Kur u ula për të bërë këtë shkrim, kisha parasysh qëndrimet dhe vlerësimet që ka bërë historiani ynë i madh Kristo Frashëri. Ai ka shkruar kështu për Ahmet Zogun: “Veprimet e një monarku duhen ballafaquar detyrimisht me kushtetutën e monarkisë së tij – nëse ai i është përmbajtur betimit që ka bërë “para Zotit dhe para Popullit” për të respektuar normat e kushtetutës. Vetëkuptohet se historia dënon çdo monark që nuk ka respektuar kushtetutën, rrjedhimisht kur ai ka dëmtuar sovranitetin, integritetin, dinjitetin dhe ardhmërinë politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore të atdheut të vet. Nëse pajtohemi me këto kritere të arsyetimit historik, atëherë historiani duhet të hetojë kushtetutën që pati mbretëria kur Zogu u shpall mbret dhe në mënyrë të shkëputur prej saj të vlerësojë veprimtarinë dhe politikën që ndoqi mbreti Zog në respekt të kushtetutës deri më 7 prill 1939.”
Ky fragment i ngjan një postulati që duhet ta kenë parasysh të gjithë historianët që ulen të shkruajnë për historinë. Po sa i janë përmbajtur kësaj historianët tanë të sotëm. Le t’u hedhim një sy disa teksteve për të parë se ç’masakër është bërë.
Për pushtimin fashist të vendit dhe qëndrimi i mbretit Zog
Në librin shkollor Historia 9, me autorë: Entela Bendo, Enkeleda Sinjari, Marela Guga, botuar në vitin 2018, është shmangur totalisht LANÇ-i dhe quhet vetëm Lufta e Dytë Botërore. Autorët shkruajnë se pasi thyen qëndresën shqiptare, trupat italiane filluan përparimin në brendësi të vendit dhe më 8 prill1939 hynë në Tiranë. Mbreti Zog bashkë me familjen dhe qeverinë e vet u largua nga vendi. Lihet e paqartë se kur dhe pse iku vërtet Zogu nga Shqipëria. Nuk shpjegohet qëndresa shqiptare dhe rënia heroik e 14 dëshmorëve të atdheut në ditën e parë të pushtimit fashist.
Në librin Historia 9 me autorë Petrika Thëngjilli, Fatmira Rama, Valentina Duka, Botimet Ideart në vitin 2009, thuhet se “Mbreti Zog nuk arriti të organizonte qëndresë të armatosur ndaj pushtuesit. Në pasdite në 7 prillit, ai me qeverinë e tij u largua nga vendi në drejtim të Kapshticës për në Greqi dhe Turqi”. Një ndryshim rrënjësor i këtij pushtimi, pasi Zogu nuk arriti të organizonte qëndresë, apo kështu ia deshi puna, të linte FA shqiptare pa komandant të përgjithshëm. Në dy tekste për të njëjtin problem njëri thotë iku dhe tjetri u largua nga Shqipëria. Nuk flitet qartë se Zogu tradhtoi vendin dhe fronin e tij dhe e la popullin të paorganizuar për luftë.
Ndërsa në Historia 9 me autorë Menduh Dërguti, Sonila Boçi e Ledia Dushku, Botimet shkollore Albas, që në kopertinë ka foto të ndryshme dhe të çiftit mbretëror në ditën e dasmës. Ndërsa për pushtimin italian jep në foto ministri i Jashtëm i Italisë konti. G. Çiano dhe Zogu I. Pse dhe pse Zogu I, thuhet se gjendja ndryshoi pas lindjes së Princ Lekës, më 5 prill 1939. Njerëzit u derdhën nëpër rrugë jo vetëm për të festuar lindjen e princit, por edhe për t’i dhënë mbështetjen mbretit dhe qeverisë për t’i detyruar ata që t’i qëndronin rrezikut të pushtimit… Megjithatë, qeveria shqiptare nuk u përgatit t’i bënte qëndresë zbarkimit. … Mbreti Zog u largua për në Greqi bashkë me qeverinë, të cilën e shpërndau pas disa ditësh”. Cilët festuan dhe mbështetën Zogun? Të bukur histori që u tregojmë për pushtimin e vendit nga Italia fashiste.
