i Arsimit, shumë i nderuari z. Luigj Gurakuqi, prioritet të punës së tij gjatë kësaj periudhe ka çështjen e bashkimit dhe shtrirjes së ndikimit të qeverisë në të gjithë territorin e banuar nga shqiptarët. Pothuaj gjatë gjithë gjysmës së dytë të vitit 1913, Gurakuqi gjendet në veri të Shqipërisë, në funksion të këtij misioni. Dokumenti më i hershëm i punës së Ministrisë së Arsimit mban datën 6 shtator 1913, kur Ministri i Arsimit, Luigj Gurakuqi, në emër të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, i drejtohet me një thirrje “Të gjithë atyre që janë të aftë për të kryer detyrën e mësonjësit për zhvillimin e shkollës shqipe”. Po gjatë kësaj periudhe duhet të jetë mbajtur edhe “Mbledhja e Parë e Arsimit Arbnor”, së cilës i referohet një dokument i vitit 1928, me autor të panjohur, por që për fat të keq, nuk munda të gjej diçka më shumë. Veprimtaria e ministrisë së Arsimit gjatë kësaj qeverisje është më e varfër në dokumente. Ka shumë pak të dhëna zyrtare. Qyteti i Elbasanit është qyteti më i rregullt sa i takon raportimeve në fushën e arsimit, ose të paktën më i dokumentuari.
Vitet e fundit përpara Luftë së Dytë botërore (Kreu III në libër), ose periudha 1925-1939, ka shumë dokumente dhe është edhe pjesa më e gjatë në libër, plot 156 faqe (formati i librit 230×275 mm).
Por për fat të keq, shumë dokumente kanë filluar të vjetërohen. Ndonëse një pjesë e mirë e tyre janë të shfrytëzueshme për publikun në formën e filmave, paraqesin shumë vështirësi për identifikim. Ka ardhur koha, në mos është vonë, që AQSh të bëjë të pamundurën për kalimin e gjithë këtij thesari të vyer në format elektronik dhe të shfrytëzueshëm edhe on-line. Në këtë mënyrë, studime të tilla jo vetëm do jenë më të shumta, por kushdo mund të kontribuojë në rritjen e shkallës së njohjes së kësaj periudhe të historisë që jo vetëm njihet shumë pak, por vazhdon të mbartë ende keqinterpretime ose edhe shtrembërime”.
A ka një spirale ngritje zhvillimi i arsimit shqiptar në periudhën që keni studiuar, apo shikoni diferenca mes kohërave që diktohen nga autoritetet e dikastereve të arsimit të qeverive të ndryshme?
“Sigurisht që nga viti në vit arsimi ka rritje cilësore në shumë aspekte të zhvillimit të arsimit, jo vetëm sepse në krye të institucionit janë pothuaj gjithmonë njerëz të përgatitur, me kulturë, që e duan arsimin dhe aspirojnë për zhvillimin e vendit, por edhe sepse në pjesën më të madhe kërkojnë të vazhdojnë punën e nisur. Janë disa emra që dua të veçoj, si Luigj Gurakuqi, Kostaq Kotta, Kristo Floqi, Rexhep Mitrovica, Sotir Peci, Abdurrahman Dibra, Hil Mosi e Mirash Ivanaj. Periudha më e “begatë” në zhvillimin e arsimit është ajo 1925-1939. Sa i takon legjislacionit, nga qeveria në qeveri bëhet më i pasur dhe më i plotë. Po ashtu edhe çështjet me të cilat merret Ministria e Arsimit”.
A mendoni se libri mund t’i shërbejë studiuesve të sotëm të arsimit shqiptar, për të gjetur të metat e sistemit tonë?
“Ndoshta më shumë se për të gjetur të metat, njohja thelbësore e veprimtarisë së institucionit të arsimit në këtë periudhë është një mënyrë e mirë për të hequr disa paralele që i bëjnë jehonë aktualitetit. Është shumë me vend të konsultohet se në ç’mënyrë organizohej në atë kohë inspektimi i shkollave dhe çfarë kërkohej në këto misione inspektimi, rëndësia që i jepej edukimit dhe zhvillimit të mësimit e temave të caktuara edukuese edhe në burgje, kërkesa e vazhdueshme për përdorimin e një gjuhe standarde në të gjithë institucionet shtetërore, nxitjen e mësuesve për të ndjekur kurse për zhvillim profesional (kryesisht me fondet e vetë mësuesve) dhe vlerësimi vjetor i çdo mësuesi në librezën e tij personale, politikat për hapjen e mbylljen e shkollave shtetërore, transparenca në akordimin e bursave, shkollimi i fëmijëve të varfër dhe mbledhja e fondeve në ndihmë të tyre, rregulli e disiplina në internate si dhe shtrirja e tyre në mënyrë proporcionale pothuaj në të gjithë vendin, gjetja e mekanizmave për të bërë të mundur që çdo fëmijë të ndiqte një shkollë. Ka pasur më pak mundësi, por më shumë përpjekje për të realizuar çdo mundësi. Sot me keqardhje mund të thuhet e kundërta. Më shumë mundësi, por shumë pak përpjekje për t’i realizuar ato.
Ndonëse kanë kaluar afro 72 vjet nga viti i fundit që mbyll këtë periudhë, pjesa më e madhe e atyre çështjeve që citova më sipër dhe shumë çështje të tjera që trajtohen në libër, duken më reale e të pranueshme atë periudhë se sa sot”.