Dhjetë inspektorët më të mirë të Policisë, në 6 komisariatet e Tiranës, atë të Vorës dhe Kavajës, do të ngrihen në detyrë, në zbatim të një urdhri të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
e anë të një shkresë drejtuar komisariateve nr.1, 2, 3, 4, 5, 6, Vorë e Kavajë, ministri Lleshaj u ka kërkuar shefave që të përzgjedhin inspektorët më të mirë, që mund të përfitojnë ngritje në detyrë, bazuar në 6 kritere. Në urdhrin e ministri të Brendshëm,
“Për vlerësim performance për ecurinë në karrierë”, theksohet se ky hap ka për qëllim promovimin e punonjësve të Policisë, të cilët kanë rezultate të mira dhe performancë të mirë profesionale gjatë karrierës së tyre. “Mbështetur në nenin 11 të ligjit ‘Për Policinë e Shtetit’, si dhe bazuar në nenin 29, pika b, të Rregullores së Policisë së Shtetit, nisur nga domosdoshmëria e promovimit të punonjësve të Policisë, të cilët kanë rezultate dhe performancë të mirë profesionale gjatë karrierës së tyre policore me qëllim ngritjen e tyre për ecuri në karrierë, urdhëroj: Nga ana juaj përzgjidhen 10 punonjës Policie me gradën “Inspektor” për ngritjen në karrierë”, thuhet në urdhrin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Në urdhrin që ka shkuar prej disa ditësh në komisariatet e Policisë së Tiranës, Vorës e Kavajës, renditen 6 kritere për ecurinë në karrierë të 10 inspektorëve më të mirë. Mes këtyre kritereve është mosha, që duhet të jetë nga 27 deri në 35 vjeç, ndërsa nga ana tjetër edhe një eksperiencë profesionale mbi 5 vite punë.
Kriter tjetër është edhe që të ketë rezultate të mira në punë e të ketë gradën policore “Inspektor”. Ndërsa kërkohet gjithashtu që të ketë aftësi fizikisht dhe të përmbushë përgjegjësinë dhe detyrat që i ngarkohen. Një kriter mjaft i rëndësishëm është edhe kërkesa e ministrit të Brendshëm që i përzgjedhuri për t’u ngritur në detyrë, të ketë aftësi të mira për zgjidhjen e problemeve. Në urdhër thuhet se, pas procesit të përzgjedhjes së inspektorëve që përmbushin këto kritere, emrat të dërgohen në Sektorin e Burimeve Njerëzore.
g.kosovari