Në tekstin Historia 8 me autorë Petrit Nathanaili, Fatmiroshe Xhemalaj (Shehaj) Shtëpia Botuese dhe Shtypshkronja Filara, 2017, përshkruhet Lufta e Dytë Botërore, frontet kryesore, fitoret e para të Aksit (1939-1941) dhe nuk jepet fare pushtimi fashist italian në Shqipëri. Në fundin e luftës dhe një botë e rënuar, nuk ka një fjalë për luftën në Shqipëri.
Në tekstin Historia 4, profili shoqëror me autorë Myzafer Korkuti, Petrika Thëngjilli, Gazment Shpuza, Fatmira Rama, Xhelal Gjeçovi, Ana Lalaj, Pegi, për pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste thuhet se Mbreti Zog nuk e pranoi pushtimin, por u largua nga vendi.
Në tekstin Historia 11 me autorë Petrika Thëngjilli, Lorenc Bejko, Anila Beshaj, Fatmira Rama, Ajet Shahu, Botimet Pegi 2016 thuhet se “Megjithë qëndresën spontane, Shqipëria u gjend e papërgatitur për luftë. Ajo nuk arriti të organizonte një qëndresë mbrojtëse zyrtare në shkallë kombëtare”. Pra, Shqipëria është fajtore se nuk arriti të organizonte qëndresë, për të nxjerrë të larë Zogun. Ndërsa më tej thuhet se “Një nga këto rryma ishte ajo zogiste me përfaqësues kryesor Abaz Kupin. Ajo gëzonte autoritet në vend, kur Ahmet Zogu, megjithëse i larguar, nuk kish abdikuar nga froni dhe mbante lidhje me aleancën antifashiste”. Dhe për ta mbyllur këtë histori thuhet se “në vend vepronin disa grupime të tjera nacionaliste në pozita republikane dhe antikomuniste, ku shquhej Mit’hat Frashëri”. Më tej përshkrohet “Formimi i Legalitetit ndërkohë kjo lëvizje kishte krijuar një forcë ushtarake me një numër të caktuar çetash” dhe nuk thuhet numri i luftëtarëve dhe i çetave të saj.
Për krijimin e PKSH dhe Frontin Nacionalçlirimtar
Po i referohem edhe një herë Prof. Kristo Frashërit. Ai ka shkruar për periudhën e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri se: “Skema politike e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore pati ngjashmëri me skemën politike që u krijua në arenën ndërkombëtare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore bota ishte ndarë në dy rreshtime politike opozitare në shkallë planetare. Nga njëra anë qëndronin anëtarët e bllokut të agresorëve gjermano-italo-japonezë, të cilët aspironin të vendosnin me dhunë diktaturën fashiste në mbarë njerëzimin. Anën tjetër e përfaqësonin anëtarët e kampit antifashist anglo-sovjeto-amerikan, të cilët luftonin për mbijetesën e vendeve të tyre dhe në të njëjtën kohë për lirinë dhe pavarësinë e popujve të robëruar. Në ato vite të përgjakshme, edhe Shqipëria ishte ndarë në dy rreshtime opozitare të ngjashme. Nga njëra anë, qëndronin qeveritarët kolaboracionistë, të cilët hynë në shërbim të agresorëve nazifashistë dhe për pasojë, e përfshinë Shqipërinë formalisht në bllokun e tyre. Nga ana tjetër, u radhitën forcat patriotike shqiptare, të cilave u takonte detyra të luftonin për pavarësinë e vendit”.
Por si e paraqesin këtë periudhë historianët aktualë?
Në këto tekste shkollore thuhet se “PKSH dhe FNÇ e anulluan marrëveshjen, sepse sipas tyre kjo marrëveshje cënonte interesat e PKSH dhe i jepte Ballit Kombëtar të drejta që nuk i takonin. Një tjetër shkak që PKSH kundërshtoi vendimet e Mukjes, ishte vendimi për bashkimin me Kosovën. Një vendim i tillë cënonte interesat e Partisë Komuniste Jugosllave me të cilat PKSH ishte në aleancë”. Për “Marrëveshja e Mukjes” qartazi jepen argumente në dobi të pozicionit ballist. Më tej po në këtë tekst thuhet se “PKSH nuk e mbajti premtimin për vendosjen e një regjimi demokratik pas luftës”.
