Nga sot, pas 7 muajsh që kanë nisur seancat dëgjimore që mbaheshin në Pallatin e Kongreseve, vetting-u ka nisur punën në shtëpinë e tij, në ndërtesën e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve.
Çdo qytetar që kërkon të ndjekë seancat dëgjimore, duhet të paraqitet fillimisht në hyrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), duhet të dorëzojë një dokument identifikimi. Seancat janë të hapura për qytetarët e interesuar. Të interesuarit duhet të paraqiten në hyrjen kryesore, me një kartë identiteti dhe duhet t’i nënshtrohet masave të rrepta të sigurisë.
Pasi dorëzohet mjeti i identifikimit, vjen kontrolli me detektor. Pas kësaj faze, nuk lejohet të filmohen ambientet e brendshme, përveç sallës ku mbahen seancat dëgjimore.
Qytetarët duhet të dorëzojnë celularët dhe mund të mbajnë me vete vetëm stilolaps dhe fletore.
KPK zhvilloi sot dy seanca degjimore, ne 9 e 30 me gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Shkodrës, Ahmet Jangulli.
Jangulli është njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Relatorja Brunilda Bekteshi tha se gjyqtari Ahmet Jangulli ka në pronësi tokë bujqësore 2181 m2, apartament 61 m2 në Bulqizë.
Sipas relatores, ILDKPI ka konstatuar se gjyqtari ka kryer fshehje të pasurisë dhe mungesë të ligjshme financiare.
Për këtë KPK ka kryer një hetim të thelluar.
Relatorja Bekteshi tha se gjyqtari makinën e parë e bleu 570 mijë lekë dhe e shkëmbeu me një tjetër 1 milion lekë.
“Hetimet tregojnë se subjekti në atë kohë nuk i kishte burimet financiare që ta blente automjetin.Ka dhënë fillimisht 8 mln lekë shtetasit E.T, huadhënie pa interes. Më pas 4 mln lekë shtetasit A.R po pa interes. Të ardhurat e deklaruara nga subjekti dhe ato që kanë institucionet janë të ndryshme. Përfshirë këtu dhe aktivitetin noteri të bashkëshortes. Gruaja e subjektit me profesion notere s’ka treguar kredinë e marrë në bankë në vitin 2014 me vlerën 7 000 mijë lekë”tha relatorja.
Ndërsa në orën 12:00 ishte radha e gjyqtarit të Apelit të Korçës, Sotiraq Lubonja për të kaluar në filtrat e Vettingut.
Gjyqtari Sotiraq Lubonja ka ndjekur procedurat me përparësi, tha relatorja e çështjes, por ILDKPKI ka sjellë raport se deklarimi i gjyqtarit Sotiraq Lubonja nuk është i saktë.
“Gjyqtari Sotiraq Lubonja ka kryer fshehje të pasurisë dhe ka bërë deklarim të rremë.Lubonja ka në pronësi një shtëpi banimi në Korçe me dy kate të fituar me kontratë dhurimi.Është konstatuar se ka mospërputhje të deklarimit të bërë me sipërfaqen e truallit.Gjyqtarit Lubonja i është kërkuar të deklarojë se kur ishte ndërtuar saktësisht kjo shtëpi.
Nga hetimi rezulton se vlera e banesës është më e madhe se ajo që ka deklaruar gjyqtari Lubonja. Në lidhje me dhuratën e nënës me vlerë 4 mln e 75 lekë nuk ka dokument që të justifikojë të ardhurat e nënës”
a.ç










