Si do të jenë makinat hibride për administratën shqiptare
Qeveria japoneze i ka akorduar qeverisë së Republikës së Shqipërinë një shumë prej 500 milionë YEN ose (4 milionë dollarë), nga e cila qeveria shqiptare do të përfitojë makina mjedisore të tipit hibrid dhe me naftë të pastër.
Marrëveshja synon furnizimin me këto makina japoneze të gjeneratës së ardhshme, miqësore ndaj mjedisit, me qëllim zvogëlimin e ndotjes mjedisore dhe reduktimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë. Në relacionin e marrëveshjes së depozituar në Kuvend theksohet se makinat do të shfrytëzohen për përdorim public, në përputhje me nevojat e sektorit publik për mjete transporti.
Institucionet përfituese do të jenë Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, Agjencia e Mjedisit dhe Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.
Numri i saktë i makinave do të përcaktohet pas miratimit të planit të shpërndarjes, që do të miratohet bashkërisht me palën japoneze si dhe në varësi të procedurave të tenderimit, të cilat do të zhvillohen në Japoni. Pritshmëritë janë që këto automjete të vijnë në Shqipëri në fillim të vitit 2016.









