Vaçe Zela është artistja e madhe që u kthye në idhullin e shumë brezave. Vaçe Zela, i dhuroi publikut shqiptar si edhe historisë së muzikës shqiptare zërin e saj të artë.
Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë kohës komuniste dhe iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Vaçe Zela lindi në Lushnjë, më 7 prill të vitit 1939. Vaçja do të spikaste me talentin e saj që në moshë të hershme. “Kur ishte 13 vjeçe, Vaçja mbrëmjeve merrte kitarën dhe ulej poshtë një ulliri para shtëpisë së saj. Aty këndonte derisa gjyshja i dilte dhe i thoshte: ‘Ç’e ke këtë zë të bukur moj bijë?! Por po na lë pa gjumë’”. Pikërisht meloditë e para Vaçja i këndoi në shtëpinë e saj, në qendër të Lushnjës. Derisa një koncert e bëri atë të famshme menjëherë. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare në Lushnjë. Provoi të studionte në Liceun Artistik, por pa mundur. Ndoqi gjimnazin “Qemal Stafa”, por talenti i saj shpejt do të binte në sy.
U emërua fillimisht këngëtare në Estradën e Ushtrisë, më pas në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Ndonëse brenda një sistemi të mbyllur, zëri i Vaçe Zelës i kishte kaluar kufijtë. Vaçe Zela është fituesja e Festivalit të Parë të Këngës në Radio me këngën “Fëmija i parë”, më 26 dhjetor të vitit 1962, ndërsa ishte 23 vjeçe. Pas kësaj, Vaçe Zela do të bëhej numri një i skenës shqiptare. Duke bashkëpunuar me emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare: Grimci, Daija, Prodani, Krajka, Deda, Gaci, Kushta etj. Këngë si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tona ilegale” etj. kanë ngelur në fondin e artë të muzikës shqiptare.
REPERTORI NDËR VITE
Repertori i saj i ngjeshur vijon të gëzojë popullaritet edhe sot. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Mori pjesë në shumë festivale të muzikës në Radio dhe më pas në Radiotelevizion, që prej organizimit të parë të tyre. Është fituesja e Festivalit të Parë (1962) me këngën “Fëmija i parë”. Në vazhdim të karrierës, do të fitonte edhe 11 çmime të tjera të para. U largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992, duke lënë pas një kontribut të konsiderueshëm në muzikën shqiptare me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada etj.
Në shenjë vlerësimi u nderua me Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit. Ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Kjo karrierë e lavdishme, u ndërpre në vitin 1991, vit që shënon edhe ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje. Vaçe Zela, është konsideruar nga të gjithë brezat, si meteori qiellor i fatit që i ra për pjesë Shqipërisë. Atëherë kur Shqipëria kishte vetëm varfëri ekstreme dhe prapambetje, këngët e Vaçe Zelës i kënduan dritës dhe shpresës. Ajo kishte repertor shumë të gjerë e të larmishëm si rrallë këngëtare të famshme në botë. Vaçe Zela kishte aftësi të jashtëzakonshme për ta përvetësuar dhe riprodhuar çdo melodi, qoftë edhe me njëherë të dëgjuar nga radioja.
Ajo kishte aftësinë për ta bërë këngën të prekshme për çdo mjedis dhe arrinte të ruante besnikërinë ndaj nuancave origjinale fine, qofshin ato dhe nga tradita e popujve të tjerë. Rasti i fundit i pranisë së saj në atmosferën e festivalit ishte viti 1999. Festivali i 38-të i këngës. E ftuan nga Zvicra si kryetare e jurisë, ku jetonte prej vitesh dhe kurohej për sëmundjen e sa. Megjithëse mjekët e këshilluan të mos udhëtonte ajo nuk donte të humbiste emocionet e festivalit. Po aty e nderuan me çmimin “Mjeshtre e Madhe e Punës”. I fundit çmim për Vaçe Zelën është “Çmimi i madh special për legjendën e këngës”, në 45-vjetorin e Festivalit në RTSH. Ky vlerësim iu bë këngëtares së njohur shqiptare në natën Gala, të organizuar në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit vetëm pak ditë përpara se të niste Festivali në Radio Televizion, i cili numëron një numër rekord prej 20 festivalesh. Çmimi i është akorduar këngëtares për kontributin e veçantë të dhënë për muzikën shqiptare dhe për pjesëmarrjet e veçanta qysh në vitet e para të organizimit të këtij festivali, në të cilin artistja ka rrëmbyer edhe mjaft çmime.
