Dy auditët teknicienë, Andi Erebara dhe Armand Teliti, paraqitën të enjten në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve raportin për ekstraktin përfundimtar të listave të zgjedhësve, pas shtyrjes me një javë të datës së votimeve.
Ky fakt e detyroi Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile që të përditësojë listën përfundimtare të votuesve, duke shtuar në të persona, që gjatë kësaj kohe kanë mbushur 18 vjeç dhe duke hequr ata që kanë ndërruar jetë.
Auditi Andi Erebara, i propozuar nga Partia Socialiste, në paraqitjen e ekstraktit përfundimtar, që i takon datës 23 maj, tha se në lista figurojnë 3.482.305 zgjedhës. Krahasuar me ekstraktin e datës 8 maj vihet re një rritje e numrit me 412 zgjedhës, kryesisht votues që kanë mbushur moshën 18 vjeç, ndërsa janë hequr ata që kanë vdekur këtë periudhe.
Lista është pastruar nga dublikimet ku figurojnë të jenë hequr 459 votues, që figuronin dy herë ne to.
Sa i takon procedurave të pezullimit nga listat të shtetasve që vuajnë dënimin në ekstraktin përfundimtar figurojnë të përjashtuar 1371 shtetas.
Gjithashtu, numri i shtetasve me moshën mbi 100 vjeç dhe që nuk përfshihen në lista është 1480 në ekstraktin përfundimtar.
Numri i qendrave të votimit për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit është në total 5362, QV. /b.d