Shtypi grek vijon sulmet ndaj qeverisë shqiptare lidhur me kërkimet e hidrokarbureve në detin Jon, ndërsa këtë radhë vëmendja është ndalur tek kryeministri Edi Rama. Në një artikull të saj gazeta “To Vima” e cilëson kryeministri Rama si një nacionalist të rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit.
Sipas gazetës greke, Edi Rama erdhi në pushtet me premtimet për paqe dhe stabilitet, por shpejt kjo gjë ndryshoi. Por menjëherë siç shprehet “To Vima”, Rama bëri kapërcime absolute, dhe gjithçka nisi pas ndeshjes Serbi-Shqipëri ku Rama “ndezi zjarret” e nacionalizmit shqiptar në Ballkan.
Gazeta ndalet gjërësisht duke u shprehur se Rama pas dronit me flamurin e Shqipërisë së Madhe, shkoi më tej duke e ngarkuar foton në llogarinë e tij në Facebook dhe madje duke e shpalosur edhe përpara Kryeministrisë.
Më pas sipas shtypit grek, vjen gjakderdhja në Kumanovë, por ajo është paraprirë nga kërkesa e Shqipëria për ndryshimin e kufinjve, referuar kërkesës së Shqipërisë për të mos lejuar kërkimet për naftë në detin Jon, pjesë e territorit shqiptar. Dhe gazeta e pranon se kjo tashmë është kthyer në një çështje mes dy vendeve.
Më tej, gazeta nënvizon se të gjendur në kushtet e varfërisë, Rama po përpiqet të marrë votat e nacionalistëve, dhe se me këtë tezë po përpiqet të largojë vëmendjen nga problemet reale që ka vendi. Sipas gazetës edhe fqinjët janë të frikësuar për një destabilizim të rajonit dhe për këtë janë njoftuar edhe ndërkombëtarët.
Madje gazeta helene parashikon edhe nisjen e trazirave. Dhe sipas saj çdo gjë do të nisë në Maqedoni, ku shumë shpejt, popullsia shqiptare, e cila sot është 30% nesër do të jetë shumicë dhe do të kërkojnë ndarjen. Kjo do të sillte efektin domino në rajon.
Por për gazetën një inkurajim të tillë ua ka dhënë shqiptarëve edhe Presidenti i Turqisë Erdogan. Dhe sipas gazetës myslimanët shqiptarë shprehen se “bashkimi i trojeve shqiptare është vullneti i All-llahut.”










