Sasia e parë e respiratorëve të rinj për të trajtuar pacientët e infektuar me koronavirus në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ ka mbërritur.
Në një njoftim publik, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se janë dyfishuar kapacitetet respiratorë.
“Sot kemi një lajm të mirë. Nga financimi i qeverisë shqiptare dhe kontrata e lidhur tashmë kanë ardhur dhe janë vendosur sasia e parë prej 5 respiratorësh të rinj në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, ndërkohë që priten të lëvrohen edhe pjesa tjetër. Në total kemi 54 respiratorë në dërgesën e parë dhe më pas do të kemi edhe 50 të tjerë e kështu me radhë, sipas porosive”, u shpreh Manastirliu.
Shefja e shërbimit të reanimacionit në spitalin Covid 2, Alma Cami dhe stafi mjekëve vlerësuan mbështetjen për shtimin e respiratorëve.
“Ishte më se e nevojshme kjo mbështetje nga ana juaj do të jetë në shpëtim të jetës së qytetarëve dhe në shërimin e tyre natyrisht. Ne do të jemi suporti i spitalit infektiv, të cilët janë të parët dhe kanë dhënë kontribut maksimal. Ne jemi mbështetje sekondare për zgjidhjen e rasteve që do të vinë. Do të bëjmë më të mirën e mundshme”, u shpreh dr. Cami nga spitali “Shefqet Ndroqi”.
Në spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohet një paciente e prekur nga COVID-19, e cila ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa në spitalin Infektiv po trajtohen 81 pacientë me COVID-19.
/a.r