Në një tekst jepen objektivat për kapitullin dhe thuhet: Të vlerësojmë Konferencën e Pezës dhe atë të Mukjes si dhe karakterin e vendimeve të marra në to. Me të njëjtën barazpeshë. Dhe më tej thuhet se “Në gjysmën e dytë të vitit 1942, numri i çetave partizane dhe i forcave të tjera antifashiste, filloi të rritej”. Asnjë shifër. Kuptohet qëllimi diferenca është e ndjeshme. Lihen në barazim, kur forca e BK doli nga fundi i nëntorit 1942. Ndërsa më tej gjejmë se “Në marrjen e këtij vendimi ndikuan jo pak të dërguarit e PK Jugosllave pranë PKSH”. Bëhet fjalë për Mukjen, Në punën e pavarur nxënësve ju kërkohet të analizojnë se ku qëndron rëndësia e Konferencës së Mukjes. Pse PKSH e hodhi poshtë marrëveshjen e arritur aty?
Përsëri në një tekst tjetër për Konferencën e Mukjes thuhet se “PKSH dhe vetë Enver Hoxha e hodhën poshtë këtë marrëveshje. Kjo erdhi si pasojë e ambicies së PKSH për një udhëheqje të vetme të pushtetit pas lufte. Në marrjen e këtij vendimi ndikuan jo pak edhe të dërguarit e PK Jugosllave pranë PKSh që nuk dëshironin një bashkim të forcave poltike shqiptare”. Në një tekst tjetër flitet se “Jugosllavët … luajtën rolin kryesor në krijimi e PKSH” dhe vendoset një foto e Q. Stafës. Kaq. Në sythin për Konferencën e Pezës dhe krijimin e Frontit Nacionalçlirimtar shmanget termi Antifashist dhe jepet foto e Mustafa Gjinishi, si sekretar i Këshillit të Përgjithshëm, shmanget kryetari.
Në një kapitull në një tekst tjetër për “Zgjerimi i qëndresës shqiptare kundër pushtuesve”, thuhet se ndryshe nga komunistët, të cilët praktikonin disiplinën dhe bindjen absolute ndaj drejtuesve, organizata e Ballit Kombëtar ishte më e hapur, pranonte mendimet ndryshe dhe nuk dallohej për dispiplinë të rreptë. Në organizatën e Ballit u përvijuan dy qëndrime ndaj luftës kundër pushtuesit; tjetri kërkonte që, krahas luftës, të përdorej edhe politika, në mënyrë që të ruheshin nga reprezaljet e panevojshme si popullsia civile, ashtu edhe pasuria kombëtare. Më troç nuk mund të jepet qëndrimi antikombëtar i Ballit Kombëtar, megjithëse e japin nga këndvështrimi i sotëm liberal. Në një tekst tjetër thuhet se për Konferencën e Mukjes dhe anullimin e Marrëveshjes së Mukjes se “me këtë akt përfundoi bashkëpunimi midis grupeve të qëndresës shqiptare”. Marrëveshja ishte përpjekje e PKSH dhe Ushtrisë Antifashiste për të hedhur në luftë edhe BK që deri atëherë kish bashkëpunuar me armikun dhe ftesa e saj për bashkëpunim për të tërhequr të gënjyerit e ballistëve.
Kështu në një tekst tjetër mësimore thuhet se “PKSH dhe Fronti Nacionalçliritmtar nuk e pranuan marrëveshjen e nënshkruar në Mukje me arsyetimin se me të, Balli Kombëtar fitonte të drejta që nuk i takonin, pasi deri atëherë ai nuk ishte hedhur në luftë. Sipas tyre, delegacioni që i përfaqësonte kishte tejkaluar kompetencat duke pranuar krijimin e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë, i cili spostont edhe zhvlerësonte Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar të zgjedhur në Konferencën e Parë Nacionalçlirimtare të Pezës. Kurse, sipas Ballit, anullimi i marrëveshjes u bë me urdhër të udhëheqjes jugosllave, pasi në të flitej për Kosovën”. Ky nuk është trajtimi historik.
Vazhdojmë me tekste të tjerë ku thuhet se “Konferenca e Mukjes, në dallim nga ajo e Pezës, krijoi një aleancë mes dy forcave politike të organizuara duke qenë një takim dy palësh. Por udhëheqja e PKSH e anulloi atë takim”. Dhe në kontrollin e njohurive kërkohet “pse Konferenca e Mukjes ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të periudhës së Luftës së Dytë Botërore?”. Më tej thuhet se “Ndërkohë, u ashpërsuan goditjet luftarake mes forcave partizane dhe atyre balliste, duke arritur në elemente të fortë të një lufte civile në vend”. Dhe më keq akoma thuhet se Ushtria Nacionalçlirimtare përbëhej nga 20 mijë vetë.
