• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, February 23, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Si autobuzë unaze, që nuk takohen kurrë

by Lorenc Vangjeli
21/02/2016 12:59
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Lorenc Vangjeli

 Po të ndiqet një javë politike në Tiranë ngjan se është duke u ndarë pushteti dhe ka ndeshje pushteti në një vend me mbi 250 milionë banorë, me të ardhura vjetore rreth 100 mijë dollarë për frymë, me ushtrinë e dytë më të madhe në botë, me rezerva të pafundme nafte dhe uji, me armë bërthamore dhe rritje të qëndrueshme ekonomike rreth 13 për qind në vit. Edhe java e tretë e shkurtit ishte rregulli fatkeq që nuk njeh përjashtim. Ende pa ikur nga Tirana Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, Tirana u rikthye në anormalitetin e saj normal. Duke nisur me trafikun e rrëmujshëm, me mimozat që bëhen çdo vit flija e trishtueshme për të dashuruarit dhe hipokritët e dashurisë, me politikanë e profanë të politikës dhe një shumicë të heshtur që rend në heshtje për mbijetesën e përditshme. Vetë vizita dhe mesazhet e Sekretarit Amerikan të Shtetit u trajtuan si rebus që duhej zgjidhur. Si ekuacion me shumë të panjohura, ku të gjithë tentonin privatizimin e variablit më të lartë të dashurisë amerikane në këmbim të besnikërisë e shërbesës shqiptare.

Duke nisur me të hënën dhe me një kulm drejt fundit të javës, në Tiranë ndodhi gjithçka. Në fillim Rama e Basha sulmuan njëri-tjetrin me të gjitha vezët e zakonshme bardh e zi të shportës së tyre politike. Po në të njëjtën ditë, arsyet e takimit të munguar të Sekretarit Amerikan Kerry me kryetarin e Kuvendit Meta, morrën përmasa konspiracioni. Të hënën debati për daljen e presidentit në aeroport për pritur shtetarin e lartë amerikan, u bë thikë me dy presa që priste nga të gjitha anët. Rama thotë se i kishte ardhur keq që e kishte parë Presidentin me kostum si shef protokolli, Nishani përgjigjet se i kishin thënë amerikanët të dilte tek shkallët e avionit. Të martën e njëjta zallamahi vazhdoi me të njëjtin intesitet deri në momentin që largimi i ministrit të financave dhe zëvendësimi i tij me firmë të kryeministrit, shkaktoi vetëm një moment frymëmbajtjeje: iku ai që normalisht ikën i parafundit.

Si rregull, ministri i financave është si ndihmëskapiteni i një anijeje, e braktis atë vetëm një çast para kapitenit. Por kaq. Lehtësia me të cilën trajtohen situatat në serioze në Tiranë janë thjesht qesharake.

Kryeministrit i sulet edhe Basha, edhe Blushi për këto lëvizje, kurse ish-ministrin e financave më fort se kushdo e mbron ish-kryeministri që rrëfen se ka vetëm një pasion: t’i dalë e të trembë ëndrrat e Ramës!

Rinis beteja epike e llogoreve politiko-financiare për parkun e Liqenit ku të gjithë betohen ta mbrojnë, por ai çuditërisht tkurret sikur e sulmojnë alienët. Të dielën, po buzë liqenit, pati dhe betejë mes demonstruesve dhe policisë. Trup më trup si dikur partizanët me gjermanët në Tendën e Qypit. Në Tiranë, partizanë e gjermanë janë bashkë, kurse Gjermania është ëndrra për azil e gjithë nipërve të sotëm të partizanëve të djeshëm.

Saga vazhdon. Kryeministri nga Kavaja bën humor me akuzat për dekriminalizimin, në një “retro wikileaks”-i një ish-kryeministër socialist u thotë amerikanëve të ambasadës se Rama ka të njëjtin stil drejtimi si Berisha dhe kështu me rradhë e me rradhë çdo ditë. Të enjten e Doktorit ndodh përjashtimi në rregullin ekstrem: Vokshi dhe Beqja shkëmbejnë urime njerëzore me njëri-tjetrin; Joleza jep një intervistë të mençur e serioze duke u tallur me të gjithë kritikët e saj sipërfaqësorë; mbi të gjitha, të gjithë rendën të urojnë me të njëjtat fjalë e gjeste Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Dhe këto janë përjashtimet. Për rikthimin në normalitet mendoi Doktori e Balla që vazhduan duelin si çift, në kohën kur Rama nuk është në sallë për garën strikte me batuta me Doktorin.

Të premten, ndërkohë që ministri i financave dhe i ekonomisë nuk janë dekretuar ende, një ministre i kujton Presidentit se mund ta shkarkojnë nga puna. Vetë Presidenti i kërkon mendim Gjykatës Kushtetuese se çfarë duhet të bëjë, kurse kryeministri i hedh kunja nga larg. Një tjetër betejë që pas një jave do të ketë fatin që meteorologët i japin tundjeshkunjdes së gotës në tavolinë.

Rama vazhdon turin e antarësimeve nëpër qytete dhe Blushi vazhdon t’i përgjigjet me të njëjtat udhë.

Të premten ishin të dy në Korçë, por e panë njëri-tjetrin vetëm në darkë në televizor. Janë bërë si dy autobuzë unaze që janë gjithë ditën në rrugë, por nuk takohen kurrë. Përveçse në parking.

Në të gjithë këtë rrëmet lajmesh ku nuk përfshihen buletinët e ministrisë së brendshme apo procesi i “xhihadistëve” shqiptarë në gjykatën e Tiranës. Nuk përfshihet as zbulimi spektakolar për herën e pafundtë tashmë të së vërtetës për vrasjen e ish-kryeministrit Mehmet Shehu; së fundi dikush tregoi se i kishte thënë dikush që e kishte dëgjuar nga dikush se Shehun e kishin vrarë në shkallët e kryeministrisë. E tregoi kushëriri i parë i nipit të gruas së ndjerë të vëllait të komshiut të kuzhinierit të klubit të SHQUP-it. SHQUP-i është vendi ku dikur ushqeheshin vërtet oficerët e Hoxhës dhe sot gatuhet opozitarizma e kultivuar e Bashës. Në listën e lajmeve tronditëse të javës së tretë të shkurtit nuk përfshihet as Xhesika, natyrisht, për të cilën një djalë i përkorë si Kel Demi ka nisur një serial editorialesh.  

Po të martën e tretë të shkurtit, media publikoi një fjalim me Muxhahedinë të dy viteve më parë në Paris të ish-kryeministrit Majko. Fjalimi i tij u duartrokit pafund. Njëlloj madje shumë më shumë se po të fliste në Tiranë. Me Ben Malajn pas shpine, duke cituar ish-presidentin amerikan Kenedi dhe duke perifrazuar Martin Luter Kingun në të njëjtën kohë, Majko tha se ishte Muxhahedin që kishte një ëndërr: ëndrrën që të hante një akullore iraniane në Teheran. Zoti Majko është dhe konsiderohet pa dallim nga miqtë e armiqtë si një nga politikanët më proamerikanë në Tiranë. Dhe ky është rregulli. Përjashtimi vjen kur me një ngut naiv ballkanas, shumëkush tjetër betohet për Amerikën në Tiranë dhe prodhon akullore me stil nga Teherani. Dhe kur pothuaj të gjithë vijnë vërdallë si autobuzë unaze që janë tërë kohës në rrugë, por nuk takohen kurrë! Njëlloj si në javën e tretë të shkurtit kur Shqipëria ngjau si zakonisht fusha e betejës për pushtet në një vend me armë bërthamore.

Next Post

Dyshimet e Veselit në Kuvendin e tij të dyshimtë

Comments 1

  1. çentrale says:
    10 years ago

    Ha ha . Keta nuk e lene Shqiperine te jete normale

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Vritet “El Mencho”, lideri i kartelit të fuqishëm në Meksikë

Vritet “El Mencho”, lideri i kartelit të fuqishëm në Meksikë

February 22, 2026
FOTO/ “A të kujtohet kur…”, zbulohet e dashura sekrete e Jeffrey Epstein!

FOTO/ “A të kujtohet kur…”, zbulohet e dashura sekrete e Jeffrey Epstein!

February 22, 2026
13-vjeçarja ‘e lindur’ për Parlament? Nxënësja nga Elbasani që u bë virale me fjalimin e saj në Kuvend!

13-vjeçarja ‘e lindur’ për Parlament? Nxënësja nga Elbasani që u bë virale me fjalimin e saj në Kuvend!

February 22, 2026
Kritere të reja për mbështetjen ndaj fermerëve! Ministri zbulon detajet

Kritere të reja për mbështetjen ndaj fermerëve! Ministri zbulon detajet

February 22, 2026
Vlora pa ujë ditën e martë, zonat që do të preken

Vlora pa ujë ditën e martë, zonat që do të preken

February 22, 2026
Presidenti Begaj: Shqipëria dhe Jordania ndajnë vlera të përbashkëta paqeje dhe stabiliteti

Presidenti Begaj: Shqipëria dhe Jordania ndajnë vlera të përbashkëta paqeje dhe stabiliteti

February 22, 2026
Balluku: Qeveria dhe partnerët e OKB-së vijojnë punën për një Shqipëri më moderne. Jemi më të fortë e më afër BE

Imuniteti i Ballukut, Këshilli i Mandateve vendos të hënën për zv.kryeministren

February 22, 2026
Bordi i Paqes/ Analisti: Për Shqipërinë dhe Kosovën, mbështetja amerikane domosdoshmëri

Bordi i Paqes/ Analisti: Për Shqipërinë dhe Kosovën, mbështetja amerikane domosdoshmëri

February 22, 2026
U kap me 70 doza kokaine në makinë, arrestohet i riu shqiptar në Itali

U kap me 70 doza kokaine në makinë, arrestohet i riu shqiptar në Itali

February 22, 2026
Rrëshqitje dheu në Peqin, dëmtime në rrugë dhe çarje pranë disa banesave

Rrëshqitje dheu në Peqin, dëmtime në rrugë dhe çarje pranë disa banesave

February 22, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In