KUJTIMET E ARTISTES
Vaçe Zela jetoi shumë vite në Bazel të Bazel të Zvicrës, ndërkohë që për jetën atje shkroi një libër. Ishte Irma, i vetmi fëmijë i këngëtares, e para që vajti në Bazel dhe më pas morri atje edhe familjen. Këngëtarja e madhe jetonte në qytetin Bazel të Zvicrës, në një banesë pesëdhomëshe, në katin e parë, qetë e dinjitetshëm, ajo lufton sëmundjen për ta mbijetuar me jetën: larg këngës, larg skenës, që për të paraqiste vend të shenjtë, larg admiruesve të pasionuar pas zërit të saj, të cilëve sot u mungon figura e këngëtares, dhe larg, shumë larg, duartrokitjeve të pafund, e vetmja pasuri që i dhuroi populli. Por, pse Vaçe Zela vendosi të jetonte në Zvicër. Arsyen e ka treguar bashkëshorti saj, Pjetër Rodiqi, para se ai të ndërronte jetë.
“U vendosëm në Zvicër, pasi në vitin 1993, na mbeti Irma, vajza atje. Ajo punon në Institutin e Studimeve Statistikore është bashkëpunëtore shkencore. Nuk mund të ktheheshim më në Shqipëri pasi Vaçja u rëndua edhe më shumë. Dua të theksoj se malli që, kishte për Shqipërinë, e shpejtoi vdekjen e saj. Për hir të së vërtetës duhet themi, se shteti shqiptar është kujdesur për shëndetin e Vaçes, u dërgua në Hungari, në Vjenë, ashtu edhe kur ishim në Zvicër. Mirënjohje të thellë i shprehim Qeverisë “Rama”, për organizimin në mënyrën më madhështore të ceremonisë së varrimit të Vaçes. Mirënjohje të gjithë shqiptarëve, që u rreshtuan në atë kortezh gjigant njerëzish dhe mjetesh, me buqeta e kurora lulesh në krah e lot në sy…”, – ka treguar bashkëshorti i këngëtares.
RRËFIMI I KËNGËTARIT
Hysni Zela, vëllai i Vaçe Zelës, pati rrëfyer dhimbjen për humbjen e artistes së madhe dhe të motrës së tij me datën 6 shkurt 2014. Ai tregoi se para tri javësh kanë qenë familjarisht në shtëpinë e saj në Zvicër. “Vaçja kishte pesë muaj që shkonte vazhdimisht në spital. Kur ishim herën e fundit, na tha: ‘Mendoj se po mbaroj’, në një bisedë telefonike”. Mes emocionesh ai ka thënë se, Shqipëria ka qenë meraku i madh i Vaçe Zelës. Amaneti i saj ishte të prehej në Shqipëri. “Qante e gëzohej shumë kur i përcillja të fala nga artistët e të njohurit nga Shqipëria. Është një humbje e madhe. Nuk humba vetëm unë motrën dhe familja jonë njeriun e dashur. Por është një humbje e madhe për të gjithë muzikën dhe kulturën shqiptare, veçanërisht për popullin. Është rasti të them se nuk ka një njeri që e zbuloi talentin e saj. Vaçja zbuloi veten në shtëpinë tonë në Lushnje, se ne kemi lindur të gjithë në Lushnje”, – është shprehur i vëllai. Sipas tij, ka një fakt interesant. “Vaçja lindi ditën që Italia pushtoi Shqipërinë, por nuk e përmendin këtë dhe vitin e lindjes ia shënuan me qëllim në 1938. Kishim një bahçe përpara shtëpisë dhe Vaçja aty këndonte çdo ditë dhe imagjinoni, edhe pse ishte fëmijë ajo bënte vokalica. Këndonte çdo lloj këngësh, shqiptare e të huaja. Nisi të këndonte në shtëpinë e pionierit në qytetin e Lushnjës dhe aty spikati. Aty u zbulua si talent dhe e kërkuan të vinte në Tiranë. Erdhi në Tiranë në moshën rreth 15-vjeçare dhe filloi shkollën. Në fakt në fillim konkurroi për në Liceun Artistik, por për habi nuk fitoi konkursin duke e nxjerrë të paaftë. Kur e kanë marrë në pyetje, ka qenë në komision Marie Kraja. Bashkë me të ka qenë edhe një soprano bullgare. Ka shumë mundësi që bullgarja të ketë menduar se Vaçja nuk ka qenë për muzikë lirike dhe kjo duhet të ketë qenë arsyeja që nuk ia ka dhënë konkursin. Më pas, Vaçja kreun gjimnazin “Qemal Stafa” dhe më pas fitoi konkursin për në institutin e Arteve në degën dramë.
