• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, March 2, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

Si e shndërroi kapitalizmi “kohën e lirë” në mall. Një propozim për daljen nga ky makth me përmasa planetare

by A R
01/09/2020 15:18
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Rodolphe Christin

Si të ikim nga turizmi i derisotëm duke rizbuluar thelbin e udhëtimit? Dalja nga ky makth që ka marrë përmasa planetare kërkon të gjejmë një lidhje të çliruar nga pushtimi. Të largohemi nga përditshmëria pa e pushtuar përditshmërinë e të tjerëve, duke i dhënë prioritet itinerarit dhe jo destinacionit.

Duket sikur koronavirusi ka arritur atë që disa ‘desperados’ të “anti-turizmit” nuk kanë mundur as ta imagjinojnë! Aktiviteti të cilin Organizata Botërore e Turizmit e konsideronte si perspektivë e rritjes pakufi është ndalur krejtësisht duke shfaqur brishtësinë e tij.

Tani e kemi kuptuar se hiper-lëvizshmëria e domosdoshme për kapitalizmin e globalizuar në përgjithësi dhe për turizmin në veçanti mbetet në mëshirë të vendimeve për ndalje të veprimtarisë që mund të shpallen në çdo kohë. Një fatkeqësi e tillë nuk është aspak për t’u mirëpritur, duke marrë parasysh jetët e shkatërruara nga falimentimet, largimet nga puna, etj.

Megjithatë, kapitalizmi mund ta gëlltitë shumë mirë Covid-19 me disa veprime përshtatëse dhe me masa kompensuese. Në mesin e muajit maj, kryeministri Edouard Philippe ka zhbllokuar 18 miliardë euro për ta ndihmuar turizmin të kapërcejë “sfidën më të rëndë në historinë e tij”.

Tashmë shihet në horizont iluzioni i rritjes së gjelbër, i mbështjellur me një mori gënjeshtrash. Mos t’i shmangim temat që nuk na pëlqejnë: në mesin e atyre që thonë se dëshirojnë një “ndryshim”, në të vërtetë sa prej tyre kuptojnë konkretisht se në çfarë mënyre do të ndikoj ky “tranzicion” në jetët e tyre? Sa do të kërkoj një transformim i tillë të heqim dorë nga elementet ekzistenciale të rehatisë, të konsideruara deri më sot normale, praktike dhe mbi të gjitha të këndshme?

Me neo-liberalizmin, shfrytëzohemi në çdo cep të ekzistencës. Në punë, e cila shpesh konsiderohet si punë e mërzitshme. Në aktivitetet e kohës së lirë që shoqërohen me mirëqenie, jetesë të mirë, pushim, kënaqësi , e madje edhe “emancipim”. Këtu shfaqet turizmi, mjeti që e fut kohën e lirë në fushën e mallrave.

Është e lehtë ta denoncosh industrinë e rëndë që mban erë të keqe, bën zhurmë dhe i lidh trupat njerëzorë në vendet e punës. Ndërsa turizmi, përveçse i këndshëm, dukej i virtytshëm: favorizonte marrëdhëniet të qeta njerëzore. Ishte një mjet për zhvillimin e disa rajoneve të largëta, me “valorizimin” e natyrës dhe kulturave.

Që nga përhapja e punës me pagë dhe më pas të shoqërisë konsumatore, turizmi ka qenë motori ndihmës i shoqërisë produktiviste. Kjo industri u shfaq ngushëlluese, si një formë kompensimi për punën e lodhshme. Pagë në shkëmbim të produktivitetit, ky është shkëmbimi djallëzor i mbërthyer te shpresa nostalgjike: ta shohim pak parajsën, të cilën duhet ta vizitojmë në versione të shumta dhe në mënyrë fluturuese, duke lëvizur, lëvizur, lëvizur.

