Në qytezën e dijes, me 8 dhjetor të ‘90-ës errësira tashmë duhej t’i linte vendin dritës… Banorët e rinj të ‘Qytetit Studenti’ ishin paqësorë përballë një shteti të dhunshëm të mbushur plot urrejtje. Të rinjtë ishin evropianë përballë mbretërisë së mediokritetit, ndaj vendosën të ngrihen e t’i japin fund njëherë e përgjithmonë diktaturës komuniste. Vullnet Spahiu është njëri prej studentëve dhjetorist dhe themelues i PD-së, që përmes kësaj interviste për “Gazeta Shqiptare” hedh dritë mbi ditët që bënë historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Studenti i Inxhinierisë në Universitetin Politeknik të Tiranës rikthen në vëmendje orët e para të protestës, bisedat në errësirë për të nesërmen, ardhja e doktor Berishës në ‘Qytetin Studenti’, rrethimin nga policia, takimin me Ramiz Alinë, themelimin e PD-së e deri te zhgënjimi i madh ndaj partisë që ai e themeloi 26 vite më parë.
Z. Spahiu, cila ishte situata në ‘Qytetin Studenti’ paraditen e 8 dhjetorit?
Ka qenë ditë normale si të gjitha ditët e tjera. Ishim me sezon provimesh dhe kohën më të madhe na e merrte studimi. Po mbrëmja e 8 dhjetorit si ishte…? Pasi hëngrëm darkën me “bollëkun” e asaj kohe, ishim futur nëpër dhoma për të studiuar. Për një moment na fiken dritat. Dolëm nëpër ballkonet e konvikteve dhe thërritëm “duam drita”, “duam drita”. Por vazhdoi sërish ndërprerja.
Çfarë ndodhi më pas?
Të mbetur në errësirë, një grup studentësh nga Inxhinieria Elektrike të godinës 28/ 29 dolën jashtë para konviktit. Në oborr thërritnin “duam drita”… Më pas zbresin përpara godinës 20/21, ku banonin studentët e Fakultetit Gjeologji-Miniera, duke thirrur sërish “duam drita”, por tani kërkonin që edhe studentët e tjerë të bashkoheshin me ta tek drejtoria e ‘Qytetit Studenti’.
Sa studentë ishit grumbulluar deri në atë moment?
Kemi qenë rreth 200-300 studentë. Rrugës për tek drejtoria e “Qytetit Studenti” na u bashkuam shumë studentë të Fakultetit të Inxhinierive dhe të Arteve. Morëm rrugën duke thirrur “duam drita, duam drita” për tek drejtoria e “Qytetit Studenti”.
Po nga pedagogët kush ju mbështeti?
Tek godina 18 na doleë përpara pedagogët që banonin aty z.Eduart Selami, z.Arben Imami, z.Zef Brozi etj.
Si reaguan ata kur ju panë duke protestuar?
Në momentin që i takuam sapo erdhën dritat dhe gjendeshim mes drejtorisë dhe godinës 18. Pedagogët na thanë: “Djema çfarë bëni, kthehuni në godina sepse erdhën dritat”. Po kështu na tha edhe drejtori i “Qytetit Studenti”, i cili na doli përpara dhe na kërkoi të riktheheshim në konvikt. Por ne vazhdonim me thirrjet “duam të drejtat tona” dhe tashmë po bënim kërkesa të ndryshme ekonomike. Çfarë ndodhi më pas? Atë moment vjen Azem Hajdari së bashku me Abdyl Matoshin dhe Nue Lugjen dhe u bashkuan me ne. Azemi si më i madh dhe trim që ishte, na thotë: “Shkojmë tek sheshi ‘Skënderbej’ që të protestojmë se këta na tallin, na gënjejnë ndaj djema vazhdojmë përpara, sepse nuk ka marrëveshje me këta. Të ecim kështu siç jemi drejt sheshit dhe të kërkojmë takim me presidentin Ramiz Alia”.
Pse pikërisht në atë moment lindi ideja për takim me Ramiz Alinë?
Na erdhi kjo ide, pasi Ramiz Alia një vit më parë ishte në OKB dhe bëri biseda të ndryshme me drejtues të OKB-së. Madje, flitej se ishsekretari i OKB-së, Javier Pérez de Cuéllar, i dhuroi një stilolaps Z.Alia. Sapo Alia u rikthye prej andej, na la të nënkuptonim se OKB-ja e kishte rekomanduar që të lejonte të drejtën e pluralizmit të mendimit, por jo pluralizëm politik. Ndaj vazhduam përpara, morëm rrugën për në qendër duke thirrur “bashkohuni me ne”, “liri demokraci”, “tek sheshi, tek sheshi”. Para se të zbrisnim në shesh, u afruam tek godina 11/12 ku banonin dhe vajzat. Aty thirrëm “ejani motrat tona”, “bashkohuni me ne”, “fikni dritat”, “hajdeni poshtë”.
Iu bashkuan edhe ato protestës?
Vajzat fikën dritat dhe erdhën poshtë. Guximi ynë dhe vendosmëria u shtua më shumë. Vazhduam përpara drejt qendrës, duke thirrur “bashkohuni me ne”, “liri demokraci”. Turma sa vinte dhe u shtohej, por duke vazhduar në ngushticën e hyrjes së “Qytetit Studenti” na del përpara policia dhe na bllokon rrugën.
Si reagoi policia në ato momente?
Aty bashkë me policinë kishte dalë dhe ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe, Hekuran Isai. Kërkoi të bënte kompromis me ne, por ne nuk pranonim, pasi na dukeshin gënjeshtra dhe pallavra të sistemit të diktaturës. Përpara ishin vendosur vajzat, edhe ky moment rrënqethës. Pas një shtyrjeje të turmës, ish-ministri brendshëm bie në një kanal në krah të rrugës. Aty ai thërret policinë duke u thënë: Bjeruni qenave! Policia vazhdoi të godasë me shkopinj gome dhe me pistoleta elektrike. Në përleshje e sipër na u plagosen disa studente, të cilat vajtën në spital, disa na i arrestuan.
Atëherë urrejtja jonë dhe vendosmëria për të vazhduar u shtua më shumë. Situata e tensionuar riktheu protestuesit mbrapsht?
U kthyem në qendrën e “Qytetit Studenti” tek sheshi përpara mensave dhe diskutonim për vazhdimin ku Azemi tha: “Këtu jemi në shtëpinë tonë. Nuk kanë çfarë të na bëjnë”. Kërkonim lirimin e shokëve dhe shoqeve tona. Diskutuam gjatë për vazhdimin e protestës. Diskutuam edhe për Kartën e Helsinkut mbi të drejtat e njeriut, ku e lexoi Bardhyl Ukcama. Aty vendosmëria për vazhdim u bë e pa diskutueshme dhe aty nga mesnata u ndamë nëpër godina që të lajmëronim dhe studentët e tjerë, që nuk do të bëhej mësim të nesërmen, por do të bëhej protestë për të drejtat tona dhe do merrnim rrugën për tek sheshi “Skënderbej”.
…Dhe cfarë ndodhi të nesërmen?
Vepruam ashtu siç e kishim vendosur në darkë. Që në mëngjes dolëm në qendër të “Qytetit Studenti” dhe vazhduam me bindjen se edhe studentët e tjerë nuk do shkonin në mësim në fakultet përkatëse. Rreth orës 9 të mëngjesit tek ne vjen pedagogu Sali Berisha.
Për çfarë arsyeje erdhi z.Berisha në “Qytetin Studenti”?
Z. Berisha erdhi dhe na tha: “Unë jam me ju, por duhet t’i ktheheni mësimit, pasi e keni për veten tuaj. Ndaj duhet të vazhdojë mësimi”.
Si reaguan studentët ndaj tij?
Ne nuk pranuam dhe i thamë shumë qartë që nuk kthehemi në mësim pa u përmbushur kërkesat tona ekonomike. Madje, i thamë: Ik, ti je komunist!
Dhe cila ishte përgjigjja e z.Berisha?
Ai na foli nga foltorja dhe kur dëgjoi fjalët tona, iku. U largua. Ndërsa ne vendosëm të niseshim për në qendër, drejt sheshit “Skënderbej” duke thirrur edhe pjesën e studentëve të painformuar, të cilët kishin shkuar në mësim atë ditë. Vazhduam drejt Rrugës së Elbasanit përpara Fakultetit Ekonomik dhe Filologjik me thirrjet “bashkohuni me ne” dhe turma sa vinte dhe shtohej. Ndërkohë, kamionët me policë po na rrethonin, por ne vazhduam deri tek Liceu Artistik përpara ish- ambasadës italiane. Aty na bllokon rrugën policia dhe na del përpara ish-sekretari i parë i rinisë, z.Lisen Bashkurti.
Çfarë kërkonte prej jush?
Bashkurti kërkoi të bisedonte, por me një grup drejtuesish ose drejtuesin e protestës.
Ndërkohë ju e kishin zgjedhur drejtuesin e protestës?
Aty i dhamë megafonin Azem Hajdarit. Ai i tha atij: “Zoti Lisen s’kemi drejtues, sepse protestat popullore i ka drejtuar dhe një çoban”? Në atë moment u përleshëm përsëri me policinë. U kthyem në qendër të “Qytetit Studenti” me vendosmërinë për të vazhduar më tej. Pak çaste më pas, Ramiz Alia na kërkoi një përfaqësi për të biseduar pasi nuk mund të diskutohej me të gjithë, ndërkohë që ishkryeministri Adil Çarçani kërkoi të bëhej marrëveshje, por nuk pranuam. Ne kërkonim krijimin e shoqatës sonë.
Në një situatë të tillë erdhi sërish Sali Berisha tek ne. Si ishte hera e dytë e z.Berisha te studentët?
Ne ishim më tepër të vendosur në kërkesat tona, ndaj erdhi sërish Sali Berisha tek ne. Ai na tha: “Zgjidhni përfaqësinë tuaj që të shkojë në takim, por unë bashkohem me ju, nëse ju bashkoheni me mua për idenë e pluralizmit politik”. Pra, kërkesa të mos ishte thjesht shoqatë dhe kërkesa ekonomike. Dhe faktikisht kështu vepruam. Zgjodhëm përfaqësinë tonë, që vajti në takim me Ramiz Alinë dhe kërkuam siguri për shokët, megjithëse na i goditën në dalje të takimit me pretekstin se i morën pistoletën një oficeri. Kështu, pas takimit me Ramiz Alinë, morëm ‘OK’-in për të formuar një shoqatë studentore vazhduam krijimin e shoqatës studentore, ku kryetar u vendos Blendi Gonxhe dhe mblodhëm firmat për formimin e partisë së parë opozitare që u quajt Partia Demokratike. Por, dua të kujtoj këtu se lëvizja studentore nisi si pasardhëse e disa protestave të vogla paraprake si në Shkodër, në Shijak, në Kavajë etj. dhe fill pas 2 korrikut, pra hapjes së ambasadave në Tiranë dhe dezertimit të Ismail Kadaresë.
A ndjehej frika tek studentët ato ditë të vështira që nisën nga errësira, por që rrëzuan një diktaturë të ashpër si ajo e Enver Hoxhës?
Jo, sepse s’kishim çfarë të humbnim. Sepse çdo gjë po merrte fund dhe siç thashë, njohja e pluralizmit të mendimit na e hapte rrugën. Frika ishte se do të na shtypnin, sepse afro 1 vit më parë në Kinën komuniste kryeministri Lipen shtypi me tank 300 studentë gjatë një proteste të tyre. Gjithashtu, në qeverinë shqiptare kishte shumë elementë ekstremistë të betuar komunistë, të cilët deportuan edhe në lëvizjen tonë studentore. Madje, jo të gjitha veprimet dhe lëvizjet tona studentore ishin të kënaqshme.
Për cilat arsye?
Sepse atë lëvizje e shfrytëzuan shumë ish-komunistët, spiunët e Sigurimit të asaj kohe dhe drejtues partie e rinie të PPSH-së. Por, lëvizja kishte një ideal dhe ishte i pashmangshëm qëllimi, të vendoste demokracinë në vend. Merita në lëvizjen studentore ‘90 kanë të gjithë ish-studentët, po ashtu edhe pedagogët, po ashtu dhe populli i Tiranës që na përkrahte vazhdimisht. Meritë të veçantë në lëvizjen studentore përveç Azem Hajdarit, Abdyl Matoshit, Akli Fundom, Ndue Lugja, Skender Madanit, Mentor Madanit, Arben Sulos etj. kanë studentët shkodran. Ata ishin shumë të vendosur dhe me kulturë demokratike si Arben Broci, Shenasi Rama, Arben Lika etj., dhe u kërkoj ndjesë atyre që nuk po u përmend emrat. Por, e keqja ishte sepse në disa përzgjedhje u futën sekretar e bij sekretarësh partie. Po kështu, edhe në PD ku dhe unë jam një nga themeluesit e saj bashkë me shokët Arben Broci, Shenasi Rama, Arben Lika etj.
… Dhe si e shikoni PD-në pas kaq shumë vitesh?
Më vjen keq që e them, por e shoh në ditë shumë të vështira. Sepse partia e parë opozitare që ne krijuam së bashku me ish-të përndjekurit politikë jo vetëm që nuk bëri asgjë për ne si dhjetorista dhe të përndjekurit politikë, por me kalimin e viteve, PD-në e zaptuan mbi 90% ish-komunistët dhe ne që e themeluam, dolëm jashtë loje. Po ashtu PD-ja nuk bëri asgjë as për popullin në përgjithësi. Kështu që as tani nuk po shoh ndonjë përpjekje për të afruar ish-dhjetoristët e vërtetë. Ndjej keqardhje që PD-ja është në ditët e saj më të këqija. Madje, mund të them se PD-ja po shkon drejt shkrirjes. Këtë e treguan zgjedhjet e Dibrës dhe Kolonjës shumë qartë. Pra, PD-ja në qoftë se nuk largon ish-komunistët, të konsumuarit tashmë politikisht dhe po nuk u bashkua me dhjetoristët e vërtetë e jo servilët dhe ishtë përndjekurit, i thoni ‘lamtumirë’.
(Gazeta Shqiptare)