Për pushtimin e vendit nga nazistët gjermanë
Në një tekst shkollor flitet për pushtimin gjerman, por asnjë fjalë për kolaboracionistët. Po i referohem edhe njëherë Prof. Frashërit: “Shqiptarët që dëshironin pavarësinë e atdheut, u rreshtuan vetvetiu në kampin e madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan, i cili u formua në vjeshtën e vitit 1941. Hapin e parë në organizimin e rezistencës së armatosur e kryen komunistët shqiptarë, me themelimin më 8 nëntor 1941 të partisë së tyre marksiste-leniniste (PKSh-në). Që ditën e themelimit, PKSh-ja hoqi dorë nga programi i saj politik me karakter ideologjik: pra, hoqi dorë nga organizimi i revolucionit socialist dhe nga vendosja e diktaturës së proletariatit. Me porosi të Kominternit, ajo vuri në themel të programit të saj, luftën patriotike për të çliruar atdheun nga okupatori fashist italian, për të rimëkëmbur pavarësinë kombëtare të mohuar, dhe për të vendosur në Shqipëri demokracinë popullore”.
Po çfarë shkruhet në tekstet që u jam referuar më sipër dhe që u servilen të rinjve?
Në një tekst tjetër thuhet se “Në vjeshtë, midis partizanëve dhe çetave të BK nisën përleshjet e armatosura serioze. Në këto luftime u vunë re elemente të luftës civile”. Dhe për këtë Gjenerali Uillson kërkoi të mos goditeshin forcat e Abaz Kupit dhe e cilësoi këtë si nxitje të luftës civile”. Autorët e tekstit pasi citojnë kalimin e Divizionit I në Veri, që ishte kundërshtuar nga Komanda anglo-amerikane e Mesdheut, thonë se kjo çoi në atë që “elemtentet e luftës civile në vend u thelluan më tej”. Në një tekst thuhet se për Këshillin e Lartë të Regjencës dhe nuk ka asnjë fjalë për kolaboracionizëm. Më tej gjejmë se “Mësymja armike e dimrit 1943-1944 u ashpërsuan më tej elemtente të një lufte civile në vend”. Asgjë se bashkë me gjermanët luftonin dhe balistët. Më tej thuhet se “Forcat antifashiste i pritën me luftë gjermanët në mbarë vendin…”. Po cilat forca ishin këto forca nuk thuhet, dhe për masakrën e Borovës thuhet se u pushkatuan 100 vetë, kur duhet thënë se ishin burra, gra, pleq fëmijë, etj.
Për ditën e çlirimit të Shqipërisë
Në këto tekste mësimore shkruhet kështu në një variant “Qyteti i fundit që u çlirua ishte Shkodra “në mesnatën e 28 nëntorit, duke u gdhirë 29 nëntori”. As vetëm 28, as vetëm 29. Ky është kompromis apo … A mund të shprehet kështu historia për data. Ndërsa në një tekst tjetër shprehet se në vitet 1939-1944 Shqipëria ishte e pushtuar nga ushtritë italiane dhe gjermane. Gjatë këtyre viteve shqiptarët luftuan ndaj këtyre pushtuesve për të rifitura pavarësinë e shtetit të tyre. Më 29 nëntor 1944, ushtria gjermane u largua nga Shqipëria. Vendi u çlirua nga pushtuesit e huaj. Nga kjo kohë e më pas, në Shqipëri u vendos një rregjim komunist i drejtuar nga Enver Hoxha, i cili solli izolimin e vendit. Dhe më tej thuhet se Gjermanët u larguan. Pra gjermanët u larguan, për bashkëpunëtorët e tyre nuk flitet dhe më tej komentohet periudha më pas, regjimi komunist dhe izolimi. Për këtë periudhë asnjë foto, siç është bërë për periudhat e tjera.
Ja kështu trajtohet Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar që u mësohet sot nxënësve nga historianët tanë. Në këtë rast na habit, madje na revolton qëndrimi shpërfillës i Ministrisë së Arsimit dhe Akademisë së Shkencave.
Gazeta Dita