———

Zhvillimi i tregut të argëtimit bëri të mundur që pagat të mbesin në prehër të konsumit: një pagë duhet të përdoret për të konsumuar. Mbajtja e punonjësit në këtë qark të mbyllur është një taktikë e vjetër. Henry Ford e kishte kuptuar qysh atëherë, duke i rritur të ardhurat e punëtorëve të tij në mënyrë që t’u shiste veturat e tij. Paralelisht promovonte të drejtën e lëvizjes individuale. Si një praktikues efektiv i taylorizmit, jo rastësisht ai admironte nazizmin dhe ishte një laborator i vërtetë i masave shtrënguese.

Siç e ka treguar qartë Dany-Robert Dufour, i punësuari punon dy herë: një herë duke prodhuar, një tjetër duke konsumuar. Propaganda e marketingut e maskon këtë skemë duke na lënë përshtypjen se jemi gjithmonë “të lirë t’i bindemi ose jo” urdhërit që të konsumojmë për të ekzistuar.

Në të njëjtin kontekst, një operacion i madh mashtrues me anë të imazheve të peizazheve të bukura, të mikpritjes së popullsisë vendase dhe të kënaqësisë që po na pret, bën që nisja për pushime të duket si diçka që në fakt nuk është: një arratisje.

Hap pas hapi e drejta për pushime me pagesë, një fitore emblematike shoqërore, u shndërrua shpejt në të drejtën për turizëm: shkuarja në pushime u shit si shenjë e “demokratizimit” të tregut. Në një shoqëri konsumi, demokracia politike u degradua në demokraci të konsumatorit. Politika në fund u barazua me menaxhimin e thjeshtë të “fuqisë blerëse”.

Do t’ishte dashur që intelektualët, lëvizjet politike dhe qeveritë, ta kishin menduar më me kujdes pushtimin e kohës së lirë dhe shfrytëzimin e saj. Por, kapitalizmi është treguar arenë e një mashtrimi të hatashëm, duke e ndryshuar me inteligjencë perverse turizmin shoqëror, në turizëm të sipërmarrjes.

“Liria”, e cila është shndërruar veç në shërbim, tanimë blihet dhe konsumohet. Më shqetësues është fakti se mendimi kritik e ka injoruar tërësisht këtë marketing të hatashëm që i ka futur aktivitetet e kohës së lirë në qarqet e tregut.

I tillë është modeli i jetës borgjeze: i shtrirë për të rritur klientelën dhe për t’i shtuar fitimet. Pandemia e ka ndalur përkohësisht këtë botë, por ajo dëshiron të rifillojë.

——-

Ka një debat të hershëm mes Reformës dhe Revolucionit: ta rregullojmë kapitalizmin për ta bërë më të pranueshëm duke zgjeruar tregun e aktiviteteve argëtuese? Apo t’i ndryshojmë kushtet e jetesës dhe ushtrimin e pushtetit duke i rimenduar qëllimet e ekzistencës.

Turizmi, me kënaqësitë e tij na bën individë normalë, që përshtaten funksionalisht, individë që prodhojnë në punë dhe dijnë të kënaqen në pushime. Të ngushëlluar përkohësisht për punën e lodhshme që kemi, tani, kënaqemi me botën siç është. Tjetër: të lumtur që jetojmë në një vend të zhvilluar, ndjehemi të pasur në kontaktet me më të varfërit.

Qëllimet terapeutike të turizmit nuk përbëjnë diçka të re, por nuk është rastësi që kriza shëndetësore ka shkaktuar mbylljen masive dhe globale pikërisht të kësaj industrie.

Shikoni çfarë gjindet nën tastierën e themeluesit të portalit Easyvoyages, Jean-Pierre Nadir:

“Pasi të shërojmë trupat, do të duhet të shërojmë kokat. Nëse rinis makineria, mund ta konceptojmë dhe zhvillojmë një plan për një pushim ‘falas’ për personelin shëndetësor, pra në formën e kuponave për pushime”.

Ja pra një sugjerim sa zbulues, aq dhe i pahijshëm, e megjithatë në përputhje me përfitimin: t’i riparojmë punëtorët në mënyrë që ata të rifitojnë aftësinë e tyre prodhuese.

