Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, është përballur me një pyetje direkte lidhur me trajtimin financiar të efektivëve të Policisë së Shtetit, në një konferencë për mediat.
Gazetari i A2 CNN, Igli Çelmeta, i drejtoi ministrit pyetjen nëse ai vetë do të mund të mbijetonte me pagën e një polici, veçanërisht në Tiranë, ku kostoja e jetesës vijon të rritet.
Në përgjigjen e tij, Lamallari theksoi se pagat e Policisë së Shtetit kanë pësuar rritje dhe se situata aktuale “nuk ka të krahasuar” me më parë.
Ai thotë se policët paguhen ekstra për pjesëmarrjen e tyre në protesta, evente ndërkombëtare, tubime të caktuara, duke thënë se nuk mund të pretendohen rritje galopante prej efektivëve.
Nga ana tjetër Lamallari kërkoi që të bëhen të arsyeshëm për të kuptuar që ka edhe sektorë të tjerë dhe rritja duhet të jetë e njëtrajtshme.
Ai shtoi gjithashtu se, përveç pagave, efektivët e policisë po mbështeten edhe me trajtim ushqimor, si pjesë e paketës së përmirësimit të kushteve të tyre.
Lamallari tha se përpjekja e tij do vijojë për përmirësimin e kushteve dhe pagave të policëve, duke çmuar punën dhe vështirësitë e tyre.
Deklarata vjen në një moment kur debati për nivelin e pagave dhe përballimin e kostos së jetesës, veçanërisht në kryeqytet, mbetet një nga çështjet më të diskutuara në opinionin publik.
Më poshtë, komunikimi i plotë i ministrit me gazetarët:










