Nga Ahmet Kamberi
Formimi demokratik i qytetarëve fillon që në fëmijëri në gjirin e familjes, kur kjo kujdeset për këtë qëllim. Ai vazhdon me arsimimin parashkollor dhe atë shkollor, si edhe me përpjekjet individuale për zhvillimin pozitiv të vetvetes. Një ndikim të fuqishëm për formimin demokratik kanë sjelljet dhe veprimet e udhëheqësve politikë, sidomos të atyre që kanë aftësinë të manipulojnë masat e gjera të qytetarëve. Ndikim shumë të rëndësishëm ka gjithashtu mënyra e zhvillimit të debateve audio-vizive e në shtypin masiv, si edhe mënyra e zhvillimit të mbledhjeve të hapura të organeve të larta të shtetit dhe të forumeve të ndryshme të tyre të transmetuara nga mediat. Në vendet e pazhvilluara ose me nivel kulturor përgjithësisht të ulët këto përbëjnë modelet që përthithen nga masa të gjera qytetarësh, të cilët, sipas pëlqimit, i përshtasin ato në përditshmërinë e sjelljeve dhe veprimeve të tyre.
Në Shqipëri kemi shumë modele të tilla të spikatura. Por një nga modelet më të mbrapshta negative për demokracinë është ai i mbledhjeve të Kuvendit të Shqipërisë, të transmetuara drejtpërdrejt në televizion. Si rregull çdo lloj mbledhjeje ka një drejtues, ose një panel drejtues. Ato të institucioneve kryesore të shtetit kanë rregullore të shkruara, të cilat kanë fuqinë e ligjit. Mbledhjet më të thjeshta, kur nuk kanë rregullore të shkruar, i vendosin rregullat paraprakisht. Drejtuesi ose paneli drejtues i mbledhjes ka detyrimin t’i përmbahet rreptësisht rregullores për të siguruar suksesin e saj. Ato nuk kanë asnjë tagër të vetëmarrin fuqi të tjera.
Nga zhvillimi i mbledhjeve të Kuvendit të Shqipërisë, të transmetuara në televizion ditët e enjte, qytetarët shqiptarë shohin dhe mund të përthithin një numër modelesh, të cilat i marrin për modele demokracie. Ata shohin se si drejtuesit e këtyre mbledhjeve, para së gjithash, vetëmarrin fuqi për të mos e përfillur rregulloren, ose për ta përdorur atë në mënyrë utilitare, të përzgjedhur. Ata shohin se si deputeti, në kundërshtim me rregulloren, mund ta marrë fjalën sa herë të dojë. Ata shohin se si deputeti, në shkelje të kohës së lejuar dhe të rendit të ditës, mund të flasë sa herë të dojë, si të dojë e për se të dojë. Ata shohin se si drejtuesit e këtyre mbledhjeve, në mospërmbushje flagrante të detyrës së tyre, lejojnë publikisht nëpërkëmbjen dhe diskreditimin e rregullores së Kuvendit. Ata shohin se si deputetët, të pajtuar me shkelje të tilla të rregullores, nuk kërkojnë që drejtuesit t’i japin fund një herë e përgjithmonë këtyre praktikave të palejueshme. Ata nuk u thonë drejtuesve se janë në atë vend thjesht për të siguruar mbarëvajtjen e mbledhjes, me përpikëri, siç e kërkon rregullorja. Ata nuk u kujtojnë atyre se vetëmarrja e fuqive që nuk burojnë nga rregullorja është e paligjshme, ndërkohë që ata janë aty për të ruajtur ligjshmërinë. Qytetarët e Shqipërisë shohin e dëgjojnë se si deputetët shajnë me nënë e me babë, më keq se kalamajtë grindavecë, kur sherrohen me njëri-tjetrin në rrugë. Ata shohin se si deputetët, pa iu dridhur qerpiku, fyejnë e shpifin për njëri-tjetrin të qena e të paqena. Ata shohin se si deputetët ngrenë akuza të rënda për njëri-tjetrin, akuza për të cilat një qytetar i zakonshëm do të përfundonte pa ceremoni prapa hekurave, kurse ata i përsëritin e i përsëritin pa i gjetur kurgjë. Qytetarët e trullosur shqiptarë shohin e dëgjojnë se si deputetë të ndryshëm mbjellin, pa e vrarë mendjen fare, përçarje midis shqiptarësh me dialekte të ndryshme. Ata shohin se si kundërshtarët politikë, vëllezër nga një dhe, sulmohen si armiq për vdekje.
Dhe drejtuesit e këtyre mbledhjeve, thjesht ndjekin pa e prishur erezinë a me buzë në gaz sfidën, arrogancën, shpërfilljen, a poshtërimin që i bëhet vetë mbledhjes nga deputeti ose deputetët që nuk njohin autoritet mbi atë të vetvetes. Zotërinjve drejtues – larg qoftë që e bëjnë me llogari të holla – ndoshta nuk u shkon nëpër mend se çfarë efektesh shkatërruese kanë skena të tilla te qytetarët e thjeshtë, tek ai qytetari, p.sh, që i dërgon programit televiziv “Fiks fare” një mesazh të tillë në What’s up: “Vras mendjen, ku e gjeti farën ai që shpiku kosin.”
Nga të gjitha këto, gjatë këtyre 25 vjetëve qytetarit shqiptar iu përçua ideja se po të zgjidhesh ose po të emërohesh në një post drejtues, mund të uzurposh edhe fuqi që nuk t’i jep ligji. Atij iu përçua ideja se po të jesh në poste të tilla, ligjin mund ta përdorësh në mënyrë utilitare. Atij iu përçua ideja se ligji nuk është i njëjtë për të gjithë; të zgjedhur ose të emëruar të caktuar mund të jenë mbi ligjin, ose atyre u lejohet ta bëjnë vetë ligjin. Atij iu përçua ideja se të shash mbarë e mbrapsht këdo e kurdo nuk është mbrapshti, ose element i një kulture të ulët. Atij iu përçua ideja se të fyesh paturpsisht ose të shpifësh çfarëdo, për këdo e sido është krejt normale, e pakritikueshme e aq më pak e dënueshme. Atij iu përçua ideja se të kërcënosh dikë për t’i mbyllur gojën, nuk është e ndaluar e as e dënueshme. Atij iu përçua ideja se po të ndjehesh i fortë, mund të marrësh nëpër këmbë çdo lloj autoriteti, rregulli a ligji. Atij iu përçua ideja se të fitosh me çdo mënyrë që të të vijë përdore është e natyrshme. Atij iu përçua ideja se cilindo që ka ide të ndryshme ose të kundërta me të tuat duhet ta konsiderosh armik. Atij iu përçua ideja se edhe po të jesh budalla, mund t’u japësh mend të mençurve. Atij iu përçua ideja se kur arsyetimi nuk vlen si argument, sharja shpifja dhe kërcënimi vlejnë. Atij iu përçua ideja se nuk është keq që, po të jesh hajdut, grabitës, vrasës a gjobëvënës, të bëhesh deputet. Atij iu përçua ideja se po të jesh deputet, në zonën që të kanë votuar, mund të heqësh e të vësh në punë kë të duash, madje edhe po të jetë pastruese e spitalit, e jo më nëpunës a specialist, por që nuk është nën çadrën e partisë ose partive të ardhura në pushtet. Iu përçua e ç’nuk iu përçua qytetarit të uruar shqiptar përmes sjelljeve e veprimeve dinake, brutale, mashtruese, herë-herë delirante dhe ndonjëherë kriminale të udhëheqësve të vet politikë, përmes shfaqjeve të ditës së enjte të Kuvendit të Shqipërisë ose komisioneve të tij hetimore, përmes sjelljeve të shëmtuara e veprimeve të mbrapshta të pushtetarëve e ish-pushtetarëve, përmes sjelljeve e veprimeve po të tilla të deputetëve e ish-deputetëve, përmes debateve në ekrane televizionesh e faqe gazetash. Por e vetmja gjë që nuk iu përçua ishte demokracia, sjellja qytetare, qëndrimet dhe veprimet demokratike. Kjo që i shitet atij prej 25 vjetësh nuk është demokracia. Kjo është demokratura! Por demokratura nuk i vlen popullit e vendit. Demokratura u vlen të fortëve: të fortëve në politikë, të fortëve në administrate, të fortëve në biznes, të fortëve në rrugë e kudo; atyre që bëjnë ligjin e shkruar në dobi të interesit të vet ose të klaneve a klientelave të caktuara dhe atyre që bëjnë ligjin e pashkruar kudo tjetër. Demokratura është shtrati i zhvillimit të të fortëve të të gjitha ngjyrave. Demokratura është mënyra për të përfituar atë që nuk të takon. Është sistemi më i përshtatshëm i elitave politike, që u mundëson atyre të përfitojnë privilegje të pamerituara e pasurim të padrejtë ose kriminal, pangopësisht e pambarimisht. Demokratura shpërfill interesat e popullit të thjeshtë. Ajo është pengesë për zhvillimin e vendit në drejtimin e duhur. Ajo është shtrati i ngrohtë i kompromiseve, marrëveshjeve e nënshtrimeve në dobi të elitave të caktuara politike, por në dëm të vendit e popullit. Demokratura është një demokraci në formë dhe diktaturë në përmbajtje.