Por e ndërpreu pasi mbaroi vitin e dytë dhe nuk u diplomua. Madje, ka luajtur edhe një dramë. Ajo e ndërpreu shkollën edhe me arsyen se duke qenë familje e varfër dhe me shumë fëmijë, të gjithë ushqimet t’i merrte Vaçja. Ishte momenti që ajo bëri shkëputjen e madhe si këngëtare dhe ajo nuk mund të ishte edhe aktore edhe këngëtare. Kënga ishte ajo që qëlloi në shenjë”, – ka rrëfyer Hysni Zela. Ai tregon dhe fillesat e sëmundjes së artistes. “Më kujtohet një koncert që Vaçja dha në Greqi. Kthyem vizitën këngëtares Marinela. Ajo vetë ishte në sallën me 2 mijë spektatorë. Kur këndoi Vaçja këngën e saj në greqisht, salla u ngrit në këmbë. Shfaqja mbaroi dhe Vaçja shkoi direkt në garderobë. Iu afrova dhe ajo mbylli derën. Ishte bërë e bardhë borë. U tremba shumë. Duket se i harxhoi të gjitha turbinat e trupit. Aty pashë që për herë të parë pështyu gjak. Kishte kaluar momente shumë të forta. Ndoshta aty ka nisur sëmundja e saj”, – ka rrëfyer këngëtari Hysni Zela.
Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002 Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor. Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga Presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”. Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.
HISTORIA E DASHURISË
Një histori e bukur në jetën e Vaçes së madhe është dhe historia e dashurisë, fejesës dhe martesës së saj, plot mirëkuptim e harmoni. Vaçe Zela u martua me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata lindën vajzën e tyre të dashur e të mbarë, Irma. Lindja e vajzë e lumturoi edhe më shumë çiftin simpatik që pas kësaj e kaluan mbarë jetën mes përkushtimit ndaj këngës dhe familjes. Bashkëshorti i artistes së madhe, Pjetër Rodiqi ndërroi jetë 5 vite pas Vaçe Zelës. Ai vdiq më 16 korrik 2019 pasi humbi betejën me sëmundjen e rëndë. Dyshja kanë qenë bashkë për plot 52 vite. Njohja e dy të rinjve ka ndodhur në vitin 1963, asokohe Pjetri kryente Shërbimin Ushtarak në Lushnje dhe ishte 27 vjeç, ndërsa nuk e kishte idenë se kush ishte Vaçja që ishte te të 24-tat. E njohja e tyre ka ndodhur pikërisht në një bilardo!
“Nuk e dija as kush ishte Vaçja, as që ekzistonte. E njoha në bilardo, madje duke bërë një lojë me të. Kujtoj që më mundi. Ishte vajzë e shkathët, simpatike, pastaj kur e ndoqa në shfaqje tek këndonte, më magjepsi. Unë isha 27 vjeç, kurse Vaçja 24. Bëhet fjalë në vitin 1963. Nuk bëmë dasmë tradicionale, dashuria për ne të dy ishte gjithçka. Jetuam bashkë 52 vjet. Pastaj aktiviteti i saj artistik startoi në Estradën e Ushtarit dhe më pas në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve”, – ka rrëfyer i ndjeri Rodiqi. Kurse në një tjetër rrëfim vetëm pak muaj para së të ikjet nga kjo botë tregoi se kush ishte Vaçe Zela. “Unë e njoha duke luajtur bilardo, kur edhe sot e kësaj dite nuk di të kem lozur ndonjëherë bilardo. Aty nisi ndjenja jonë. Shiko, Vaçja sa ç’qe këngëtare e mirë, aq ishte edhe e zgjuar. Ishte inteligjente me plot kuptimin e fjalës. Sa e madhe, edhe e zgjuar. Më tërhoqi me intelektin e saj. Ne ishim të rinj atë kohë dhe kishim interes për letërsi, poezi e kështu gjërash”, – tregoi bashkëshorti i këngëtares.
