Shtëpia e Pavarësisë, që mban emrin e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugovës, ka disa ditë që ka mbyllur dyert për vizitorët. Objekti, që është kthyer në Shtëpi të Pavarësisë, më 2 dhjetor në vitin 2007 i është nënshtruar renovimit, ndërsa do të jetë gati më 21 dhjetor, në datën që përkon me dhjetëvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës. Në shtëpinë që është cilësuar tempull i lirisë, pasi në të janë zhvilluar të gjitha ngjarjet mes viteve 1988 deri më 1999, të cila kanë qenë të paraqitura në mënyrë kronologjike. Pas 21 dhjetorit Shtëpia e Pavarësisë “Ibrahim Rugova” do të këtë dokumente të reja, do të ketë bibliotekë, ndërsa siç është thënë nga zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, do të ketë edhe ekspozitë të përhershme.
Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, ka thënë se në Shtëpinë e Pavarësisë nuk është bërë ndonjë ndryshim strukturor. “Është duke u bërë një renovim në kuptimin, jo ndonjë ndryshim strukturor, por thjesht një renovim i vendit për ta pritur datën e 21 dhjetorit, do të thosha, në mënyrë dinjitoze”, është shprehur Boshtrakaj, duke shtuar se pjesërisht do të mbesin të gjitha ato eksponate që aktualisht janë në Shtëpinë e Pavarësisë.