Mësimi që na ka mbetur pa mësuar
Gjatë këtyre njëzetepesë viteve të kalimit nga diktatura e proletariatit në demokraturë, qytetari shqiptar mësoi shumë gjera të cilat në vend që ta ndihmonin të zhvillonte demokracinë, e ndihmuan të konsolidojë demokraturën. Demokratura, përmes sjelljes e veprimeve të rreme demokratike, jo rrallë të shëmtuara e nganjëherë edhe kriminale të udhëheqësve të vet politikë, të pushtetarëve, të politikanëve, deputetëve dhe të skotës që u vjen atyre rrotull, në administrate, në media e në terren, i mësoi qytetarit shqiptar si të bëjë dhe si të pajtohet me zgjedhjet rrenëse të lira e të drejta. Dikush nga pamundësia për të dalluar demokraturën dhe dikush tjetër nga pazotësia për të luftuar për demokracinë, thuajse të gjithë iu përshtatën sjelljes dhe veprimeve të elitave politike dhe sistemit të drejtësisë në shërbim të tyre.
Kështu, herë i shtrënguar nga nevoja, herë nga mashtrimi, herë nga joshja, herë nga presioni e herë nga shejtania, në zgjedhjet politike, ose ato lokale, qytetari shiti votën e tij dhe çoi në Kuvendin e Shqipërisë ose në organet e qeverisjes vendore ata individë që do të vazhdonin të përsosnin demokraturën, pa e kuptuar, ose pa e vrarë mendjen se kjo është për të zezën e vet. Atij iu mësua se kanuni i mesjetës është mbi drejtësinë dhe ligjin bashkëkohor. Atij iu mësua se po të jetë në gjendje të blejë drejtësinë mund ta shtyjë gardhin një metër në kopshtin e komshiut. Iu mësua që po t’i përshtatet një partie në pushtet i merr vendin e punës një ditëziu që nuk përzihet me partitë. Atij iu mësua se po nuhati një përfitim të mirë, mund të spiunojë shokun e vet. Iu mësua se po pati një kobure, kur gërvisht makinën e vet duke i rënë makinës së një tjetri, mund ta nxjerrë atë, pa një pa dy, dhe t’ia numërojë ditëziut tjetër në lule të ballit. Iu mësua se po të mos i ecë ambicia në partinë e vet, mund ta përmbushë atë duke kaluar në një parti tjetër e duke luftuar shokët e mëparshëm më egërsisht se ata me të cilët bashkohet. Qytetarit e shtetarit iu mësua se si ta përdorë a ta përvetësojë pronën publike për t’u pasuruar. Atij iu mësua se si mund ta blejë mësuesin ose profesorin e të pajisë të birin ose të bijën me diplomë universiteti. Ai që diplomën e ka blerë, u mësua se s’i të mos i lërë hapësirë për të marrë frymë atij lumëmadhit që diplomën e ka fituar me zotësinë e vet. Atij iu mësua se kur nuk ka zotësinë të kryejë detyrën për të cilën paguhet, të përdor zotësinë për të terrorizuar ata që ka poshtë vetes ose për t’i rrjepur ata. Një shefi të vogël iu mësua se si të shndërrohet shpejt në një tiran të vogël. Një analfabeti ose gjysmanalfabeti iu mësua se si mund të drejtojë sektorë të rëndësishëm me njerëz të ditur ose specialistë të aftë. Demokratura u mësoi nëpunësve të administratës, në të gjitha nivelet, si të kenë preokupacion kryesor