Për të shpëtuar veten e tyre, a do të shndërrohen agjentët turistikë në mjekë për çrregullime psikike nga vetizolimi dhe për personelin e rraskapitur shëndetësor? A do të bëhet turizmi një mision i ri i shërbimeve publike kushtuar shërimit të çrregullimeve të stresit post-izolim?

Këto pyetje duken edhe më trazuese duke marrë parasysh se vendet për pushime janë më së shumti të mbyllura dhe të izoluara, sikurse spitalet. A do të kalojnë së shpejti në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë?

———

Gjithsesi turizmi nuk është një produkt i rëndësisë së parë. Turizmi i përket individëve që zotojnë  mjete ekonomike për të shkuar në ndonjë vend tjetër vetëm për “kënaqësi”. Sipas Observatorit të Pabarazive, 80% e kuadrove në Francë shkojnë në pushime, por vetëm 50% e punëtorëve; por kujdes, nuk shkojnë as në kushte dhe as në vende të njëjta. Në vendet në zhvillim dallimi është edhe më i madh.

Shërbimet që shiten nga industria e turizmit janë simptoma të transformimit që u ka bërë globalizimi marrëdhënieve tona me territorin. Në anën tjetër, vetizolimi na ka zhytur përsëri në mungesat dhe mrekullitë e përditshmërisë sonë. Pikërisht në këtë pikë, do të duhej ta mobilizonim aftësinë tonë për veprim mbi realitetin duke u bazuar në një inventar me sy kritik të rrethanave tona të jetesës.

Qëllimi do të ishte ta ndryshojmë atë që duket e pajetueshme në përditshmërinë tonë, ta bëjmë të jetueshme atë që na shtyn të shkojmë në fund të botës; ta vrasim ekzotizmin dhe ta banalizojmë “nocionin e të ndryshmes”, siç thoshte Victor Segalen, duke e përshtatur atë për ta vërë në shërbimin tonë.

Sidoqoftë, çështja nuk është ta shndërrojmë territorin në një kamp të ngulitur, por përkundrazi të shkëmbejmë globalizimin me globalizëm, duke ndjekur rrugën e hapur nga poeti dhe mendimtari Édouard Glissant: “Reflektimi i globalizmit, të cilin e apostrofojmë vazhdimisht, nga frika se nuk do të dimë ta dallojmë nga zjarri rrotullues i globalizimeve tona kataklizmike”.

Kjo do të thotë, të kthehemi në vendet, në format hapësinore të të jetuarit bashkë – nga lagja, në pyll – për t’i rikonsideruar ato si hapësira të bashkimit ku njerëzimi mediton, ku vendosen marrëdhënie të reja midis nesh dhe botës materiale ose natyrës. Na mbetet të rizbulojmë një reflektim të ndjenjave, një inteligjencë që do të ishte njëkohësisht poetike edhe praktike, e cila do të synonte forma të reja të mikpritjes, marrëdhënie të reja të ekuilibruara me gjallesat e jo shkatërrimin e ekosistemeve natyrore edhe kulturore në emër të rendimentit që gjeneron fitime. Do të nevojitej një arsimim popullor i tillë, në një farë mënyre, arsimim në natyrë.

Kërkesat e globalitetit do të nxisnin gjithashtu që të gjindet një politikë e mikpritjes, larg marrëdhënieve tregtare. Pse të mos imagjinojmë shkëmbime në formë kompensimi mallrash (banesa, krevate) ndërmjet qyteteve, rajoneve e më pas shteteve? Rihapja ndaj botës të bashkëjetonte me rilokalizimin; të posaardhurit dhe vendasit, t’i rikrijonin format e takimit mes tyre: ndihmë në punë, shkëmbime shërbimesh dhe aftësish, prani e thjeshtë, shkëmbim bisedash, eksplorime në territor…

Këtu nuk është çështje e shtrirjes së një modeli të vetëm gjithandej (logjika e globalizimit), por e artikulimit të shkëmbimeve që respektojnë tiparet e veçanta të çdo shoqërie dhe marrëdhëniet e saj me territorin e saj natyror.