I pyetur nëse ka qenë jeta e lehtë apo e vështirë me Vaçen, Pjetri përgjigjet: “Shiko, ka qenë e vështirë në kuptimin që Vaçja u bë e njohur pasi u njohëm ne. Unë deri vonë e kam pasur bezdi që më thoshin ‘burri Vaçes’… ndërsa tani, prezantohem ‘bashkëshorti i Vaçe Zelës’. Sa e madhe ishte aq edhe e thjeshtë!”. – ka rrëfyer Pjetër Rodiqi, bashkëshort i artistes. Ai ka folur edhe për amanetin e këngëtares. “Në fakt, Vaçja për shkaqe të gjendjes së saj të rënduar shëndetësore, në çastet e fundit të jetës, e kishte objektivisht të pamundur, të përcillte ndonjë amanet. Kryeamaneti i saj, që gjatë kohës që u sëmur, ishte të prehej në Shqipëri. Bisedën e fundit nuk e kujtoj, por nuk më hiqen nga mëndja sytë e saj, që u fikën në orën 1 pas mesnate të 6 shkurtit të vitit 2014 u mbyllën për të mos u parë më kurrë, ndërsa vajza klithi nga dhimbja. Fatmirësisht atë natë, si çdo natë tjetër, në shtëpinë tonë ishin mbi 15 bashkatdhetarë, që na ngushëllonin dhe e bashkë gdhimë atë natë të zezë, që na bëri blozë shpirtin, sido që ishim të përgatitur, pasi gjendja shëndetësore në vite, sa vinte e rëndohej. Pas ikjes, dhoma e Vaçes është shndërruar në muze. Kalova jetën me një grua tepër të mençur, më e mençur se aftësia e saj artistike. Po, po. Pavarësisht se çfarë përfaqësonte, Vaçja ishte dhe mbeti përjetësisht modeste të vriste me modestinë e saj…”, – është shprehur Pjetër Rodiqi. Ai ka rrëfyer edhe brengën e Vaçe Zelës.
“Ditën që mbushi 45 vjeç e larguan nga puna, e nxorën në pension. Ajo ishte në kulmin e karrierës së saj dhe kjo e vrau shumë. Nuk e mbajtën as edhe një ditë më shumë. Ishte pikërisht 7 prilli i vitit 1984, që në vend të festonte ditëlindjen, u brengos. Zëri i saj, heshti. Sigurisht, ishte ligji, por Ajo u brengos shumë. Kjo është brenga e vetme e Vaçes, aq më tepër, që ikja e saj krijoi boshllëk në Ansambël”, – ka treguar Pjetër Rodiqi. Por cila ishte origjina e tij? “Unë jam shqiptar, pavarësisht se nëna ka qenë austriake. Babai im është nga Janjeva e Kosovës, që është edhe vendlindja e Shtjefën Gjeçovit, me të cilin jemi farefis, por edhe vendlindja e Pjetër Bogdanit. Im atë studioi për ekonomi në Vjenë, ku njohu vjenezen, me të cilën u martua dhe më lindën mua dhe motrën. Prindërit tërë kohën kanë jetuar me mua dhe Vaçen. Vaçe Zela dhe Pjetër Rodiqi qëndruan bashkë të martuar për 52 vite dhe janë prindër të një vajzë të quajtur Irma. Artistja e mirënjohur ndërroi jetë në Zvicër në shkurt të 2014-ës për shkak të sëmundjeve nga të cilat vuante vitet e fundit, ndërsa mëngjesin e 16 korrikut 2019 u nda nga jeta edhe bashkëshorti i saj, Pjetër Rodiqi.