për të nxjerrë përfitime maksimale për veten e tyre dhe për të qenë të dobishëm për partinë përkatëse. Ajo u mësoi qytetarëve se zgjidhja më e pëlqyeshme e ngatërresave dhe e grindjeve është vetëgjyqësia. Ajo u mësoi punonjësve të shëndetësisë se si ta kompensojnë pagën e tyre të vogël me mënyra të tjera. Ajo u mësoi policëve se si t’u shmangen të fortëve. Ajo u mësoi të fortëve se si ta poshtërojnë policin, si mund të dhunojnë kë të duan, si mund të përfitojnë çfarë të duan dhe si mund t’i përdorin politikanët. Demokratura u mësoi një kategorie shqiptarësh se si mund të pasurohen brenda natës. Ajo u mësoi atyre se si mund ta marrin ose ta arrijnë, atë që nuk mund ta marrin ose arrijnë me zotësi ose me drejtësi. Ajo u mësoi e ç’nuk u mësoi shqiptarëve, por mësimin më shembullor, se si mund ta shesë drejtësinë sa më shtrenjt dhe si mund t’i nxjerrë të larë e të kulluar ata që e mbajnë gjallë, ajo ia mësoi drejtësisë.
Kur puna ka ardhur deri këtu, nuk është e lehtë të bësh reformë në drejtësi. Kundërshtimi ndaj saj është sistemor. Drejtësia, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, është e papajtueshme me demokraturën. Demokraci të vërtetë pa drejtësi të vërtetë nuk mund të ketë. Prandaj duhet kuptuar se, krahas reformës në drejtësi, duhen bërë edhe rregullime të tjera për rritjen e efektshmërisë së pushtetit. P.sh. përse iu dashkan Shqipërisë 3-milionëshe 140 deputetë, kur punën e tyre mund ta bënin më së miri vetëm 80? A nuk është më e lehtë dhe më mirë të zgjedhësh midis 3 milionë shqiptarësh 80 gra e burra të ndershëm, të qytetëruar e të mençur, sesa 140 e për lumë? Midis këtyre që ne kemi sot, nuk ka më shumë se nja pesëdhjetë prej atyre që diskutojnë a ngrenë probleme, por që edhe na japin shfaqje të shëmtuara e të neveritshme. Shumë prej atyre që nuk ndjehen fare por dhe të tjerët, në zonat e veta zgjedhore bëjnë ligjin, ligjin që mban gjallë demokraturën.
Atëherë, mësimi që na paska mbetur pa mësuar e që duhet ta nxëmë shumë mirë që të gjithë është se: pa iu vënë pengore udhëheqësve politikë, pushtetarëve, deputetëve e nëpunësve të administratës shtetërore, pa i zgjedhur deputetët midis grave e burrave me figurë morale të pastër, të ndershëm, të qytetëruar e të ditur, pa i kthyer mbledhjet e Kuvendit të Shqipërisë në model të sjelljes dhe veprimeve qytetare, ligjore e demokratike; pa e kthyer legjislacionin e shkruar në legjislacion të zbatuar, pa e kthyer drejtësinë në shërbim të dhënies së drejtësisë, jo të shitblerjes së saj; pa siguruar profesionalizmin dhe qëndrueshmërinë e administratës shtetërore, të mos na rrejë mendja se po ndërtojmë ose zhvillojmë demokracinë, nëqofëse e duam me të vërtetë atë. Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, e kemi në dorë të bëjmë diçka.
Shkrim më i arritur,analizë më të plotë nuk mund të ketë,të lumtë prof.