Globaliteti do të përcillte një qëllim të ekologjisë shoqërore, të lokalizuar sa të jetë e mundur, duke e konsideruar si të domosdoshme përshtatjen me diversitetin kulturor dhe natyror. Linja politike do të konsistonte në ndërtimin e botës “së jetueshme” përmes solidaritetit të hapur për të gjitha gjallesat.

Atëherë, udhëtimi do të merrte kuptimin e tij të plotë si një përvojë ndjenjash, jo thjesht konsumi. Pra jo ml udhëtime pa shpirt apo shije, por shkëmbime “me marrëdhënie” më të dendura, më poetike dhe më pak sipërfaqësore. Këto do të ankorohen në potencialin e reciprocitetit; një mikpritje e vendosur si parim, e organizuar politikisht, por larg nga asimetria e një marrëdhënieje vetëm ekonomike midis vizitorëve dhe vendasve.

Marrë nga “Le Monde Diplomatique” në shqip
Titulli origjinal: “Të rifillosh, por jo si më parë…”

Next Post
Shenja më me fat për sot, 10 Korrik 2018

Horoskopi për ditën e Mërkurë, 2 Shtator 2020

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Irani godet në territor britanik, Starmer hap bazat ushtarake për amerikanët

Irani godet në territor britanik, Starmer hap bazat ushtarake për amerikanët

March 2, 2026
Një nga rafineritë më të mëdha të naftës në botë goditet nga një dron iranian, Arabia Saudite ndalon disa operacione në Ras Tanura

Një nga rafineritë më të mëdha të naftës në botë goditet nga një dron iranian, Arabia Saudite ndalon disa operacione në Ras Tanura

March 2, 2026
Në kërkim në Gjermani për trafik droge, shqiptarit i sekuestrohen apartamentet në Durrës dhe Tiranë

Në kërkim në Gjermani për trafik droge, shqiptarit i sekuestrohen apartamentet në Durrës dhe Tiranë

March 2, 2026
Nis gjykimi për kryebashkiakun e Tropojës dhe zëvendësin e tij, Biberaj: Në 35 vite punë s’kam marrë një vërejte

Nis gjykimi për kryebashkiakun e Tropojës dhe zëvendësin e tij, Biberaj: Në 35 vite punë s’kam marrë një vërejte

March 2, 2026
Homogjenizimi politik maqedonas, rrezik për shtetndërtimin e shqiptarëve në RMV

Kuvendi i Lezhës, model i racionalitetit politik

March 2, 2026
Dita e tretë e sulmeve/ Lufta në Lindjen e Mesme, nga Izraeli në Kuvajt, sa viktima janë shënuar deri më tani

Dita e tretë e sulmeve/ Lufta në Lindjen e Mesme, nga Izraeli në Kuvajt, sa viktima janë shënuar deri më tani

March 2, 2026
Zbulohet “foleja” e prostitucionit në Durrës, disa të arrestuar, mes tyre dy vajza!

Ushtronin prostitucionin në një apartament me qira, arrestohen dy vietnameze në Tiranë

March 2, 2026
Nga B-2 e Tomahawk, te Patriot e THAAD/ Lista e armëve të përdorura nga Uashingtoni në sulmet ndaj Iranit

Nga B-2 e Tomahawk, te Patriot e THAAD/ Lista e armëve të përdorura nga Uashingtoni në sulmet ndaj Iranit

March 2, 2026
Zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës, Albin Kurti takohet sot me kreun e LDK-së

Zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës, Albin Kurti takohet sot me kreun e LDK-së

March 2, 2026
Rama mbërrin në Pallatin e Brigadave për t’u takuar me Presidentin, pritet dekretimi i ndryshimeve në qeveri

Rama mbërrin në Pallatin e Brigadave për t’u takuar me Presidentin, pritet dekretimi i ndryshimeve në qeveri

March 2, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In